Ka mjaftuar një ndeshje miqësore me Dinamon për zbuluar shumë defekte në lojën e kuqebluve Paraqitja e Vllaznisë në ndeshjen miqësore të së shtunës ndaj Dinamos ka lënë shumë për të dëshiruar. Loja e saj ka qenë zhgënjyese për tifozët që ishin të pranishëm në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”, aq sa këta të fundit më shumë janë kënaqur dhe duartrokitur lojën e disa të rinjve në pjesën e dytë sesa të titullarëve në pjesën e parë. Pikërisht të titullarëve që do luajnë edhe ditën e enjte në Sligo ndaj skuadrës vendëse. Një pjesë e tyre në fakt janë parë të lodhur në miqësoren ndaj bluve. Mbase nga stërvitja e fortë e ditëve të fundit. Në ndeshjen ndaj irlandezëve mund të jetë ndryshe. Por më shumë sesa kjo, trajnerin Lika e ka shqetësuar mënyra e organizimit të lojës nga ekipi i tij. Kjo ka lënë shumë për të dëshiruar dhe në jo pak raste është parë të ulërasë në drejtim të Belishës apo lojtarëve të tjerë të këtij reparti, për të marrë në dorë frenat e lojës. Vllaznisë i mungon befasia në lojë dhe vetëm Shtubina është ai që mundohet të krijojë diçka, por edhe ai i vetëm është shumë pak për një skuadër që pretendon të kalojë një tur në Europë. Nga ana tjetër, shkodranët vazhdojnë të paraqesin probleme edhe në mbrojtje. Goli i Bakajt në miqësoren e dy ditëve më parë është shënuar në të njëjtën mënyrë si shumë gola të tjerë gjatë sezonit të kaluar. Pikërisht në qendër të këtij reparti. Mbase në këtë ndeshje ka qenë një mbrojtje krejt ndryshe (vetëm Beqiri ishte nga sezoni i kaluar) me malazezin Mrvaljeviç në qendër dhe Hallaçin e Osjen në krahë, por shkodranët duhet të rregullojnë shumë gjëra në këtë repart. Bashiç nuk luajti në këtë ndeshje, sepse kishte disa probleme të vogla me muskujt rrëzë kofshës dhe për të mos rrezikuar ka qëndruar pushim. Problemi më i madh gjithsesi për shkodranët aktualisht është stoli i rezervave. Në të thuajse të gjithë janë futbollistë të rinj dhe pa përvojën e duhur, aq më tepër për ndeshjet ndërkombëtare. Trajneri Lika e di këtë, por mjaftohet duke thënë: “Ky është kontigjenti që kemi aktualisht në dispozicion. Nga skuadra ka pasur jo pak largime, ndërkohë që kanë ardhur edhe disa futbollistë të tjerë dhe për këtë arsye jemi në fazën e rikompozimit të skuadrës. Megjithatë, duhet të përgatitemi për ndeshjen me irlandezët me këtë kontigjent që kemi në dispozicion.” Por cilat janë shanset që Vllaznia të kualifikohet për në turin tjetër, me gjithë këto probleme që ka? Përgjigjen e jep Hasan Lika, kur deklaron: “Nuk mund të jap përqindje për shanset e kualifikimit, por shanse kemi. Megjithatë, objektivi kryesor yni për momentin është ta njohim një herë kundërshtarin dhe më pas prej kësaj, të mundohemi t’i kundërvihemi. I mbetet fushës së lojës për të treguar se çfarë rezultati do të marrim pastaj.” Kuqeblutë, stërvitje edhe ditën e djeshme Ndonëse e diel, futbollistët e Vllaznisë dje kanë pasur stërvitje. Janë grumbulluar në 17:30 te fusha e stërvitjes dhe kanë zhvilluar seancën e radhës. Ka ndodhur kështu, sepse kuqeblutë nuk kanë shumë kohë për t’u përgatitur për ndeshjen e së enjtes me irlandezët e Sligo Rovers. Kjo sepse ata do të nisen që të martën në drekë nga Rinasi dhe për rrjedhojë për ta në dispozicion për stërvitje është edhe dita e sotme. Në Irlandë pastaj do të shohin mundësinë nëse mund të zhvillojnë ndonjë seancë ditën e nesërme, ndërkohë që pasnesër do të stërviten në orarin e ndeshjes në fushën ku do luhet takimi zyrtar. Në seancën e djeshme, trajneri Lika ka biseduar me futbollistët jo pak për miqësoren e humbur me Dinamon. Jo shumë për faktin se u humb një ndeshje sesa për mangësitë që u konstatuan në lojën e skuadrës. Mangësi që sigurisht duhen eliminuar sa më parë, ngaqë ndeshja është në prag dhe nuk ka më kohë për të riparuar shumë gjëra.