Bekim Bala, zbulimi i Vllaznisë së sivjetme

Lojtari që konsiderohet talent nga të gjithë specialistët fillon të ngjisë shkallët e karrierës së tij.

Skuadra e Vllaznisë duket se ka ndër mend të vazhdojë atë traditë të mirë të krijuar në vite për të nxjerrë talente. Dhe jo lojtarë do çfarëdo por futbollistë që t’i rezistojnë kohës. Nëse dy sezone më parë ishin Sukaj e Lika ata që shpërthyen, në këtë të fundit rradha ishte për Ndriçim Shtubinë. Ndonëse “zbulimi” i këtij të fundit u bë paksa i vonuar, e rëndësishme është që ai tashmë ka bërë emër në futbollin shqiptar. Një lojtar që i ka bërë për vetë të gjithë në të parin sezon si titular me kuqeblutë. Dy të parët u shitën para dy vitesh, tashmë edhe Shtubina duket shumë pranë kalimit në një kampionat më të fortë, ndoshta në Turqi. Rradha i ka kaluar të tjerë lojtarëve të rinj për të dalë në skenë. Emrat e mundshëm të disa prej tyre janë edhe të njohur ndoshta tashmë për publikun: Bala, Hasani apo dhe Rraboshta, Sykja e Dibra. Mbi të gjithë ata duket se spikat Bekim Bala. Sulmuesi shtatëlartë ka një progres të jashtëzakonshëm. Po perfeksionohet në të gjithë parametrat e tij dhe me siguri që shumë shpejt kemi për të parë një lojtar me tipare të shkëlqyera. Në sezonin e fundit ka luajtur në shtatë ndeshje për Vllazninë dhe në të gjitha ka hyrë si rezervë në formacion por duket se ato aktivizime dhe për më tepër stërvitja me të rriturit, e kanë “burrënuar” Bekimin.

Bala, kapiteni i kombëtares së 19 vjeçarëve

Ditët e fundit, Bala sëbashku me Hasanin, një tjetër lojtar me shumë perspektivë i Vllaznisë, kanë qenë në Kroaci me ekipin kombëtar të 19 vjeçarëve. Ka qenë një turne miqësor që është zhvilluar atje ku kanë marrë pjesë shumë ekipe klubesh, ndër të tjera edhe kombëtarja shqiptare e kësaj grupmoshe e drejtuar nga trajneri Ramadan Shehu. E veçanta e këtij turneu për Balën ka qenë fakti se trajneri Shehu i ka besuar atij shiritin e kapitenit. Një vlerësim jo i vogël për këtë lojtar por në të vërtetë futbollisti shkodran e meriton sespe është lideri i vërtetë i atij ekipi. Po në turneun e Kroacisë, duhet thënë se ekipin tonë kombëtar e ka shoqëruar edhe ishtrajneri dhe specialisti i njohur Hito Hitaj. Vlerësimet e tij për Balën thuhet të kenë kenë maksimale. “Ky lojtar duhet të luajë medoemos 45 minuta me Vllazninë në sezonin e ri, në mos më shumë. Paska një talent të jashtëzakonshëm, një sulmues me shumë të ardhme edhe për futbollin shqiptar”- mësohet të ketë thënë ai. Sulmuesi shkodran merr pjesë në Lojërat Mesdhetare Paraqitja e mirë e Balës në ekipin e 19 vjeçarëve, ka bërë që ai të marrë një ftesë edhe për ekipin tonë kombëtar olimpik që do ta përfaqësojë vendin tonë në Lojërat Mesdhetare që do zhvillohen pas pak ditësh në Peskara të italisë. Lajmin e bën të ditur vetë lojtari i cili ka thënë: “Po, më kanë thënë se do jem pjesë e këtij ekipi. Për këtë arsye kam dorëzuar pasaportën në Federatë sepse do paisemi me vizat dhe me datë 22 mendohet të nisemi drejt italisë”. Një karrierë e nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për këtë djalosh që shumë shpejt do ta shohim duke i ngjitur me hapa galopantë shkallët e karrierës së tij. Pjesmarrja në kombëtaren olimpike për mesdhetaret, është një tregues i mirë i këtij fakti.

18 vjeçari pretendon të luajë më shumë për Vllazninë

Prej dy sezonesh stërvitet dhe luan me ekipin e të rriturve të Vllaznisë. Ai është i gjatë 1.85 m, i datëlindjes 11.01.1991 dhe premton shumë për të ardhmen. Drejtuesit e klubit shkodran e kanë me sy të mirë dhe po ashtu me superlativa për të flasin edhe gjithë specialistët shkodranë që e njohin nga afër atë. Sinani duket qartë se e ka shumë pranë pasardhësin e tij. Lojtarin që do kthehet shumë shpejt në simbol të tifozërisë kuqeblu. Objektivi i vetë Balës është të luajë sa më shumë këtë sezon me Vllazninë. Ai mendon se është gati për këtë dhe prandaj deklaron: “Stërvitem me shumë dëshirë dhe përkushtim. Besoj se po bëj më të mirën e mundshme që shumë shpejt të kem një vend titullari tek Vllaznia. E di që do jetë shumë e vështirë pasi konkurrenca është e madhe por unë jam i përgatitur për këtë gjë. Mbase për momentin nuk do kem shumë minuta në dispozicion por e rëndësishme është të luaj rregullisht sepse do vijë një ditë që unë do jem i vlefshëm për skuadrën”.

vllaznimi sportiv

Komentet