Kuqeblutë shënojnë të parët dhe mbrojnë rezultatin, pavarësisht se pësojnë në fund një gol

Vllaznia ‑ Sligo Rovers 1‑1

Shënues: Shtubina 42′, Keane 84′

Vllaznia: Bishani, Smajli, Beqiri (Bashiç 61′), Mrvaljeviç, Hallaçi, Kasapi (Sykaj 90+2′), Belisha, Nallbani, Shtubina, Bala (A.Nika 64′), Sinani. Trajner: H.Lika.

Sligo Rovers: Brush, Keane, Holmes, Ventre, Ogrady, Feeney, Cash (Ch.Kelly 57′), Ryan, Boco, Cretaro, Doherty (Norrison 66′). Trajner: P.Cook.

Gjyqtarë: M.Borg, I.Spiteri, M.Debono (Maltë)

Kartonë të verdhë: Bala, Kasapi, Sinani, Keane, Cretaro

Karton i kuq; Sinani, Ogrady

“Radiografia”

2′- Goditje dënimi për Vllazninë, topi shkon në zonë te Mrvaljeviç, që me kokë e dërgon topin paksa mbi traversë.

14′- Kasapi futet në zonë nga e djathta, pason për Sinanin në qendër, që gjuan fort, por topi përfundon jashtë.

15′- Inkursion vetjak i Shtubinës, që pason te Sinani, i cili gjuan tokazi, por pret portieri Brush.

16′- Kros nga e djathta në zonën shkodrane dhe Boco godet me kokë, topi kalon ngjitur me shtyllën e djathtë pingule.

29′- Një vendosje e gabuar e shkodranëve, Doherty për pak sa nuk e dërgon topin në rrjetë.

35′- Kros i Holmes nga e majta për Doherty, që godet me kokë dhe topi përfundon ngjitur me shtyllën e djathtë.

42′- Shtubina ndërmerr një inkursion vetjak nga 45 metra, i afrohet zonës, gjuan dhe topi tokazi përfundon në trekëndëshin e djathtë të poshtën të portës së Sligos. 1‑0 për Vllazninë.

45′- Goditje dënimi nga 50 metra për miqtë, topi shkon në zonë dhe i drejtohet portës, por grushtimi i Bishanit bën që ai të mos përfundojë në rrjetë.

45+1′- Bala i “vidhet” mbrojtjes mike, del i vetëm përballë portierit, gjuan dhe topi pengohet nga gjoksi i Brush.

55′- Sinani nga jashtë zone godet fort, topi zotërohet në dy kohë nga portieri Brush.

62′- Kros i rrezikshëm nga e majta e sulmit irlandez drejpërdrejt në portë, por Bishani është i kujdesshëm dhe e grushton atë mbi traversë.

80′- Ogrady me një gjysëmkthesë synon portën, por pret në pozicion Bishani.

84′- Kros nga e djathta në zonë dhe Keane i ardhur nga mbrojtja është i lirë, gjuan me kokë dhe gol. Sligo barazon në 1‑1.

Komenti

Ishte menduar shumë më i lehtë kalimi për në turin e dytë të Vllaznisë në Ligën e Europës, por në fakt shkodranët kanë vuajtur jo pak, sidomos në fundin e ndeshjes. Paniku ka qenë i pranishëm pas golit të barazimit të irlandezëve, që me një gol të dytë kalonin në shtesë takimin. Por në fund mbrojtja shkodrane është treguar në lartësinë e duhur, duke mos lejuar të hyjë më topi në rrjetë dhe duke kaluar kështu ekipin për në turin e dytë në ndeshjet europiane, për të tretin vit radhazi. Atmosfera ishte krijuar e tillë drejtuesit e Vllaznisë, duke ftuar tifozët të mbushnin stadiumin, për t’ua bërë sa më të lehtë ndeshjen futbollistëve kuqeblu. Por në fakt shkodranët kanë vujatur jo pak në 20 minutat e para të ndeshjes, a thua që akoma po studionin kundërshtarin si në Sligo të Irlandës. Por me ndihmën edhe të tifozëve Vllaznia është futur në lojë dhe fillon të bëjë më të mirën, krijohen raste dhe Sinani & Co janë të pafat në 2-3 raste. Por irlandezët kundërzbresin herëpashere, madje rrezikshëm në disa raste. Për të ardhur te goli i Vllaznisë, ku për këtë do të mendojë talenti Shtubina, që me një gjuajtje nga jashtë zonës do të gjente cepin e portës së Sligos. I gjithë “Loro Boriçi” në delir dhe u duk sikur Vllaznia tashmë ishte në turin e dytë. Por pjesa e dytë ka një tjetër tablo, pavarësisht se shkodranët e nisin mirë në përgjithësi. Irlandezët nuk kanë se çfarë të humbin më dhe hidhen të gjithë në sulm, por edhe kuqeblutë kundërsulmojnë në mënyrë sporadike. Për të ardhur te momenti i daljes me karton të kuq të kapitenit Sinani, një humbje e madhe jo vetëm për ndeshjen me Rapidin, por që në fakt ndikoi edhe në ndeshjen me Sligon. Jo vetëm për nga epërsia numerike, por hapësirat që lanë pas irlandezët në minutat e fundit, mund të shfrytëzoheshin mjaft mirë nga Sinani. Pas 5 minutash të këtij episodi, miqtë kanë barazuar, madje kërkojnë me ngulm edhe golin e dytë. Ndërsa shkodranët, edhe pse kanë shumë hapësira kur marrin topin, nuk arrijnë të finalizojnë. Pastaj në fund një gjest i shëmtuar i O’Grady, i cili godet nga pas në mënyrë të qëllimshme Shtubinën. Balancat në fushë vihen tashmë, me nga 10 lojtarë secili ekip, por nuk ka kohë më. Përfundon në barazim 1-1, me Vllaznisë e kualifikuar për në turin tjetër, ku do të gjejë Rapidin e Vjenës, një kundërshtar i fortë, por që shkodranët do të tentojnë.

Deklarojnë:

Hasan Lika, trajner i Vllaznisë: “Kishim avantazhin e ndeshjes së aprë dhe për rrjedhojë e kishim më të lehtë për të administruar lojën, megjithëse kundërshtari na vuri jo pak në vështirësi. Nëse do të kishim qenë më të qetë, në disa raste mund ta kishim mbyllur ndeshjen edhe më shpejt. Po ashtu mungesa e përvojës së Balës apo dhe Nikës dhe daljet e tyre para portës kundërshtare nuk u shrytëzuan pikërisht nga kjo gjë. Ndërkohë dëmtimi i Beqirit dhe dalja me të kuqe e Sinanit na dëmtuam, por për fatin tonë të mirë skuadra tregoi karakter deri në fund dhe e merituam kualifikimin. Sa i takon Rapidit, është tjetër melodi dhe duhet të bëjmë më të mirën e mundshme.”

Paul Cook, trajner i Sligos: “Bëmë më të mirën e mundshme. Luajtëm nën presionin e rezultatit të ndeshjes së parë dhe golin e barazimit e shënuam në minutat e fundit. Mund të kishim shënuar edhe ndonjë gol tjetër, por na mungoi shansi. Lojtarët e mi në shumë momente ishin të tensionuar dhe kjo u reflektua në lojë. I uroj suksese Vllaznisë ndaj Rapidit dhe njëkohësisht jam shumë i kënaqur nga mikpritja juaj.”

Fushaj: Më të mirën edhe ndaj Rapidit

Shumë entuziast presidenti Fushaj pas ndeshjes. Ai ka qenë i lumtur nga kualifikimit dhe në fakt ka deklaruar se e priste: “E kam thënë edhe më parë që kualifikimi ishte më pranë nesh. Luajtëm me shpirt, bëmë më të mirën dhe kuptohet që dëshira ishte të kualifikoheshim me fitore, por rëndësi mbi të gjitha ka kualifikimi për në turin e dytë. E merituam këtë gjë dhe tashmë nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të mendojmë për Rapidin. Ju them se do të kemi përforcime, si në formë huazimi, ashtu edhe ndonjë blerje të re, sepse Vllaznia do të ketë pretendimet e saj edhe ndaj skuadrës austriake.”

Sporti Shqiptar