Presidenti i ekipit shkodran, Valter Fushaj, ndihet krenar për fitoren në Irlandë

Ka tre vjet që drejton Vllazninë dhe për të tretin vit radhazi ajo pritet të kalojë një tur në Kupat e Europës. E kanë bërë këtë gjë pak ose aspak skuadrat e tjera shqiptare. Valter Fushaj, presidenti i klubit shkodran, për këtë ndihet krenar. I vjen mirë që skuadra e tij po paraqitet me shumë sukses në kompeticionet europiane dhe ndërkohë i bën një analizë të hollësishme sfidës së fundit, asaj të fituar në Irlandë me Sligon vendëse. Përkundër mendimeve të ndryshme që kanë qarkulluar në lidhje me këtë kundërshtar, Fushaj e vlerëson maksimalisht atë.

Një fitore shumë e rëndësishme kjo e arritur në Irlandë apo jo?

Sigurisht që është shumë e rëndësishme. Aq më tepër kur skuadrat shqiptare i kanë shumë të rralla të tilla fitore, për më tepër jashtë vendit. Përpos kësaj, kjo fitore na ka afruar shumë afër edhe kualifikimit për në turin e dytë dhe për këtë arsye merr vlera më të mëdha.

Që para nisjes në fakt keni qenë optimist se do të arrinit një rezultat pozitiv. Ku e bazonit këtë gjë?

Unë e njoh mirë skuadrën dhe, pavarësisht faktit se shumëkush nuk kishte besim, për mua ishte ndryshe. Nisesha edhe nga paraqitja e Vllaznisë në këto tri vitet e fundit në Kupat e Europës, që kur unë jam president i saj. Dy herët e tjera kishim kaluar një tur dhe këtë gjë besoja se do ta arrinim sërish.

Shumëkush fitoren e Vllaznisë e etiketon edhe si dobësi të kundërshtarit…?

Në opinion ishte krijuar ideja se kishim të bënim me një ekip të dobët, që ishte në krizë financiare etj. Në fakt, nuk ishte ashtu. Sligo Rovers vërtet nuk kishte një president të fuqishëm, por nga ana tjetër kishte plot 300 investitorë, që ishin pronarë hotelesh e dyqanesh të ndryshëm në qytet. Secili paguante kuotën e duhur financiare dhe mbahej skuadra. Përveç kësaj, kundërshtari kishte një ekip shumë të mirë dhe ai që nuk e beson këtë, ka për ta konstatuar në ndeshjen e kthimit në Shkodër.

Atëherë pse fitoi Vllaznia, ishte më lart se skuadra irlandeze?

Vllaznia fitoi se pati edhe fat. Sidomos në pjesën e parë kemi kaluar disa raste shumë të vështira dhe vetëm fati na ndihmoi të mos pësonim gol. Në të dytën, ndryshuam disa gjëra dhe falë edhe golit të Smajlit, që ishte një eurogol, kaluam në avantazh, çka bëri që ta kontrollonim lojën. Shënuam edhe një gol të dytë, por më pas gjyqtari me çdo kusht donte t’i ndihmonte vendësit dhe dha një 11 metërsh të paqenë, por që nuk përfundoi në rrjetë. Ndërsa tek 11 metërshi i dytë sigurisht që fajin kryesor e pati Grima, i cili kreu një veprim që nuk duhej.

Drejtuesit e Sligos, pas ndeshjes, janë shprehur të habitur me humbjen…?

Sigurisht që nuk e kishin menduar humbjen. Madje, përkundrazi, e konsideronin punë të kryer fitimin e ndeshjes. Arritëm ta studiojmë lojën e tyre mirë në bazë të videokasetave që siguruam dhe trajneri Lika mori masat për t’i goditur. Shumë pak veta kanë menduar se ne do të fitonim, por për ne nuk ishte surprizë.

Mund ta quajmë që tani të kualifikuar Vllazninë?

Jo, kurrsesi nuk duhet të mendojmë kështu. Futbollistët dhe stafi jonë e di mirë se me çfarë kundërshtari do ndeshet. Sligo ishte një ekip që luante një futboll të fortë, nganjëherë edhe të ashpër dhe të shpejtë. Duke qenë kështu, nuk duhet t’i nënvlerësojmë aspak.

Nuk keni filluar të mendoni për Rapidin?

Aspak. Për ne ndeshja me Sligon ka rëndësi më shumë se çdo gjë tjetër në këto momente. Duhet ta kalojmë atë një herë, pastaj do të kemi kohë të mjaftueshme për të menduar për ndeshjen me Rapidin, pse jo për të menduar edhe për kalimin e tij.

sporti shqiptar

Komentet