Për veteranin e portës shkodrane, Armir Grima, nuk duket se ka shumë vend për të pasur pesimizëm, para përballjes me Sligo Rovers. Në një prononcim për “Panorama Sport”, portieri kuqeblu ka pranuar se kundërshtari duhet vlerësuar në maksimum, sepse është tërësisht i panjohur. “Nuk do të shkojmë për turizëm në Irlandë, sepse kemi punuar shumë, kështu që kemi mundësi të luajmë një ndeshje të mirë në Sligo. Por ajo që na kushtëzon është mosnjohja e kundërshtarit. Megjithatë, ne do të shpresojmë për një rezultat pozitiv”, - ka thënë 35-vjeçari, i cili do të jetë pjesë e Vllaznisë edhe gjatë sezonit të ri. Në këtë takim të parë, kuqeblutë udhëtojnë drejt Irlandës me mendimin për të mos u ndëshkuar, në mënyrë që të shpresohet më tepër për kualifikimin në sfidën e kthimit. “Ne duhet të mos pësojmë në këtë përballje, por kjo nuk do të thotë se do të shkojmë vetëm për t’u ruajtur. Të bëjmë lojë, më pas le të dalë ku të dalë, sepse nuk i dihet. E rëndësishme është që ne të shfaqim në maksimum vlerat tona”, - ka theksuar Grima. Në fund, portieri foli edhe për paraqitjen zhgënjyese në testin ndaj Dinamos: “Nuk mendoj se ajo paraqitje që bëmë është gjendja jonë reale. Në atë miqësore më shumë kemi menduar të ruhemi dhe të luajmë një takim, ashtu siç dhe quhet.Sidoqoftë, nuk mund të them se jam i kënaqur me atë lojë që zhvilluam, por e theksoj edhe një herë, se kjo i përkiste vetëm një ndeshje miqësore. Me Sligon ndryshojnë gjërat”.