Një tjetër futbollist i ri shkodran pritet të jetë pjesë e kuqebluve në sezonin e ri futbollistik. Bëhet fjalë për 19-vjeçarin Ansi Nika. Lojtari që sezonin e fundit ka luajtur me ekipin e Adës, ka rënë në sy jo vetëm me paraqitjet e tij gjatë sezonit të shkuar në radhët e skuadrës velipojake. Ai ka bërë një paraqitje shumë të mirë edhe në testimin që drejtuesit e klubit “Vllaznia” kanë zhvilluar pak ditë më parë me një grup lojtarësh të rinj të ardhur nga ekipet zinxhir. Nika ka rënë në sy më shumë se gjithë të tjerët dhe për këtë arsye pritet që me këtë lojtar të firmoset një kontratë afatgjatë. Ai luan në rolin e mesfushorit të majtë dhe dallohet edhe për numrin e madh të golave që shënon.

Çështja “Sinani” nuk i shqetësohen shkodranët

Ditën e djeshme, në një gazetë sportive, është shkruar se Tirana kërkon me ngulm të marrë në radhët e saj Sinanin. Një lajm i tillë për shumëkënd ka qenë surprizë, por jo për drejtuesit e klubit shkodran. Kjo sepse ata nuk janë ndier aspak të shqetësuar nga një lajm i tillë, që prej tyre nuk është marrë gjithsesi si i vërtetë. Kjo sepse Sinanin ka firmosur para disa ditësh kontratën e re me Vllazninë, e cila do ta mbajë edhe për një vit të lidhur me klubin kuqeblu. Ndonëse nuk duan të prononcohen publikisht, drejtues të klubit kanë dashur të thonë edhe diçka tjetër. Për ta nuk është normale që një klub rival të bëjë lëvizje të tilla. Aq më tepër kur Sinani është lider në Shkodër, është kapiteni i kësaj skuadre dhe mbi të gjitha ka një kontratë të nënshkruar me Vllazninë.

 

Kuqeblutë “injorojnë” merkaton vendëse

Ka ditë që përflitet se Vllaznia është në bisedime me shumë lojtarë për të plotësuar radhët e saj. Nga emrat që janë përfolur, kryesisht kanë qenë më së shumti ata të huajt. Të bën përshtypje një gjë e tillë, sepse në listën e merkatos së kuqebluve ka pak ose më mirë të themi aspak futbollistë të kampionatit shqiptar. Drejtuesit e klubit në fakt, përpara ardhjes së trajnerit Lika, duhet thënë se kanë pasur në planin e tyre ndonjë futbollist nga Elbasani apo Partizani, dy skuadrat me emër që ranë nga superliga. Por “timonieri” i ri i Vllaznisë duket se ka qenë i mendimit që te këto dy skuadra nuk ka ndonjë element që mund të jetë i nevojshëm për ekipin. Kuptohet, për ato pozicione ku skuadra ka nevojë. Të tjerë, ata që janë vërtet të talentuar janë nën kontratë, ose pranë ekipeve me emër që nuk duan t’i lëshojnë dhe, për këtë arsye, pista e vendit duket e parealizueshme.

s.shqiptar

Komentet