Ka mbërritur para disa ditësh në Shkodër dhe menjëherë ka hedhur firmë në kontratën e afruar nga klubi “Vllaznia”. Fetim Kasapi është kësisoj blerja e parë e kuqebluve në merkaton e sivjetme. Fakti që ka firmosur pa pasur nevojë për provë, do të thotë se kemi të bëjmë me një lojtar cilësor. Gjatë karrierës së tij ka luajtur për shumë vite me ekipin e qytetit të tij të lindjes, Besën e Pejës, me të cilën ka dalë edhe tri herë rresht kampion i vendit. Më pas, në fazën e dytë të sezonit 2007‑2008, kalon në Mal të Zi me ekipin e Buduçnostit, ku ndonëse nuk luan shumë për arsye dëmtimi, arrin të shpallet kampion me të. Në sezonin e fundit ka luajtur në Ulqin me ekipin Otrant, ku megjithëse ka luajtur si mesfushor, është dallur edhe si shënues, teksa ka shënuar 20 gola. Tashmë është pjesë e Vllaznisë dhe premton të bëjë më të mirën edhe për të. Në intervistën e tij të parë për shtypin sportiv shqiptar, mesfushori kosovar do të shprehej:

‑ Fetim, jeni blerja e parë e Vllaznisë për këtë sezon. Ju personalisht pse zgjodhët këtë skuadër?

‑ Zgjodha Vllazninë, sepse më ofroi kushtet më të mira se të gjithë ekipet e tjera. Ditët e fundit kisha sinjale të ndryshme nga skuadra të ndryshme të Malit të Zi, por asgjë konkrete dhe kërkesës së Vllaznisë për të firmosur me të iu përgjigja menjëherë pozitivisht.

‑ Gjeni në skuadër Nallbanin, një shokun tuaj të vjetër. Ka ndikuar ai në këtë zgjedhje tuajën?

‑ Sigurisht që ka ndikuar. Me Nallbanin njihemi prej vitesh dhe, para se të vendosja, normalisht kam biseduar me të. Më ka folur fjalët më të mira për skuadrën, qytetin, tifozët dhe të gjithë. Në të tilla kushte, do ta kisha më të lehtë të ambientohesha.

‑ Cila është përshtypja juaj e parë për qytetin, për skuadrën?

‑ Shumë e mirë. Vllaznia është një ekip i mirë, me emër, shumë i organizuar, me shumë tifozë. Po ashtu, është një qytet sportiv nga sa shoh shumë.

‑ E thatë edhe vetë që Vllaznia është një skuadër me emër. I trembeni konkurrencës?

‑ Konkurrenca është e madhe, por di të them se jam i përgatitur edhe për këtë gjë. Kam ardhur për të luajtur dhe do bëj maksimumin tim për të qenë sa më i vlefshëm për skuadrën. Te Vllaznia jam jo vetëm për këtë periudhë të kontratës që kam firmosur. Dua të luaj sa më mirë me të, në mënyrë që më pas të firmos një kontratë më të mirë diku jashtë.

‑ E nisni karrierën tuaj duke luajtur menjëherë në kupat e Europës. Një nisje e mirë?

‑ Patjetër. Eshtë hera e parë për mua që do konkurroj në aktivitete ndërkombëtare dhe e pres me shumë kënaqësi këtë moment. Ndeshje të tilla janë një shërbim i madh për çdo futbollist, sepse i ndihmon të bëjnë përpara në karrierën e tyre.

‑ Si ju kanë pritur në Shkodër?

‑ Jam shumë i kënaqur me pritjen që më kanë bërë. Si nga ana e stafit teknik, ashtu dhe nga futbollistët. Më është dukur vetja sikur kam kohë që jam në Shkodër. Kjo do të më ndihmojë të bëj më të mirën për këtë skuadër.

‑ Së fundi, ndonëse mesfushor, nga të dhënat që kemi, duket se kemi të bëjmë me një lojtar që shënon shumë dhe kryesisht nga goditjet e lira. Mendoni se do të bëni të njëjtën gjë edhe te Vllaznia dhe do t’i bëni shpejt për vete tifozët e saj?

‑ Do mundohem të bëj më të mirën, si me lojë ashtu edhe me gola. Dëshira e gjithësecilit futbollist është të bëjë për vete tifozët, por unë e di që te Vllaznia ka lojtarë më me emër se unë, por megjithatë premtoj se do bëj më të mirën.

‑ Keni provuar të dilni kampion edhe në Kosovë edhe në Mal të Zi. Preferoni të bëni të njëjtën gjë edhe në Shqipëri?

‑ Vllazninë e konsideroj për momentin kulmin e karrierës sime. Duke qenë kështu, sigurisht që do të ishte ideale kjo gjë dhe më vjen mirë që jam në një skuadër që gjithmonë pretendon të fitojë trofe. Por për momentin e rëndësishme është ta fillojmë mbarë një herë në kupat e Europës, pastaj në kampionat.

 

Nallbani: Mos u pendoni për Fetim Kasapin

Në Shkodër e vlerësojnë shumë për kontributin e tij për Vllazninë. Një futbollist që ka dhënë më të mirën e tij për skuadrën kuqeblu, teksa ka qenë ndër më të mirët në sezonin që sapo përfundoi. Ilir Nallbani, kosovari nga Peja, ka pasur një rol jo të vogël në blerjen e Fetim Kasapit nga klubi shkodran. Jo shumë për vlerësimin e bërë, sepse në fakt këtë lojtar nuk e ka sjellë ai, por të tjerë nga Mali i Zi. Megjithatë, kur e pyet për këtë blerje të kuqebluve, Nallbani, edhe ngaqë e njeh mjaft mirë këtë lojtar, flet me superlative për të. Pavarësisht kësaj, ai dëshiron të mos ngutet në vlerësimet e tij, por mjaftohet duke thënë: “Ajo që mund të them unë është se Fetim Kasapi është një lojtar shumë i mirë. Vllaznia nuk ka për t’u penduar kurrë që ka marrë këtë futbollist. Unë kam luajtur disa vjet me të dhe ia njoh mirë aftësitë dhe besoj se të gjithë kanë për të mbetur të kënaqur me të.”

s.shqiptar

Komentet