Një fitore e rëndësishme, por kemi edhe ndeshjen e kthimit

Trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika, flet për fitoren e skuadrës që drejton ndaj Sligos në Irlandë. E konsideron një hap të rëndësishëm për kalimin në turin e dytë, por nuk mund të thotë se gjërat kanë përfunduar. “Vetëm disa orë përpara ndeshjes morëm informacion për këtë ekip. Në pjesën e parë na vuri në vështirësi, por në të dytën rikuperuam dhe arritëm të shënojmë dy herë”, shprehet kryepankina kuqeblu. Lika flet edhe për lojtarët e blerë që u aktivizuan dhe për mungesën e Grimës në ndeshjen e kthimit. Përsa i përket Vatës, tekniku i shkodranëve shprehet se ende nuk është vendosur nëse do të luajë apo jo, pasi nuk ka mbyllur përfundimisht gjërat me skuadrën e vet në Gjermani.

-Një fitore e rëndësishme në Irlandë ndaj Sligos. Si e shihni këtë rezultat?

-Normalisht, jam i kënaqur që arritëm një fitore të rëndësishme në ndeshjen e parë. Asgjë nuk ka përfunduar pasi është për tu luajtur edhe ndeshja e kthimit, por kemi hedhur një hap të rëndësishëm përpara. E nisëm mirë turin e parë në Ligën e Europës dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu edhe në takimin e kthimit që po vjen shumë shpejt.

-Duket se u vutë në vështirësi në një moment. Çfarë ndodhi?

-Ne kishim shumë pak informacion, për të mos thënë aspak për këtë skuadër. Vetëm disa orë përpara ndeshjes morëm disa informacione të vogla për këtë ekip. Në pjesën e parë na vunë në vështirësi duke na rrezikuar jo pak. Por, në fraksionin e dytë ne arritëm të rikuperojmë duke shënuar dy herë. Në fund e pësuam pas një goli që ata shënuan me 11-metërsh. Megjithatë, e ruajtëm avantazhin deri në fund duke arritur një fitore të rëndësishme.

-Keni aktivizuar tre lojtarë të rinj që kanë ardhur te Vllaznia gjatë kësaj merkatoje. Si e shihni paraqitjen e tyre?

-Janë të tre futbollistë me eksperiencë. Si Hallaçi, Kasapi apo Mrvlajeviç, megjithëse kanë një kohë të pakët që janë bashkuar me ne, zhvilluan një ndeshje të mirë duke treguar vlera të vërteta. Janë lojtarë që me kalimin e kohës do të arrijnë të abjentohen më shumë me skuadrën e Vllaznisë.

-A mund të konsiderohet Vllaznia e kualifikuar në turin e dytë pas kësaj fitoreje që arriti në Irlandë?

-Aspak. Është shpejt për ta thënë një gjë të tillë. Sigurisht, fitorja në Irlandë është shumë e rëndësishme, por nuk mund ta konsiderojmë veten të kualifikuar. Duhet përqëndrim maksimal për sfidën e javës së ardhshme.

-A ju shqetëson mungesa e Grimës në ndeshjen e kthimit?

-Sigurisht, është një portier me shumë eksperiencë. Megjithatë, kam besim te gardiani i ri Bishani, i cili është një portier në zhvillim dhe që ka cilësi shumë të mira.

-Pritet që në Shkodër të aktivizohet edhe Fatmir Vata. Çmund të thoni për këtë?

-Vata e ka shprehur dëshirën e tij për të luajtur me Vllazninë në Ligën e Europës, por ende nuk është vendosur përfundimisht. Ka disa gjëra për të mbyllur me skuadrën e tij në Gjermani dhe akoma nuk është vendosur.