Trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika, ka bërë komentin e tij pas ndeshjes, duke thënë se humbja e thellë nuk korrespondon me vlerat e skuadrës dhe kapacitetin e saj. Trajneri ka gjetur edhe shkaqet e humbjes, që sipas tij, janë objektivë. Lika është shprehur se skuadra e nisi mirë takimin, duke u mbrojtur me kujdes, por hasi në vështirësi sidomos pas pësimit të golit të dytë, që ishte një gabim i portierit Bishani. “Deri para se të pësonim golin e dytë, po luanim mirë dhe po e kontrollonim ndeshjen, por një gafë e portierit bëri që pas shënimit të këtij goli ne të balancoheshim në fushën e lojës dhe të dilnim krejtësisht nga detyrat taktike. Humbja nuk duhej të kishte qenë në shifra të tilla, mund të kishim evituar një rezultat të tillë. Megjithatë, një gabim i portierit kur u shënua goli i dytë solli çorientimin e skuadrës dhe daljen krejtësisht nga detyrat taktike. Ndodhi pikërisht pas këtij momenti. Gjithsesi, nuk është shkaku i vetëm, pasi kundërshtari që kishim përballë ishte në kuptimin e plotë të fjalës më lart se ne”, tha Lika, që cilësoi dhe këtë herë disa mungesa të rëndësishme që prishën shumë punë në këtë sfidë. Përveç Sinanit dhe Grimës të skualifikuar për shkak kartonësh e ndëshkimesh, dje për Vllazninë mungoi dhe mesfushori Ndriçim Shtubina, të cilin Lika e cilësoi një nga mungesat më të rëndësishme për skuadrën. Nga ana tjetër, tekniku kuqeblu nuk mund të mos përmendte dhe eksperiencën e skuadrës austriake, që sipas tij bëri diferencë të dukshme edhe në këtë drejtim. “Skuadra ime pati sot shumë mungesa dhe kjo dukej jo vetëm në sulm me Sinanin, apo në portë me Grimën, por në këtë sfidë na mungoi edhe Shtubina, një lojtar i rëndësishëm në skuadër. Nga ana tjetër, nuk mund të mos e përmend faktin se në ndeshje të këtij niveli luan rol eksperienca e klubeve dhe padyshim që Rapidi bëri diferencë edhe në këtë pikë. Me një rezultat të tillë është vështirë të pretendosh. Ajo që na mbetet është të bëjmë një futboll të bukur në “Loro Boriçi” e të marrim qoftë edhe një fitore ngushëlluese, për të gëzuar tifozerinë. Edhe një herë mendoj se Vllaznia nuk e meritonte një humbje në këto përmasa”, tha Lika.
panorama