“Dëshira ime më e madhe është të fitojmë këtë sezon, ku unë do të jem përsëri në portë”
Një jetë në portë, por egoja nuk e lë, tek sa kërkon të fitojë sa më shumë me ekipin e zemrës, Vllazninë. Portieri Armir Grima festoi dje 35- vjetorin e lindjes, në një moment fantastik të karrierës së tij, teksa në këtë moshë vazhdon të jetë një titullar i padiskutueshëm i kuqebluve. Me shumë eksperiencë, karriera e tij mund të konsiderohet si një rekord më vetë, sepse në 35 vite, 20 prej tyre i ka kaluar në mbrojtje të portave të skuadrave më të mira të Shqipërisë, por edhe jashtë saj. 35-vjetori e ka gjetur “gardianin” kuqeblu përsëri pranë Vllaznisë. Pa mbushur ende të 15 vjetët, ai u afrua pranë ekipit të parë, duke shënuar një tjetër rekord, jo vetëm në futbollin shkodran, por edhe atë shqiptar.
Ëndrra
Për atë çfarë i ka dhënë futbollit dhe në veçanti Vllaznisë, Grima mbetet një ndër figurat e futbollit shkodran në këto 20 vitet e fundit. Sezoni i ardhshëm është i 21-ti në karrierën e tij. Tashmë, portieri kërkon ta mbyllë me një trofe, edhe pse ndjen keqardhje për sezonin e kaluar. “Dëshira ime ishte që të kishim arritur të fitonim titullin kampion, sepse do të ishte një gjë e bukur për mua, pas trofeut të Kupës së Shqipërisë në sezonin 2007-2008. Megjithatë, tani që mund të kontribuoj përsëri për ekipin tim, Vllazninë, pse të mos pretendoj që të arrijmë pikërisht atë që nuk e bëmë në sezonin e fundit, pra titullin kampion? Për mua do të ishte një gjë shumë e bukur, - është shprehur i emocionuar portieri shkodran, në një prononcim për ‘Panorama Sport’. Më tej, ai thotë: - E rëndësishme është që unë ndihem mjaft mirë, pavarësisht se vitet shkojnë dhe për një sportist nuk kanë shumë rëndësi, nëse ndihet në formë dhe ka ende për të dhënë për sportin. Ka qenë me të vërtetë një jetë e bukur sportive e mbushur me gëzime e hidhërime, ashtu si e çdo sportisti tjetër. Por ajo që dua të them, është se kudo ku kam shkuar, gjithnjë jam përpjekur për më të mirën.”
Karriera
Më së shumti, Armir Grima ka mbrojtur portën e Vllaznisë, por për kohë të shkurtër, edhe atë të Laçit, kur ende s’i kishte mbushur të 19-at. Eksperienca me skuadrën laçiane do të zgjaste fare pak, pasi vlerat e tij në atë kohë, por edhe nevojat e Vllaznisë për portier, e detyruan Grimën të vinte me urgjencë në Shkodër. Në karrierën e tij ai ka provuar të luajë edhe me Partizanin, në Greqi, në Kosovë, por edhe me ekipin kombëtar dhe atë Shpresa.
panorama