Mbrojtësi malazez, Zeljko Mrvalje viç, është blerja e re e Vllaznisë. Ai ka nënshkruar dje me shkodranët, një kontratë njëvjeçare, me të drejtë rinovimi për një sezon tjetër. Gjithçka u zyrtarizua dje gjatë drekës, pas prezantimit të tij nga presidenti Valter Fushaj, në një konferencë për shtyp. Mrvaljeviç vjen nga ekipi i Petrovacit, që militon në kampionatin malazez. 28-vjeçari është ka një shtatlartësi prej 1.88 cm dhe luan në rolin e mbrojtësit të krahut të majtë. Në këtë pozicion, një sezon më parë ka luajtur “veterani” Suad Lici, i cili është larguar nga Vllaznia. Në këtë mënyrë, drejtuesit e klubit shkodran, pas blerjes së kosovarit Fetim Kasapi, që luan në pozicionin e të larguarit Paulin Dhëmbi, kanë gjetur edhe “sozinë” e Licit. Mësohet se mbrojtësi malazez ka qenë për shumë kohë në fokusin e drejtuesve të klubit kuqeblu dhe bisedimet me të kanë nisur menjëherë pas përfundimit të sezonit. Kështu, pas rinovimit të kontratave me Grimën, Osjen, Sinanin dhe Belishën, e gjithashtu blerjen e Kasapit, malazezi Mrvalejviç është futbollisti i radhës.

Lojtari

Vetë Zeljko Mrvaljeviç është shprehur i kënaqur, që këtë sezon do të luajë për Vllazninë. Në takimin e parë me mediat, ai tha: “Falënderoj presidentin Valter Fushaj, që më ka besuar të jem në ekipin shkodran për këtë sezon. Jam shumë i kënaqur që arrita të nënshkruaj një kontratë të tillë. E njoh mirë ekipin dhe ambiciet që ka, si në Kupat e Evropës, e po ashtu në kompeticionet kombëtare. Ndaj do të bëj të pamundurën për të dhënë më të mirën time në këtë sezon. Shpresoj dhe besoj që me Vllazninë do të arrij majat më të larta të futbollit në Shqipëri.”

Karriera

Zeljko Mrvaljeviç ka pasur një karrierë, kryesisht në futbollin polak, ku është aktivizuar për 6 sezone në disa ekipe. Së fundmi, në Poloni ai luajti për Unia Janikovo. Mbrojtësi ka qenë në fillimet e veta pjesë e Buduçnostit të Podgoricës, një nga skuadrat më të mira të ligës malazeze. Ndërsa në kampionatin e fundit ai luajti me Petrovacin, duke u shpallur edhe fitues i Kupës së Malit të Zi. Mrvaljeviç është malazezi i tretë që vesh fanellën e Vllaznisë, pas Igor Radusinoviçit dhe Nikolla Vukçeviçit. Si për koincidencë, edhe këta dy të fundit kanë luajtur në repartin e mbrojtjes.

panorama

Komentet