Ashtu siç ishte parashikuar, mesfushori i talentuar shkodran, Gilman Lika, është takuar dje me presidentin e Vllaznisë, Valter Fushaj, ku është diskutuar rreth mundësisë së aktivizimit të tij me kuqeblutë në ndeshjet e Ligës së Evropës. 22- vjeçari është i gatshëm të luajë për Vllazninë, por përpara janë dy pengesa. Së pari, pritet përgjigja e klubit turk, Haxhetepe, ku Lika është nën kontratë dhe së dyti, mesfushorit i duhet të bëjë patjetër dy javë pushim, për shkak të një dëmtimi në rrëzë të kofshës. Në takimin “kokë më kokë” me kreun e klubit kuqeblu, lojtarit i është parashtruar zyrtarisht kërkesa për të luajtur si i huazuar. Lika ka qenë dakord, por i ka kërkuar presidentit Fushaj që së pari, klubi shkodran të marrë leje te Haxhetepe. Nëse kjo e fundit nuk i krijon probleme Likës, atëherë mundësitë janë që ai të aktivizohet me Vllazninë. Gjithçka është lënë në një takim të dytë, pasi të bëhen edhe veprimet zyrtare mes dy klubeve. Ndërkohë, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, në lidhje me takimin, Gilman Lika sqaroi: “Kam diskutuar me presidentin Fushaj, i kam kërkuar që për një gjë të tillë të jetë i njoftuar klubi im. Gjithashtu, i kam bërë ditur se më duhen patjetër dy javë pushim. Kam pasur një problem në rrëzën e kofshës dhe më duhet të pushoj, në mënyrë që të jem plotësisht i gatshëm për sezonin e ri. Nuk dua që të rrezikoj, prandaj çdo gjë mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme, edhe pse unë kam dëshirë ta ndihmoj Vllazninë.”
panorama