Shtubina në 360 gradë: “Vitin tjetër do shihni shumë më tepër nga unë. Synimi është të arrij ekipin kombëtar”


Njëri prej futbollistëve më të spikatur të kampionatit kombëtar të sezonit të kaluar, ka qenë padyshim futbollisti shkodran Ndriçim Shtubina. Të gjithë i kujtojnë shpërthimet e tij nga krahu i majtë i sulmit shkodran, të cilat sidomos për fazën e dytë të kampionat, periudhë në të cilën ishte edhe shkëlqimi më i madh i tij, kanë qenë tepër problem për skuadrat kundërshtare, portierët e të cilëve në jo pak raste kanë qenë të detyruar t’i nxjerrin topat nga rrjeta e tyre, falë atyre gjuajtje mjeshtërore që ai realizonte. Kanë qenë këto vlera që dy ditë më parë ai ishte pjesë e çmimeve të akorduara nga shoqata “Sporti na Bashkon”, e cila në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe firmën “NIKE”, futi në garë 20 të rinjtë më të talentuar të sezonit të kaluar. Menjëherë pas këtij suksesi, Shtubina, krahas emocioneve, vlerësimit dhe emocioneve që përcjell ky aktivitet, suksesi i të cilit thotë se e motivon edhe më tepër për ecurinë e karrierës së tij sportive, ai flet në përgjithësi për skuadrën e tij Vllaznia, për sezonin e ri futbollistik, por kryesisht edhe për vete, ndër të cilat synimi kryesor është kapja sa më shpejt e ekipit kombëtar, për të qenë sa më shpejt pjesë e tij.

-Shtubina, urime për çmimin e “Talentit të Vitit”. Si ndiheni?

-Faleminderit. Ai çmim ishte mjaft i rëndësishëm për mua, pasi më kanë vlerësuar trajnerët dhe specialistët e futbollit shqiptar. Sigurisht që jam shumë i gëzuar. Një vlerësim i tillë është një ngacmim i madh për mua që të eci sa më mirë dhe sa më shpejt në drejtim të cilësisë sportive

-E keni filluar si debutues, shumë shpejt kaluat titullar shumë i rëndësishëm i skuadrës dhe tani vlerësoheni si një ndër më të mirët e talenteve të vitit të kaluar. Sa ndikon kjo për të ardhmen e Shtubinës?

-Për mua ishte shumë e rëndësishme që mbërrita në këtë pikë, pasi siç e thatë ju, kam filluar nga stoli dhe me punë arrita deri këtu. Për këtë falënderoj shokët e skuadrës, stafin teknik, presidencën dhe në veçanti tifozët për mbështetjen e vazhdueshme që më kanë dhënë gjatë sezonit të kaluar futbollistik.

-Cilat janë disa nga synimet e Shtubinës për të ardhmen?

-Padyshim një nga objektivat e mia kryesore është që të arrij kombëtaren. E kam ëndërruar prej kohësh dhe do të përpiqem që ta arrij sa më shpejt, pasi edhe në vetevete e kam një besim të tillë se do ta bëj realitet një gjë të tillë për të bindur dsrejtuesit e stafit teknik që të më japin edhe mua një shans për të provuar aftësitë e mia në fushën e lojës si kuqezi. i garantoj të gjithë se këtë vit do të shikojnë një Shtubinë tjetër në fushë.

-Por, ndërkohë, periudhën e fundit, ose më sakt që në 4-5 ndeshjet e fundit të kampionatit, përfshirë edhe ato të Kupës së Shqipërisë, emri juaj është lakaur jo pak për një transfertë jashtë vendit…

-E vërteta është se unë kam një kontratë me Vllazninë, e cila zgjat edhe për disa vite. Oferta ndaj meje ka pasur edhe brenda dhe jashtë, por deri tani nuk ka gjë konkrete.

-Thatë brenda, për cilin ekip të kampionatit shqiptar bëhet fjalë?

-Nuk më takom mua të flas në këtë drejtim, pasi jam edhe lojtar i ri dhe për këtë nuk e shoh të arsyeshme, por nga kampionati shqiptar janë dy-tre skuadrat e kreut të tabelës, por mua më duhet të respektoj kontratën e Vllaznisë.

-Po nga jashtë, flitet shumë për Turqinë?

-Intesimi është i pranishëm, jo vetëm për mua, por edhe ndonjë futbollist tjetër tek Vllaznia, por sërishmi theksoj se kjo mund të arrihet vetëm në mirëkuptim me presidentin Fushaj. Dëshirën në fakt e kam të vijoj të kontribuoj për Vllazninë, dhe sëbashku me shokët e tjerë të skuadrës të fitojmë titullin kampion, të cilin e ndjejmë obligim edhe për tifozërinë e zjarrtë shkodrane që na ndjek nga pas kudo. Në veçanti unë kam shumë detyrim për këtë tifozeri, aq sa mund të them se unë luaj futboll vetëm për ta, pasi ato me inkurajimin dhe mbështetjen e madhe që më kanë dhënë, më bënë të mbërrij deri këtu.

-Pra, do të qëndroni me Vllazninë?

-Mendoj se do të ishte më mirë që të qëndroja edhe për një vit tek Vllaznia që të merrja edhe një eksperiencë më shumë tek kjo skuadër, e cila është shumë profesioniste në të gjitha drejtimet. Por, edhe nëse realizohet që me mirëkuptimin e presidentin të largohem, ju siguroj që për në kampinatin shqiptar nuk e mendoj një gjë të tillë, pasi nuk e imagjinoj që mund të luaj kundër skuadrës sime të zemrës që më bëri futbollist, ndërsa për jashtë është punë tjetër.

-Duke iu rikthyer kampionatit, cilën ndeshje do të veçonit më tepër?

-Ndeshja me Partizanin në fazën e dytë në “Loro Boriçi”, ku unë shënova edhe golin e fitores në minutën e fundit, është sigurisht ndeshja më e mirë e imja dhe që ma ka mbetur në kujtesë. Aq më tepër pasi ishte edhe goli i parë me Vllazninë në këtë sezon, ndërkohë që më pas shënova edhe katër të tjerë, gjithsej pesë të tillë.

-Po përgatiteni për ndeshjet europiane, ku në javën e parë të korrikut do të luani ndeshjet e para të Ligës Europiane. Si duket gjendja e Shtubinës dhe e skuadrës?

-Sinqerisht ju them se nuk e kisha menduar se që në javën e parë seancat do të ishin kaq serioze. Nën drejtimin e trajnerit të ri Hasan Lika po punohet mjaft mirë, dhe duke shpresuar se në ditët në vazhdim skuadra do të plotësohet edhe me titullarë të tjerë të nevojshëm për formacionin, Vllaznia e këtij sezoni do të jetë patjetër pretendentja kryesore për të fituar trofeun.

sport ekspres

Komentet