Është e njëjta histori. Sado që përpiqesh të përfshihesh në emocionet e kampionatit shqiptar, që në fakt hera herës edhe ato janë tepër monotone, kur vijnë momentet e ballafaqimit të skuadrave shqiptare në pjesëmarrjet europiane, natyrshëm vjen radha e zhgënjimit. Madje në disa raste edhe të ekzagjeruar aq sa me të drejtë, apo jo, në opinion hapet terreni për diskutime nga më të ndryshmet. Kështu ndodhi në një farë mënyre edhe në këtë edicion pjesëmarrjesh në kupat europiane. Pjesë e këtij zhgënjimi është edhe skuadra shkodrane Vllaznia, e cila në dy përballjet e fundit me Rapidin e Vienës u mund në të dy takimet, duke u eleminuar nga kompeticioni. E megjithatë në Shkodër, edhe pse vijojnë të diskutojnë jo pak për këtë paraqitje të dobët në turin e dytë, nuk parapëlqejnë që skuadra e tyre Vllaznia të futet në bllok me dy skuadrat e tjera shqiptare, që ishin pjesë e konkurimit europian. I këtij mendimi janë të shumtë në qytetin verior, duke filluar që nga sportdashësit objektivë, specialistët, pjesëtar të skuadrës kuqeblu dhe deri tek drejtuesit e klubit Vllaznia, të cilët që të gjithë marrin për bazë paraqitjen dinjitoze të Vllaznisë në turin e parë, kur pasi kanë fituar 2-1 në Irlandë ndaj “Sligo Rovers” dhe barazim 1-1 në “Loro Boriçin” e Shkodrës kaluan me mjaft meritë turin e parë. “Unë pajtohem me çdo kritikë që mund të adresohet në adresë të skuadrës, pasi realisht në turin e dytë, ajo nuk dha asgjë nga vetja e saj”, thotë poresidenti Fushaj, i cili më tepër ndalet tek 90-të minutat e ndeshjes së dytë me austriakët e Rapidit të Venës, ndeshje në të cilën, ai dhe opinioni kanë shpresuar se mund të ishte më dinjitoze, se ajo që u luajt në Vienë një javë më parë. Por sipas tij, por edhe specialistëve shkodranë, kurrsesi pa lënë mënjanë edhe gabimet dhe përgjegjësitë e lojtarëve dhe në përgjithësi të stafit teknik, fatin e rezultateve të ndeshjeve të turit të dytë e ka vendosur diferenca që është në mes këtyre dy skuadrave, të cilat fillojnë që nga titullarët që kanë në formacionet e tyre, por edhe elemente të tjera të infrastrukturës së klubit, ku ai austriak është shumë më lart në të gjitha drejtimet. Por, përpos të gjithave, në këto dy përballje, ishte edhe fati, i cili ishte shumë i keq për Vllazninë. Dhe këtu Fushaj fut që nga gabimet e bëra në pjesën e dytë, gjatë ndeshjen së parë në Vienë, që i dhanë mundësi kundërshtarit të shënonte disa herë në portën shkodrane, por më së shumti edhe fatin e keq të mungesës së titullarëve të skuadrës, ku si për të mos mjaftuar mungesa e dyshes Grima-Sinani, vjen në çastet e fundit edhe ajo e Shtubinës. Sipas tij, nëse do të kishin qënë në fushë këto tre forca, Vllaznia kurrsesi nuk do të kishte pasur këtë prezantim në ndeshjet e turit të dytë. “Gjithsesi - vazhdon presidenti Fushaj - kapitulli europian është mbyllur dhe vemendja është e përqëndruar tërësisht te fati i Vllaznisë së re”. Në fakt, ai nuk ka pritur që të mbarojë kjo ndeshje me Rapidin në Shkodër, sepse në një farë mënyre, sinjali i eleminiit është dhënë që në Vienë, por në programin e tij ka ditë që ai po mendon dhe punon për të ndërtuar një skuadër së më kompetetive për sezonin e ri futbollistik. Në një farë mënyre piketat i ka hedhur, duke projektuar edhe emrat që do të jenë pjesë e skuadrës. Sipas tij, koha është e mjaftueshme për një gjë të tillë, dhë në këtë kuadër, ai dhe stafi i tij kanë filluar të kontaktojnë me futbollistë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit. Edhe skuadra është lënë pushim deri në enjten e javës së ardhshme, Fushaj dhe pjesëtarë të tjerë të bordit drejtues të klubit Vllaznia, po shihen të takohen çdo ditë, duke evidentuar të rejat e fundit në lidhje me merkaton verore, e cila tashmë është rihapur edhe një herë edhe më aktive se ajo përpara përgatitjeve për pjesëmarrjet në Ligën Europiane. Nga burimet brenda klubit mësohet se emrat e rinj që do të jenë pjesë e Vllaznisë së re, ka shumë mundësi që të paraiten përpara teknikut Lika në ditën e parë të rigrumbullimit të ditës së enjte, ndërkohë që po punohet edhe për saktësimin e vendit të zhvillimit të fazës përgatitore themelore, e dyta kjo pas minifazës europiane që u zhvillua në qytetin malor të Pukës.