Elvin Beqiri është në prag të largimit nga Vllaznia. Mbrojtësi i ekipit tonë kombëtar dhe kuqebluve, ka thënë dje për “Panorama Sport” se nuk e di nëse do të jetë pjesë e ekipit në ndeshjet e Ligës së Evropës. Në drejtim të 28- vjeçarit, i cili në miqësoren e fundit të Kombëtares me Gjeorgjinë mbajti edhe shiritin e kapitenit, kanë mbërritur disa oferta. Këto e kanë vënë në pikëpyetje reale vazhdimësinë e tij me shkodranët. Beqiri ka qenë një ndër pikat më të fortë të kuqebluve gjatë gjithë sezonit të kaluar, por edhe paraqitjet e tij me kuqezinjtë kanë qenë në nivele të larta. Tashmë, mundësitë që ai të lërë Vllazninë janë të mëdha dhe ç’është më e keqja, kjo mund të ndodhë përpara ndeshjeve ndërkombëtare. Në fakt, mbrojtësit i përfundon kontrata me shkodranët në fundin e këtij viti. Gjithsesi, mësohet se në një nga pikat e kontratës, thuhet se nëse lojtarit i vjen një oferta nga jashtë, gjithçka mund të shikohet. “Nuk ka ndonjë sekret, pasi unë kam disa oferta dhe sidomos nga klube qipriote, ukrainase dhe turke. Megjithatë, mund të them se deri më tani nuk ka ndonjë gjë konkrete në këtë drejtim”, është shprehur “Muçoja”, (kështu thërritet dhe njihet Elvini në Shkodër) për gazetën. Në këtë situatë, ekipi kuqeblu i drejtuar nga Hasan Lika, duhet t’i bëjë mirë llogaritë, përsa u takon përgatitjeve në kuadër të ndeshjeve ndërkombëtare. Me apo pa Beqirin, këtë nuk është në gjendje ta pohojë as vetë mbrojtësi. Ky i fundit nuk është i sigurt dhe shton se gjithçka për këtë do të varet nga ofertat që mund t’i vijnë në këto ditë.

 Pasiguria

“Nuk di ende të them, nëse do të jem apo jo pjesë e ekipit në takimet e Ligës së Evropës. Kjo do ta varet nga kërkesat që do të mbërrijnë pranë klubit dhe bashkë do të vendosim për ofertën më të mirë të mundshme. Nëse kjo do të jetë gjatë kësaj periudhe, para takimeve të Ligës Evropiane, me shumë mundësi unë mund të mos jem pjesë e ekipit. Gjithçka për këtë do të diskutohet mirë me drejtuesit e klubit”, ka thënë Beqiri. Por pavarësisht se një mungesë e tillë mund të ndihet shumë në ekipin kuqeblu, një gjë tjetër është e sigurt, se të ardhurat në klub do të njohin rritje. Kjo për faktin e thjeshtë, se Beqiri është nën kontratë me Vllazninë. Ndërsa ajo që dihet dhe citohet nga vetë lojtari është se, ai nuk do të lërë Vlazninë për asnjë prej ekipeve të Superligës shqiptare. “Jo, jo, as që bëhet fjalë për të lëvizur në ndonjë klub shqiptar. Unë kërkoj të luaj jashtë vendit me ekipe të njohura dhe me emër, por në kampionatin tonë ndihem mjaft mirë te Vllaznia”, pohoi shkodrani

.43 Ndeshje  ka luajtur deri më tani me fanellën kuqezi futbollisti shkodran. Ai ka debutuar me Kombëtaren në vitin 2003, pikërisht në ndeshjen kundër Rusisë, kur trajner i kuqezinjve ishte gjermani Hans Peter Brigel.

 panorama

 panorama