Bala, lojtari i U-17 kërkon të shënojë në “Ernst Happel” përpara 50 mijë tifozëve
Eshtë vetëm 18 vjeç. Prodhim i Vllaznisë së Shkodrës, Bekim Bala është rritur në ekipet zinxhir të klubit shkodran, ku në dy vitet e fundit ishte pjesë e Akademisë Vllaznia, duke u shpallur edhe kampion i Shqipërisë një sezon më parë me skuadrën U-17. Talenti i tij i ka shërbyer më së miri skuadrave tona përfaqësuese, duke filluar nga U-17, U-19 dhe së fundi ishste pjesë edhe e përfaqësues së Lojrave Mesdhetare. Por, megjithë insistimin e teknikut Artan Bushati për ta mbajtur në skuadrën e tij mesdhetare ishin drejtuesit e klubit Vllaznia që nuk e lejuan një gjë të tillë, pasi shtatlarti Bala ishte programuar nga tekniku Hasan Lika për ndeshjet e Ligës Europiane. Pak minuta në fundin e përballjes me irlandezët e Sligo Rovers në transfertë, ndërkohë që në ndeshjen e kthimit e fillon lojën si titullar. Dhe sipas specialistëve të futbollit, brenda dhe jashtë klubit kuqeblu, bjondi shkodran ka bërë më të mirën e tij në këtë ndeshje. Por tashmë emocionet, apo edhe vlerësimet e këtij takimi janë lënë pas, sepse shumë shpejt ka mbërritur takimi i radhës, i cili fal kundërshtarin që është përballë, merr vlera edhe shumë më të mëdha në të gjitha aspektet e saj. Të luash në “Ernst Happel”, me një kapacitet prtej 50 mijë vendesh është ëndërr për të gjithë dhe një gjë të tillë do ta provojë edhe 18 vjeçari shkodran Bekim Bala. Është rasti më i mirë që Bala të shprehë talentin e tij, duke i shërbyer në mënyrën më të mirë skuadrës së tij Vllaznia. Është rasti më i mirë për të shpërthyer përpara asaj morie të madhe specialistësh dhe menaxherësh që do ta ndjekin ndeshjen në stadium, apo edhe përmes ekranit të televizorit. Është rasti më i mirë që Bala t’i tregojë të gjithëve, që Austria, e cila ka në kampionatin e saj një talent si bashkëqytetari i tij Hamdi Salihi, të shohë në fushën e lojës një kopjo të sulmuesit të famshëm, i cili pse jo, në mbyllje të takimit mund të gjejë në hollin e hotelit menaxherë të shumtë, që do të kërkojnë të komunikojnë me të, duke i ofruar ofertat e para. Gjithsesi, të gjitha këto janë vetëm hamendësime, sepse ajo që ka rëndësi është se çfarë do të prodhojnë 90-minutat e takimit të parë që do të luhen në orën 19.15 në kryeqytetin austriak, mes Rapidit të Vjenës dhe Vllaznisë së Shkodrës. Ajo që ka rëndësi është fakti, se protogonisti i këtij shkrimi, shtatlarti Bekim Bala po kalon një gjendje shumë të mirë, qoftë nga ana fizike, por edhe ajo që ka më shumë rëndësi në të tilla ballafaqime të rëndësishme ndërkombëtare, ka një moral të lartë, duke qënë psikologjikisht në masën më të mirë. Falë edhe vetë karakteristikave që atë e shoqërojnë, ai nuk shquhet si tip emocional dhe kjo nga drejtuesit e skuadrës është vlerësuar jo pak, pasi i jep mundësi atij të bëjë më të mirën në fushën e lojës. Madje ne mund të shprehemi kështu me disa veprime që shfaqi në takimin e javës së kaluar me Sligo Rovers të Irlandës, ai jo vetëm që nuk pati probleme emocionale, duke qënë se debutonte për të parën herë si titullar në një ndeshje ndërkombëtare në formacionin kuqeblu, por pati ndonjë kritikë edhe për lojë individuale, çka tregon se kërkon të marrë shumë gjëra përsipër individualisht. Një gjë të tillë e ka pranuar edhe vetë Bala gjatë një bisede të zhvilluar dje mbasdreke, menjëherë pas përfundimit të seancës së fundit stervitore përpara nisjes për në Austri, të zhvilluar në fushën sportive të Shtojit. “Gjatë të gjithë këtyre ditëve që kemi pasur në dispozicion për pragndeshjen Rapid-Vllaznia, tekniku Lika na ka vënë në dukje defektet e shfaqura në ndeshjen me irlandezët dhe përgjithësisht jemi përpjekur që të korigjohemi”, thotë Bala. Ndërsa, duke folur për vete thotë se krahas analizës që i ka bërë takimit me Sligon tekniku Lika, ai ka gjetur një mundësi të sigurojë një DVD të kësaj ndeshje dhe duke e parë disa herë me shumë kujdes, kjo e ka ndihmuar atë jashtë mase që në takimin e ardhshëm në Vjenë përballë Rapidit, të jenë OK në të gjitha drejtimet. Sipas asaj që po ndërtojnë shkodranët, Bala pritet të jetë në majë të sulmit kuqeblu për këtë ndeshje, dhe kjo do të jetë një përgjithësi jo e vogël për këtë futbollist, nga i cili skuadra pret edhe golin e shumëpritur, që nëse shënohet në një fushë kundërshtare, merr vlera të dyfishta. “Do të jetë një ndeshje e fortë për skuadrën tonë, aq më tepër që do të luajmë përpara një publiku që njihet për mbështetjen e madhe që i jep skuadrës së tij gjatë të gjithë ndeshjes, por ne shpresojmë se do t’ia dalim mbanë duke marrë një rezultat pozitiv në këtë 90 minutësh të parë dhe të synojmë kualifikimin pas një jave në fushën tonë”, thotë Bala. i pyetur nëse shpreson se do të shënojë në këtë përballje vjeneze, Bala thotë se e rëndësishme është që si ekip të marrim një reziltat sa më të pranueshëm në transfertë dhe më pas të kemi shanse për ndeshjen e dytë, por ndërkohë nuk e mohon faktin se e ëndërron një gol në Vjenë, çka për të do të ishte në kohën dhe vendin e duhur.
sport ekspres