Dy futbollistët brazilianë të ardhur pak ditë më parë për llogari të Vllaznisë së Shkodrës, nuk do të jenë më pjesë e klubit shkodran. Në fakt, edhe pse po bëhet java e tretë për njërin dhe e dyta për tjetrin, që janë duke u stervitur në gjirin e Vllaznisë së Shkodrës, zyrtarisht asnjëri prej tyre nuk ka qënë pjesë e klubit shkodran. Në kontaktet e para që menaxherët e tyre kanë pasur me drejtuesit e klubit të futbollit Vllaznia, për ta është folur me superlative. Madje nga sa është thënë, në dispozicion të tyre ka qënë gati edhe firma e menjëhershme e kontratës, në mënyrë që t’u jepej shansi të aktivizoheshin në përbërje të Vllaznisë, për ndeshjet ndërkombëtare të Ligës Europiane. Por një hap i tillë nuk ka qënë i mundur të bëhet, për arsye se tekniku Hasan Lika nuk dallonte asgjë interesante tek asnjëri prej dyshes braziliane. Dhe në të tilla kushte, ashtu siç pati vepruar edhe paraardhësi i tij Agim Canaj, i cili po për të njëjtat motive nuk pati dhënë OK për disa futbollistë të huaj, pasi kualiteti i tyre nuk ishte i pranueshëm dhe ka deklaruar votën e tij kundër. Faktikisht, dyshja braziliane ka vijuar të jetë edhe dje në përbërje të seancave stervitore të skuadrës kuqeblu, por qëndrimi i tyre në Shkodër është çështje orësh. Qëndrimi profesional i teknikut Lika është vlerësuar dhe respektuar plotësisht nga bordi drejtues iI klubit Vllaznia dhe personalisht nga ana e presidentit kuqeblu Valter Fushaj, i cili mësohet të ketë thënë se vendimi i trajnerit Lika do të jetë “ligj” për çdo veprim që ka të bëjë me funskionimin e skuadrës. Ndaj edhe pse ka qënë optimist në fillim, për t’i veshur kuqeblu brazilianët, ai ka rekomanduar strukturat e kryesisë së klubit të zbatojnë verdiktin e trajnerit Lika. Kësisoj, Carlos Salis mesfushor dhe Olivera, lojtarët që pretendohej të luante në të dy rolet, qoftë si mesfushor, por më tepër si sulmues, do të duhet të bëjnë gati bagazhet për t’u kthyer andej nga erdhën, pasi “aventura” e tyre u mbyll këtu pa i dhënë asnjë shans, që të dilnin në fushën e lojës si pjesëtarë të formacionit të Vllaznisë, pasi niveli i tyre cilësor nuk ka bindur aspak stafin teknik. Por, ndërkohë që përgatitet largimi i brazilianëve, që zyrtarisht mund të lënë Shkodrën pas ndeshjes së dytë me Rapidin, gjë e cila do të bëhet edhe me prezencën e menaxherëve të tyre, të cilët edhe janë pritur prej ditësh, ende nuk është bërë e mundur mbërritja e tyre në qytetin verior, drejtuesit e klubit Vllaznia po mendojnë për të sjellë lojtarë të tjerë në Shkodër. Pjesëtarë të bordit drejtues të klubit thanë për gazetën se nga ana e tyre është bërë gati një listë tjetër futbollistësh, të cilët pritet të thirren për t’u bërë pjesë e Vllaznisë. Në një farë mënyre, drejtuesit e Vllaznisë e konsiderojnë këtë periudhë si merkaton numër 2 për kuqeblutë. Ndonëse nuk janë bërë ende publikë për opinionin, mësohet se drejtuesit e klubit janë në bisedime me dy futbollistë të huaj, të cilët pritet të vijnë tek Vllaznia për llogari të repartit të sulmit. Duke parë dështimin me brazilianët, këtë radhë dyshja e futbollistëve sulmues është zgjedhur nga rajoni i Ballkanit, pasi në një farë mënyre, përvoja me këto tip futbollistësh ka dalë pozitive në vitet e mëparshme. Gjithnjë nga informacionet që arrijmë të marrim në klubin kuqeblu, mbërritja e këtyre futbollistëve në Shkodër mendohet të jetë në ditët e riorganizimit të Vllaznisë. Me këtë nënkuptohet që një periudhë e tillë do të jetë aty rreth një jave pas përfundimit të ndeshjes së dytë të turit të dytë të Ligës Europiane, e cila do të luhet nesër në orën 20:15, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
sport ekspres