Skuadra shkodrane, në përpjekjet e saj për të ndërtuar një skuadër sa më cilësore për pjesëmarrjen e saj në Kupat e Europës të këtij edicioni, ka hedhur sytë edhe drejt Hamdi Salihit. Lojtari i Riedit dhe i kombëtares shqiptare do ishte përforcimi më i rëndësishëm për Vllazninë në këtë kompeticion, por një lëvizje e tillë vështirë të realizohet. Megjithatë, presidenti Valter Fushaj dje ka biseduar gjatë me sulmuesin shkodran, teksa është diskutuar për këtë çështje. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë klubit shkodran, sipas të cilëve vështirë që një gjë e tillë të bëhet realitet.
Kuqeblutë aktualisht janë në përpjekje për të forcuar skuadrën, teksa në ndryshim me sezonin e kaluar, ka shumë ndryshime në skuadër. Aktualisht nuk janë më pjesë e saj plot 6 futbollistë dhe pikërisht Dhëmbi, Sukaj, Boadu, Lici, Kaçi dhe portieri Ndoja, ndërkohë që deri tani ka ardhur vetëm një lojtar, kosovari Kasapi.
Presidenca e klubit është duke bërë të gjitha lëvizjet e duhura për ta kompletuar skuadrën pikësëpari për ndeshjet europiane. Prandaj dhe e kanë nisur me Salihin. Lojtari që luan në Austri me Riedin nuk do jetë i angazhuar në Kupat e Europës me ekipin e tij dhe kjo linte hapur mundësinë që të vinte te Vllaznia në formë huazimi për këto ndeshje.
Vetë Salihi kohë më parë e kishte shprehur hapur këtë dëshirë për të luajtur me skuadrën e qytetit të tij të lindjes në këto kompeticione. Pikërisht nisur nga këto fakte, presidenti i klubit shkodran ka shfrytëzuar praninë e këtij lojtari dje në Shkodër dhe e ka ftuar për një kafe.
Gjatë kohës së bisedës me të i është bërë propozimi në fjalë, por nga ana tjetër, përgjigjja nuk ka qenë ajo që kishte dëshiruar jo vetëm Fushaj, por edhe tifozët e zjarrtë shkodranë. Sulmuesi kuqezi mësohet të ketë deklaruar se ka dëshirë të madhe që të luajë me skuadrën e tij të zemrës në Ligën Europiane, por një gjë e tillë është e pamundur, ngaqë klubi i Riedit nuk e lejon këtë gjë.
Kuptohet, për austriakët, shkodrani është sulmuesi kryesor i tyre dhe një dëmtim a diçka e ngjashme në këto ndeshje për të, do të kishte pasoja të mëdha për ta. Duke qenë kështu, ata kanë qenë krejtësisht kundër një huazimi të tillë dhe për rrjedhojë ëndrra shkodrane për të pasur në ndeshjet e Kupave të Europës një sulm të përbërë nga dyshja Sinani‑Salihi merr fund.
Tashmë drejtuesit e Vllaznisë kanë intensifikuar lëvizjet për të gjetur një lojtar tjetër për sulmin, sepse aktualisht kapiteni Sinani është i vetmi lojtar cilësor që ka në dispozicion. Se kush do vijë, kjo mbetet ende enigmë, ngaqë janë disa pista të mundshme dhe të gjitha jashtë vendit. E sigurt është që deri në fillim të javës që vjen, të paktën një sulmues do vijë për llogari të kësaj skuadre, duke plotësuar kështu dyshen e vijës së parë të skuadrës shkodrane, të paktën për ndeshjet europiane, sepse në vazhdim mund të ketë edhe lëvizje të tjera
S.Shqiptar