Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare kërkon të ndihmojë ekipin shkodran këtë verë

Skuadra shkodrane ka bërë dje një “blerje” shumë interesante për ndeshjet e saj të Ligës Europiane. Fatmir Vata, futbollisti i njohur i kombëtares shqiptare, që prej vitesh luan në futbollin gjerman, ka shprehur dëshirën e tij që të luajë për Vllazninë në ndeshjet e saj europiane.

Ka mjaftuar një kontakt me presidentin Fushaj dhe ky i fundit e ka mirëpritur një kërkesë të tillë, nisur edhe nga raportet mjaft të mira që ata kanë pasur me njëri‑tjetrin. Për rrjedhojë, për 38-vjeçarin gjatë ditës së djeshme është kryer procedura e federimit të tij dhe ai do të jetë i gatshëm të luajë për kuqeblutë. Por jo për ndeshjen e nesërme.

Këtë gjë e ka bërë të ditur vetë presidenti i Vllaznisë, i cili ka thënë se Vata do të jetë në dispozicion të trajnerit Lika për ndeshjen e kthimit. “Me Vatën kemi rënë dakord që ai të federohet me Vllazninë dhe të luajë me ne në ndeshjet e Ligës Europiane.

Ai ka shprehur vetë dëshirën për këtë gjë dhe ne e mirëpritëm. Vata nuk do të mundet të luajë në ndeshjen e Irlandës, por për ndeshjen e ardhshme në Shkodër mendojmë që ai do të japë kontributin e tij në kualifikimin e skuadrës sonë,” ‑ ka thënë Fushaj. Bëhet e ditur se Vata ka shprehur njëkohësisht dëshirën që të udhëtojë vetë drejt Irlandës për ta parë ndeshjen e parë mes këtyre dy skuadrave dhe për të krijuar një ide të qartë mbi nivelin e tyre.

Ardhja e këtij lojtari përbën një lajm të mirë edhe për trajnerin Lika. Dyshja Vata‑Sinani mund të rezultojë perfekte në sulmin kuqeblu në ndeshjen e 9 korrikut. Para se të vinte Vata, shkodranët kanë qenë duke pritur një sulmues brazilian, por ai për momentin ende nuk ka ardhur dhe, për këtë arsye, mungesa e tij krijoi jo pak probleme për stafin drejtues. Aq sa ai ka vendosur të aktivizojë nga minuta e parë në ndeshjen e Sligos, 18-vjeçarin Bekim Bala.

Duke shpresuar në një rezultat pozitiv në këtë takim të parë, shanset për kualifikim pastaj në ndeshjen e kthimit do të jenë edhe më të mëdha nisur edhe nga përforcimet që është duke bërë skuadra shkodrane. Mbi të gjitha, ai i Fatmir Vatës. Lojtari që për disa vite ka qenë pjesë e rëndësishme e kombëtares shqiptare, dallohet dhe njihet mirë për vlerat e tij, pavarësisht moshës aktuale që ka.

 

Vllaznia mund të përfitojë diçka nga vlerat e tij. Ato vlera që e bëjnë atë të jetë një lojtar i rëndësishëm edhe për ekipin e tij të Koblencit, me të cilin aktivizohet në Bundesliga 2. Ajo që duhet thënë është se edhe përpara disa viteve ka qenë fare pranë realizimit diçka e tillë që Vata të luante me shkodranët në ndeshjet europiane. Ka qenë periudha kur klubi drejtohej nga ish‑presidenti Myftar Çela.

Komentet