Priteshin brazilianët, por ia ka befur në mënyrën më të papritur Rrahman Hallaçi. Edhe pse për drejtuesit e klubit Vllaznia dhe stafin e tyre, alternativa Hallaçi ka kohë që studiohet në zyrat e tyre, konkretizimi i kësaj blerje është bërë tërësisht në heshtje. Burimet brenda klubit të futbollit thanë se Hallaçi ka mbërritur në orët e mesditës së djeshme në qytetin verior dhe pasi ka kryer procedurat e duhura zyrtare me drejtuesit e Vllaznise është nisur menjëherë drejt qytetit të Pukës, duke u vënë në dispozicion të teknikut Lika. Por siç mësohet, përpara se të mbërrinte në Shkodër ka qënë presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, ai që ka udhëtuar në kryeqytet në mbrëmjen e së martës, ku pas një bisedë kokë më kokë rreth 30-të minutëshe kanë vendosur gjithçka për të ardhmen e futbollistit. Kështu që mesdita e djeshme për Hallaçin ka qënë thjeshtë një formalitet dhe brenda pak minutash ka mbyllur gjithçka ka kërkuar noteri i klubit gjatë firmosjes së kontratës, e cila është lidhur në afatin kohor të një viti. I lindur në Kukës, dhe i rritur tek klubi i kuq i Partizanit, Hallaçi është një futbollist që ka bërë emër në kampionatin shqiptar. Për shtate sezone, sa mbajti të veshur fanelën e klubit Partizani, ai ka spikatur jo pak në repartin e mbrojtjes, kryesisht në krahun e majtë, që është edhe preferenca e tij. Por, situata konfuze që kaloi Partizani sezonin e kaluar, e detyroi atë të braktiste këtë klub në mes të kampionatit, duke e vazhduar pjesën e dytë për ngjyrat e Elbasanit. Si një lojtar i lirë, por edhe i cilësuar si mjaft punëtor në krahun e tij, shkodranët u treguan të gatshëm të bashkëpunonin me këtë futbollist. Padiskutim që në këtë blerje, ka dorë të drejtpërdrejt edhe tekniku Hasan Lika, i cili duke i njohur mirë vlerat e këtij futbollisti, si një ish-trajner i Partizanit, thuhet se ka kërkuar që Hallaçi të veshte fanelën e Vllaznisë së Shkodrës. Por në të njëjtën kohë, vetë Hallaçi mësohet ta ketë pritur me kënaqësi një transfertë të tillë, jo vetëm për faktin se bëhet pjesë e një skuadre me emër të kampionatit shqiptar, aq më tepër që pas pak ditësh do të jetë edhe në garë për Ligën Europiane, por më së shumti do te behet pjesë e një skuadre veriore, prej nga është edhe vetë ai. Me përfshirjen e Hallaçit në listën e kuqebluve, për vetë pozicionin që ai mban, posti i krahut të majtë të mbrojtjes kuqeblu përfshihet nga rivaliteti. Kjo, për faktin se për llogari të këtij roli ka mbërritur në Shkodër edhe malazezi Zhivko Mervaeloviç, por që shumë shpejt kandidat për këtë rol do të jetë edhe Edmond Doçi, rikuperimi i të cilit thuhet se ka avancuar shumë këto ditët e fundit. Me këto dy blerje të krahut të majtë të mbrotjes shkodrane, duket se drejtuesit e Vllaznisë kanë lënë mënjanë përfundimisht mundësinë e rikthimit në skuadër të mëngjërashit Suad Lici, i cili si rezultat i përfshirjes në një proçes gjyqësor ndaj klubit Vllaznia, për një borxh të vjetër që ekziston në adresë të tij, ka qëndruar paksa në hije, pasi në fakt edhe regullorja e UEFA-s e pengon për t’u aktivizuar.

sport ekspres

Komentet