Mesfushori Keandro Dos Santos dhe sulmuesi Karlos Salis vijnë nesër për të hedhur firmën

Skuadra shkodrane nuk e ka mbyllur ende merkaton e saj në prag të pjesëmarrjes në Kupat e Europës. Për të përforcuar radhët e saj, ajo ka “prenotuar” dy futbollistë brazilianë. Njëri luan në mesfushë dhe tjetri në sulm. Me këto dy përforcime, duket se mbyllet këtu merkatoja kuqeblu për momentin deri pas përfundimit të aventurës europiane. Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, i cili ka thënë: “Prej kohësh jemi në bisedime me këta lojtarë dhe tashmë mund të them përfundimisht se do të jenë pjesë e Vllaznisë. Ata, së bashku me menaxherin e tyre, do të mbërrijnë në Rinas të martën, në orën 13:50, dhe do të nisen menjëherë drejt Shkodrës, ku do të kryhen bisedimet përfundimtare dhe njëkohësisht do të firmosen edhe kontratat përkatëse. Ndërkohë, të mërkurën do të jenë me ekipin në stërvitje. Ajo çfarë na është thënë, ka të bëjë me faktin se këta dy lojtarë që vijnë nga superliga braziliane, vijnë të stërvitur dhe nuk do të kenë probleme të kapin ritmin e skuadrës në stërvitje. Duke qenë kështu, mendoj se do të na shërbejnë që në ndeshjet e para të Ligës Europiane, sepse duket që kemi të bëjmë me lojtarë cilësorë nga ajo çfarë kemi parë dhe çfarë na kanë thënë për ta.” Pavarësisht këtyre deklaratave, ajo që mbetet është t’i shohim këta futbollistë në fushën e lojës, për formën e tyre fizike, por edhe për ambientimin me skuadrën e tyre të re. Dy brazilianët nuk vijnë për provë, por vetëm për të firmosur dhe nisur punën me Vllazninë. Garant për ta ka hyrë një njeri që i njeh mirë dhe që ka marrëdhënie të shkëlqyera me drejtuesit shkodranë. Njëri nga këta lojtarë është pikërisht Keandro Dos Santos, që luan në mesfushë, në pozicionin e qendrës, por edhe në vende të tjera në këtë repart. Tjetri quhet Karlos Salis dhe është sulmues. Pikërisht për këtë të fundit shkodranët kanë kohë që ngulmojnë, ngaqë duan t’i gjejnë një partner Sinanit për vijën e parë të sulmit. Salis konsiderohet një lojtar tipik golashënues dhe në këtë mënyrë të gjithë shpresojnë se kuqeblutë të kenë gjetur lojtarin e duhur për këtë pozicion që ka qenë vakant në skuadër. Ajo çfarë mësohet nga ana tjetër, ka qenë edhe fakti se për t’i marrë këta dy lojtarë, ka kohë që flitet. Pengesa ka qenë kërkesa e klubit që i ka pasur nën kontratë për të paguar kartonët e tyre. Shkodranët në këtë pikë kanë hezituar, por edhe me ndërhyrjen e menaxherit të lojtarit, më në fund është arritur akordi. Presidenti Fushaj ka paguar një shumë jo të vogël për kartonin e këtyre futbollistëve dhe ata tashmë janë pjesë e Vllaznisë, megjithëse zyrtarisht kjo arrihet pas hedhjes së firmave në kontratë. Me marrjen e këtyre lojtarëve, në njëfarë mënyre shkodranët kompletohen për ndeshjet europiane dhe ndërkohë ata janë në pritje edhe të shortit, për të mësuar emrin e kundërshtarit me të cilin do të ndeshen.

s.shqiptar