Ditët e qëndrimit në tokën austriake për drejtuesit e delegacionit sportiv shkodran nuk kanë shërbyer vetëm për ndeshjen e parë të turit të dytë të Ligës Europiane, atë Rapid-Vllaznia, por diapazoni i tyre ka qenë edhe më i gjërë. Falë përvojës së fituar në edicionet e mëparshme, kur gjatë ballafaqimit me turqit e Haxhitepes dhe italianët e Napolit, drejtuesit e Vllaznisë i shfrytëzuan edhe për vendosjen e piketave të bashkëpunimit mes tyre, madje me kampin turk shkuan deri edhe në binjakëzim, edhe në këtë edicion është aplikuar një gjë e tillë. Pasi kanë lënë pas kundërshtarin e turit të parë, irlandezët e Sligo Rovers duke e konsideruar të vështirë mundësinë e bashkëpunimit, e gjithë vëmendja është përqëndruar tek klubi mjaft i njohur austriak i Rapidit të Vienës. Kështu, falë kontakteve mes dy stafeve, dy klubet e traditës në vendet e tyre, Vllaznia në Shqipëri dhe Rapid në Vienë të Austrisë pritet të kenë një bashkëpunim të mirëfilltë mes tyre, bashkëpunim i cili do t’i shërbejë kryesisht zhvillimit të futbollit në qytetin verior të Shkodrës. Hapat e këtij bashkëpunimi janë hedhur gjatë dy takimeve që janë zhvilluar në paraditen e datës 16 Korrik, ditës së ndeshjes Rapid–Vllaznia në kryeqytetin austrik të Vienës kur drejtues të bashkisë së Shkodrës dhe të klubit Vllaznia kanë patur mundësinë të zhvillojnë dy takime me presidentin e Rapidit të Vienës, Rodolf Edlinger. Fillimisht, presidenti i klubit të futbollit të Rapidit të Vienës Rudolf Edlinger ka preferuar të takojë kryetarin e bashkisë së Shkodrës Lorenc Luka, i cili së bashku me nënkryetarin e kësaj bashkie Ahmet Omi, kryetarin e Partisë Demokratike të Shkodrës, njëherazi edhe deputet në Parlamentin shqiptar Astrit Bushati, si dhe ish-ambasadorin shqiptar në Austri Albert Aliçka, kanë patur rastin të bashkëbisedojnë së bashku për mbi një orë me kreun e klubit austriak duke vënë piketat e një bashkëpunimi të mundshëm në mes dy qyteteve në fushën e futbollit. Më pas, presidenti i Rapidit Rudolf Edlinger, ka shtruar një drekë zyrtare për nder të stafit drejtues të klubit të futbollit Vllaznia, gjatë së cilës, presidenti i klubit të futbollit Vllaznia dhe presidenti i Rapidit Edlinger kanë thelluar edhe më tepër pistat e bashkëpunimit duke u ndalur në elementë konkretë ku pretendohet të fillojë ky bashkëpunim. Gjatë këtij takimi, presidenti i Rapidit të Vienës Rudolf Edlinger, në shenjë repekti ndaj klubit të futbollit Vllaznia, i ka dhuruar homologut të tij Valter Fushaj një Kupë, e cila konsiderohet si simbol i klubit të Rapidit. Edhe pse akoma ato nuk janë zyrtarizuar, nga biseda e zhvilluar hapat e para pritet të hidhen në mbështetjen që pritet të japë klubit austriak në trajnimin e trajnerëve dhe specialistëve të futbollit të klubit Vllaznia duke i krijuar kushte atyre për të qënë pjesëmarrës në disa seminare kualifikuese në Vienë. Sipas presidentit vienez të Rapidit Rudolf Edlinger, klubi i tyre i kushton një rëndësi të veçantë elementit të ri dhe punës që bëhet me to që në moshë të vogël, kryesisht e bazuar kjo në shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme, me të cilat klubi mban një lidhje shumë të fortë për të inkurajuar nxjerrjen e elementit me perspektivë. Ndaj, ai ka rekomanduar që pikërisht ato trajnerë dhe specialistë që merren me këtë kategori fëmijësh të jenë në fokusin e këtyre trajnimeve që do t’u ofrohen për të qenë pjesëmarrës në Vienë. Duke u ndalur sërishmi në këtë temë, presidenti austriak i Rapidit të Vienës Rudolf Edlinger, ka propozuar që ekipet e Akademisë së Vllaznisë të jenë pjesëmarrës të përhershëm në Turneun Ndërkombëtar shumë të rëndësishëm që organizon tradicionalisht klubi i Rapidit çdo vit me pjesëmarrjen e klubeve nga e gjithë Europa, për të cilën ka lënë për detyrë që klubi Vllaznia të përgatisë menjëherë dokumentacionin përkatës për një gjë të tillë. Ndërkohë, për bisedime të mëtejshme dy palëshe është lënë që të zhvillohen edhe me takime të tjera, ndër të cilat është edhe ai i ditës së ndeshjes së kthimit në Shkodër, ku drejtuesit e të dy klubve do të kenë rastin të jenë sërishmi së bashku në një drekë zyrtare, këtë radhë në qytetin verior të Shkodrës.

sport ekspres