.Kur nuk kanë kaluar ende 24 orë nga eliminimi i turpshëm i Vllaznisë prej Rapidit të Vjenës, nga turi i dytë i Ligës së Evropës, me rezultatin final të dy takimeve 8-0, te ekipi shkodran kanë filluar lëvizjet e para. Ndonëse nga të gjithë pritej që këto lëvizje të ishin në sens pozitiv për Vllazninë, në atë të afrimeve, çuditërisht në këtë kamp prej ditës së djeshme ka ndodhur e kundërta. I pari që i ka dhënë lamtumirën Vllaznisë për te francezët e Bulonjës është ish-kapiteni i saj Elvin Beqiri. Një nga lojtarët më të mirë të Vllaznisë gjatë sezonit të kaluar, njëherësh edhe potencial e titullar i padiskutuar i Kombëtares shqiptare, Beqiri nuk ka pritur shumë, por pak orë pas mbarimit të takimit të kthimit në “Loro Boriçi” me austriakët e Rapidit ka marrë avionin drejt Francës. Futbollisti ka qenë prej kohësh në vëzhgimin e mjaft klubeve qipriote, turke e gjermane, por së fundmi mësohet se ka pasur kontakte edhe nga francezët e Bulonjës. Pikërisht këta të fundit kanë këmbëngulin për ta bërë të vetin Elvin Beqirin. Lojtari 28-vjeçar pritet të prezantohet te francezët e Bulonjës javës tjetër.

Të tjetër

Përveç Elvin Beqirit, nga ekipi kuqeblu pritet të ketë fluks largimesh, gjë që do të ndikojë negativisht në sezonin e ardhshëm për këtë skuadër. Kandidati i mundshëm për t’u larguar nga shkodranët pas përfundimit të aventurës evropiane do të jetë edhe mesfushori kosovar, Ilir Nallbani, i cili me fanellën e Vllaznisë ka qenë një nga lojtarët më stabël. Nga klubi mësohet se mesfushori është në bisedime me një skuadër turke. Ndërkohë si lojtari, por edhe vetë drejtuesit e klubit shkodran nuk preferojnë ta zbardhin emrin e klubit. E sikur të mos mjaftonin këta futbollistë, një tjetër kandidat i është shtuar listës së gjatë të ‘divorcit’ me Vllazninë. Bëhet fjalë për dy titullarët dhe liderët e Vllaznisë, sulmuesin Vioresin Sinani dhe portierin Armir Grima. Pavarësisht se të dy lojtarët kanë rinovuar kontratat përkatëse me këtë ekip, situata nuk duket aspak pozitive në bashkëpunimin me drejtuesit e klubit. Shkak mund të jenë bërë kartonët e marrë nga të dy këta lojtarë gjatë takimeve të Ligës së Evropës. Nga burime pranë klubit u përfol se të dy lojtarët do të penalizoheshin në aspektin financiar, por një gjë e tillë ende nuk ka marrë një formë të prerë.

panorama