Trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika, nuk e njeh lojën e irlandezëve të Sligo Roversit

Lika: Mosnjohja e rivalit, frika më e madhe

Ndaj Dinamos, në miqësoren e zhvilluar, nuk ka mbetur shumë i kënaqur. Njëkohësisht ka dashur ta ketë skuadrën më të kompletuar para ndeshjes së nesërme me Sligo Roversin, por nuk ka qenë e thënë. Pengesat e ndryshme që kanë hasur drejtuesit e klubit në përforcimin e skuadrës me lojtarë cilësorë, kanë bërë që trajneri Hasan Lika të mos e marrë me shumë entuziazëm këtë ndeshje.

Ai dëshiron të qëndrojë me “këmbë në tokë”, sepse nuk e di me çfarë kundërshtari do të ndeshet. “Nuk e njohim dhe nuk kemi asnjë dijeni për mënyrën e lojës së kundërshtarit. E vetmja gjë që dimë është se është një skuadër britanike, që bën futboll të fortë dhe ne do të mundohemi t’i kundërpërgjigjemi në të njëjtën mënyrë. Ky në fakt është një disavantazh, sepse për disa minuta do të duhet të studiojmë lojën e kundërshtarit dhe njëkohësisht të mundohemi për ta goditur. Duhet të bëjmë shumë kujdes për të marrë rezultatin e duhur në këtë ndeshje, që do të na ndihmonte për kualifikimin në takimin e dytë,” ‑ ka thënë trajneri Lika.

Vllaznia pritet të luajë thuajse me të njëjtin formacion si në miqësoren së shtunës me Dinamon. I vetmi ndryshim do të jetë ai në mbrojtje, ku do të aktivizohet në qendër të këtij reparti kroati Bashiç, ndërkohë që malazezi pritet të kalojë në krahun e majtë, në vend të Mrvaljeviçit. Ky i fundit duket se e ka të fituar “balotazhin” me Hallaçin, që ende nuk duket në formën e tij më të mirë. Të tjerët do të jenë po ata, duke nisur nga portieri Grima, Osja, Beqiri, Smajli, Belisha, Nallbani, Shtubina, Bala dhe Sinani. Pikësynimi i Vllaznisë në këtë ndeshje do të jetë barazimi, pse jo edhe fitorja. E rëndësishme është moskthimi në Shkodër me humbje, çka do t’i pakësonte shanset për kalimin në turin tjetër. Skuadra shkodrane do të lërë sot qytetin e saj dhe të marrë rrugën drejt Irlandës.

Një rrugëtim që pritet të ketë jo pak lodhje dhe peripeci, sepse mendohet të zgjatë shumë. Ekipi do të niset nga Shkodra rreth orës 10:30 dhe pritet të mbërrijë në Sligo afër darkës. Do të ndodhë kështu, sepse përveç udhëtimit ajror, do të ketë një ndalesë në Budapest, ngaqë i tillë është itinerari nga Rinasi, do të ketë edhe një udhëtim prej 3‑4 orësh me autobus nga Dublini në Sligo, ngaqë distanca mes dy qyteteve është afro 400 km. Gjithë ky udhëtim që do të bëjnë do t’i detyrojë kuqeblutë të pushojnë ditën e nesërme, ndërkohë që pastaj do të zhvillohet një seancë pikërisht në orarin dhe fushën ku do luhet takimi, që do të nisë në orën 20.00 (19.00 me orën tonë).

Tifozë shkodranë, nga Anglia për në Sligo

Një grup jo i vogël tifozësh të Vllaznisë pritet të jenë në darkë, më 2 korrik, në shkallët e stadiumit të Sligos për të ndjekur këtë ndeshje të saj ndërkombëtare. Ata do të vijnë kryesisht nga Anglia, por edhe nga Irlanda, madje një kërkesë e tillë e madhe për të qenë prezent në stadium i ka vënë jo pak në dyshim edhe drejtuesit e klubit pritës të Sligos, sepse kapaciteti i stadiumit të tyre është vetëm 2700 vende të ulura. Natyrisht, shumë pak për një ndeshje ndërkombëtare, sepse edhe vendësit do të kenë interes për të ndjekur skuadrën e tyre. E rëndësishme është që as Vllaznisë nuk do t’i mungojë mbështetja nga tifozët e saj të zjarrtë.


Mbërrin braziliani i parë, është Karlos Salis

Ka mbërritur më në fund njëri nga dy brazilianët që do të vijnë për llogari të Vllaznisë. Paradreken e djeshme ka mbërritur mesfushori Karlos Salis. Ai është pritur në aeroportin e Rinasit nga përfaqësues të Vllaznisë dhe më pas ka marrë rrugën drejt Shkodrës. Pasi ka pushuar në drekë, pasdite ndërkohë ka dalë në stërvitje me ekipin, duke zhvilluar seancën e parë me të. Burime pranë klubit bëjnë të ditur se, megjithëse Salis ka filluar stërvitjen me ekipin, nuk do të udhëtojë për në Irlandë. Ndërkohë, bëhet e ditur se braziliani tjetër, Keandro Dos Santos, ka ardhur deri në Turqi dhe këto ditët pritet të mbërrijë edhe ai në Shkodër. Pasi të ketë ardhur edhe ai, por edhe pasi të jetë kthyer presidenti Fushaj nga Irlanda, më pas dy palët do të ulen për të firmosur kontratat. Brazilianët, siç është bërë e ditur, nuk vijnë për provë, sepse kështu është rënë dakord. Madje Vllaznia i ka paguar edhe një shumë të konsiderueshme të hollash klubit të tyre për marrjen e kartonit. Me këta futbollistë pritet që të firmosen kontrata më të gjata se njëvjeçare. Në Shkodër shpresojnë shumë që brazilianët të rezultojnë efikasë për skuadrën, sepse vetëm kështu ajo do të mund të plotësojë disa mangësi që konstatohen në skuadër.

Sipas trajnerit blu Shkëlqim Muça, Dinamo do të zhvillojë lojën e saj në Finlandë

Muça: Nuk ndryshojmë “fytyrë” përpara Lahtit

Ditën e djeshme, dinamovitët kanë kryer dhe stërvitjen e fundit në tokën shqiptare, duke kryer dy seanca stërvitore. Trajneri Shkëlqim Muça ka analizuar situatën në kampin blu përpara nisjes drejt Finlandës. Sipas teknikut dinamovit, skuadra e tij ka disa probleme të vogla, të cilat stafi blu po mundohet t’i minimizojë nga dita në ditë. Kundërshtari është i panjohur për Dinamon, por trajneri Muça e ka gati planin e tij për të përballuar një sfidë europiane ndaj Lahtit të Jari Litmanenit. Sa për ish-lojtarin e famshëm të Ajaksit, tekniku blu kërkon më tepër kujdes drejt tij, pasi sipas Muçës, e gjithë loja e Lahtit mund të bazohet tek Litmanen. Por trajneri blu deklaron se nuk do të ketë markim personal ndaj këtij futbollisti.

- Z. Muça, keni “skanuar” me kujdes gjendjen e skuadrës suaj në këtë periudhë edhe në takime miqësore. Si paraqitet gjendja e grupit përpara udhëtimit drejt Finlandës?

- Në këtë moment kemi një ide të qartë për gjendjen e skuadrës në përgjithësi dhe për lojtarët që kanë kondicionin e duhur për të përballuar sfidën. Me pak fjalë, kemi një panoramë më të qartë të grupit. Natyrisht, në drejtim të harmonizimit lojtarët e ardhur gjatë merkatos është disi e vështirë për t’i integruar. Por hap pas hapi do ta gjejmë gjuhën e duhur edhe me ata.

- Jeni shprehur disi i pakënaqur pas miqësores ndaj Vllaznisë lidhur me qarkullimin e topit dhe ritmet e lojës së skuadrës që drejtoni. Në këtë afat të shkurtër kohor a keni mundur t’i modifikoni sadopak problemet tuaja?

- Jam koshient dhe e kam deklaruar gjithmonë se kemi probleme përpara kësaj sfide. Kemi rregulluar pak gjëra në drejtim të kondicionit dhe skuadra është përgatitur. Por lojtarët që kanë ardhur nga skuadrat e tjera, kanë një gjendje jo të mirë fizike në krahasim me lojtarët që kanë përfunduar kampionatin në radhët tona. Gjendja e disa lojtarëve ka qenë në pikëpyetje, por ata e kanë përmirësuar disi formën e tyre. E thashë edhe më lart, që gjendja e skuadrës sonë nuk është e shkëlqyer.

- Duke parë Dinamon tepër sulmuese në kampionat, a do të ketë ndryshime në stilin e lojës për sfidën ndaj Lahtit?

- Ne kemi disa sulmues dhe shpresojmë t’i përdorim maksimalisht për ndeshjen e radhës. Luan Dinamo në sulm apo jo, s’ka të bëjë me faktin se sa sulmues do të jenë në fushën e blertë. Ka rëndësi që ekipi të ketë mentalitet për të përballuar ndeshjen si në aspektin mbrojtës edhe atë sulmues. Nëse ekipi do të luajë vetëm në njërin krah, sigurisht duhet do të ketë probleme në anën e kundërt. Ndaj dhe duhet të jemi të kujdesshëm në të gjitha repartet në këtë sfidë.

- E keni gati strategjinë tuaj për këtë sfidë?

- Natyrisht që kemi planin tonë për këtë sfidë. Ne do të bëjmë lojën tonë dhe nuk do të luajmë në mbrojtje, pasi kjo gjë s’ka kuptim. Ne nuk ndryshojmë “fytyrë” përpara Lahtit. Nuk mund të shkojmë atje të luajmë në mbrojtje dhe më pas në Tiranë të luajmë lojë ofensive. Siç kanë ata skemën e tyre 4-4-2, kemi edhe ne mënyrën e lojës sonë. Gjithsesi, anët e tjera mund t’i inponojë edhe kundërshtari gjatë lojës, një ndeshje futbolli asnjëherë nuk mund të parashikohet.

- Ndeshja e parë jashtë fushe në favor të Dinamos…?

- Nuk mund ta quaj avantazh, sepse ka të mirat dhe të këqijat e saj. Unë s’e njoh fare atë skuadër, pasi kam parë vetëm disa pamje të shkurtra filmike në 5-6 minuta s’mund të krijosh një ide fikse.

- Do të ketë markim personal për Jari Litmanen?

- Normalisht që markimi personal nuk është shumë efiçent në futbollin e sotëm, por duhet ta kemi në kujdes gjatë lojës si kolektiv. Duhet vëmendje ndaj atij lojtari, sepse në pjesën më të madhe të lojës mund të jetë “i padukshëm”, por në një moment të caktuar ai mund të bëjë diferencën, duke shënuar ose shërbyer për shokët e skuadrës. Ne duhet ta mbulojmë gjithmonë në mënyrën e organizimit. Loja e tyre do të mbështet tek Litmanen, ndaj dhe do të flas me djemtë përpara takimit që ta kemi kujdes.