Vllaznia bën mrekullinë që në ndeshjen e parë ndaj Sligo Rovers, duke fituar me rezultatin 2-1. Ndoshta edhe tifozët më të thekur shkodranë, zor se mund ta parashikonin këtë triumf jashtë fushe të kuqebluve, në një ndeshje që i pati të gjitha. Gjithsesi, e rëndësishme është që Vllaznia arriti të hipotekojë kualifikimin që në Irlandë, falë një loje racionale, e cila i çoi në fund te suksesi mëse i merituar. Të besuarit e trajnerit Hasan Lika bënë gjithçka nëpërmjet kundërsulmeve, duke befasuar Sligon në stadiumin “Shougrounds”. Me një grup disi të cunguar përsa u përket alternativave në stol, trajneri i kuqebluve hedh në fushë një skuadër me forca të shumta në mbrojtje. Në sulm, i vetëm e nis Sinani, i cili lëvizi shumë gjatë lojës, për të tërhequr skuadrën. Me Bashiçin në stol për t’i lënë vendin Hallaçit, Vllaznia blindoi krahët, në një kohë që nga e djathta, lezhjani Smajli ishte i pakalueshëm.

Fillimi - Loja nis me një epërsi të lehtë të irlandezëve, ndërsa kuqeblutë janë në pozicion pritjeje, me synimin për të studiuar kundërshtarin. Në harkun kohor të 10 minutave, vendësit rrezikojnë dy herë me anë të Morrisonit, teksa porta e Grimës shpëton nga raste të pastra. Vllaznia mbrohet mirë dhe me kalimin e minutave hedh sytë nga sulmi, ndërkohë që gjyqtari belg, Virant, tregohet i ashpër me shkodranët. Në 25 minutat e para ai nxjerr dy herë nga xhepi kartonin e verdhë, respektivisht për Beqirin dhe Sinanin. Kuqeblutë e marrin veten pas vrullit të Sligos dhe bëhen të frikshëm me daljet në sulm, ku kapiteni Sinani kërkon të përfitojë. Nga ana tjetër, rrezik për irlandezët bëhet edhe kosovari Fetim Kasapi, i cili e nisi si titullar. Me një lojë të kujdesshme, nënkampionët e Shqipërisë bëhen zotë të fushës. Pas disa rasteve të Sligos, me protagonist kapitenin O’Grady, sulmuesin Morrison dhe mbrojtësin Kin, kuqeblutë kanë një mundësi të mirë me Belishën, por ky i fundit nuk e shfrytëzon. 45 minutat e para mbyllen me një tentativë të Smajlit.

Kthesa - Duke njohur më mirë kundërshtarin, në pjesën e dytë Vllaznia shikon më shumë drejt sulmit. Trajneri Lika nuk bën ndryshime dhe lojtarët që e nisën nga minuta e parë, ia shpërblejnë. Daljet e shpejta nga krahët të shkodranëve krijojnë panik te Sligo, që kapet gjithnjë në befasi. Fillimisht është një tentativë e Kasapit dhe më pas Holmes për irlandezët, që vë në provë Grimën. Pas shumë minutave me shifrat e bardha, Vllaznia shënon në një moment të artë. Mbrojtësi Smajli finalizon bukur, pas goditjes së fuqishme me të djathtën, duke kaluar në avantazh shkodranët. Irlandezët shpërqendrohen dhe këtu përfiton Vllaznia. Në përpjekje për të hequr topin nga zona, Kin shkakton autogol, duke ua bërë më të lehtë fitoren kuqebluve. Më pas, Sligo merr zemër, teksa fiton një 11- metërsh, që humbet po nga Kin. Gjyqtari belg nuk mjaftohet me kaq, teksa akordon një tjetër në limitin e kohës së rregullt. Këtë herë shënon Kretaro dhe shkodranët vuajnë në pesë minutat shtesë. Para 11- metërshit dalja e gabuar e Grimës i lë kuqeblutë me 10 lojtarë, teksa del mesfushori Kasapi, për t’u futur në lojë portieri i dytë, Bishani. Pavarësisht përpjekjeve të Sligos, gjithçka mbyllet me fitoren e Vllaznisë, 2-1.

Sinani bëhet “mbrojtës”

Kapiteni i Vllaznisë, Vioresin Sinani, jo vetëm ka tërhequr kuqeblutë drejt sulmit, por në sfidën kundër Sligos është kthyer në një mbrojtës të vërtetë. 32-vjeçari rezulton si lojtari që ka shkaktuar më shumë faulle nga të gjithë, kjo për të dyja skuadrat. Gjyqtari belg ka akorduar pesë faulle kundër Sinanit, teksa në minutën e 25-të sulmuesi u ndëshkua edhe me karton të verdhë.

6 kartone të verdhë nxori në ndeshjen e djeshme gjyqtari belg, Kristof Virant. Katër prej tyre u përkasin lojtarëve shkodranë, Beqiri, Sinani, Smajli dhe Shtubina. Për Sligon u ndëshkuan O’Grady dhe Ryan.

MINUTAT

9’ Sulmuesi i Sligos, Morrison, ka një mundësi të mirë afër portës së mbrojtur nga Grima, por pa rezultat.                                                                                                                                 

11’ Është përsëri Morrison, që fiton një goditje të lirë, pas ndërhyrjes së Beqirit. Gjithsesi, gjuajtja drejt portës është e gabuar.                                                                                                     

18’ Reagon Vllaznia me Kasapin, i cili në një pozicion të mirë afër portës, nuk arrin të shfrytëzojë si duhet këtë moment.                                                                                                                

23’ Sinani lëviz mirë brenda zonës së Sligos, por përfiton vetëm një korne.                                  

25’ Faull i kapitenit Sinani dhe gjyqtari belg nxjerr kartonin e verdhë, i dyti për Vllazninë, teksa më parë ishte ndëshkuar Beqiri.                                                                                                     

27’ Beqiri shkakton faull dhe mbrojtësi Kin rrezikon seriozisht portën kuqeblu, pas ekzekutimit të topit nga goditja e lirë.                                                                                                                    

34’ Kretaro është pranë golit, por neutralizon Grima, duke nxjerrë topin në korne.                        

35’ Morrison kërkon të befasojë Vllazninë me harkimin nga goditja e këndit, por nuk ia arrin.            

38’ Kapiteni O’Grady tenton me një goditje nga jashtë zone, që përfundon mbi tra.                       

42’ Rast i mirë për Vllazninë. Belisha lirohet në zonë dhe me një të majtë të fuqishme, shkon shumë pranë golit të avantazhit.                                                                                                          

43’ Kundërpërgjigjet Boko për irlandezët, por edhe këtë herë porta e Vllazninë shpëton.               

45’ Mbrojtësi Smajli pas një daljeje të gjatë në zonë, për pak befason portierin Brush me gjuajtjen e tij.                                                                                                                                          

56’ Kosovari Kasapi ngulmon në zonën e Sligos dhe arrin të pasojë te Smajli, që del i lirë me portën, por anësori e quan aksionin të pavlefshëm, duke ngritur flamurin për pozicion jashtë loje.             

63’ Holmes tenton me një goditje diagonale, e cila pritet pa vështirësi nga Grima.                        

69’ Shkodranët në delir. Pas një kundërsulmi, mbrojtësi Smajli lirohet nga e djathta dhe arrin të godasë fuqishëm, duke shënuar një gol të bukur. 0-1 për Vllazninë.                                             

75’ Vllaznia dyfishon rezultatin. Këtë herë një ndihmë më shumë i jep mbrojtësi i Sligos, Kin, i cili shkakton autogol. Kuqeblutë udhëheqin 2-0.                                                                               

82’ Sligo ka mundësinë më të mirë për të shkurtuar diferencën, por mbrojtësi Kin që shkaktoi autogol është i pafat, teksa humbet një 11-metërsh, që pritet me mjeshtëri nga Grima.                            

86’ Grima ndërhyn në mënyrë të gabuar brenda zonës dhe gjyqtari belg akordon penallti dhe njëkohësisht ndëshkon me karton të kuq portierin. Në vend të tij futet Bishani, por Kretaro gjuan saktë dhe shkurton diferencën e golave në 1-2 për Vllazninë

Komentet