Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, ka bërë një ndërhyrje “të rrufeshme” në merkato. Vetëm për pak orë ka biseduar dhe më pas ka mbyllur gjithçka me futbollistin Rrahman Hallaçi. Dy palët kanë firmosur kontratën njëvjeçare dhe më pas ish‑lojtari i Partizanit dhe së fundi i Elbasanit, ka marrë rrugën drejt Pukës, për të nisur stërvitjen me ekipin e tij të ri. Vetë kuksiani është shprehur i kënaqur me këtë kontratë dhe në intervistën e tij të parë si kuqeblu ka dhënë arsyet pse i tha “po” ofertës shkodrane. Ja si është shprehur ai për “Sportin shqiptar”:

‑ Rrahman, urime për kontratën e re!

‑ Faleminderit! Kam firmosur për një vit dhe jam i kënaqur me këtë gjë.

‑ Mbyllët gjithçka shumë shpejt me presidentin Fushaj, vetëm brenda pak orësh. Çfarë ndodhi?

‑ Në fakt, ka disa ditë që kemi kontaktuar, por mbrëmjen e së martës jemi ulur dhe kemi biseduar shtruar me presidentin Fushaj. Vërtet nuk na u desh shumë kohë për të bindur njëri-tjetrin e si rrjedhojë dje në drekë hodha firmë në zyrën e presidentit dhe u nisa menjëherë drejt Pukës, për të nisur stërvitjen me ekipin tim të ri.

‑ Pse zgjodhët Vllazninë?

‑ Të them të drejtën, kisha edhe disa oferta të tjera. Isha shumë afër Dinamos, por në fund vendosa për Vllazninë dhe këtë e bëra për disa arsye. Arsyeja kryesore ishte projekti i presidentit të saj.

‑ Të qenit në krye të kësaj skuadre i Hasan Likës, trajnerit me të cilin keni punuar disa vjet te Partizani, ishte një shtysë më tepër për ju?

‑ Edhe kjo ishte një nga arsyet pse i thashë “po” skuadrës kuqeblu. Me profesor Hasanin kam punuar disa vjet dhe e njohim mirë njëri‑ tjetrin. Por nuk ishte kjo arsyeja vendimtare. Arsye tjetër ishte edhe korrektesa e presidentit Fushaj, sepse ende nuk kam dëgjuar deri më sot asnjë futbollist të thotë se ka pasur probleme me të. Prandaj e zgjodha Vllazninë. Pa thënë edhe arsyen tjetër, atë më të rëndësishmen mbase, origjinën time.

‑ Që do të thotë?

‑ Siç e dini, unë jam nga Kukësi, jam verior dhe për të gjithë ne veriorët Vllaznia ka qenë skuadra për të cilën kemi bërë tifo gjithmonë. Duke qenë kështu, nuk kisha si ta lija të më ikte kjo mundësi për të luajtur me të, prandaj i thashë menjëherë “po” presidentit Fushaj. Vllaznia është një skuadër me emër në futbollin shqiptar dhe jo vetëm për mua, por për çdo futbollist, është kënaqësi të luajë me ngjyrat kuqeblu.

‑ Dhe e nisni menjëherë në Kupat e Europës si kuqeblu. Një plus më tepër, apo jo?

‑ Unë dëshiroj të jem pjesë e Vllaznisë në çdo ndeshje të saj dhe, nëse do të jem në fushë që në ndeshjet europiane, kënaqësia do ishte edhe më e madhe, por të shohim në ditët në vazhdim.