Eshtë gati projekti për ekipin shkodran dhe pritet që të fillohet nga punimet për këtë

Më në fund, duket se po bëhet realitet ndërtimi i një kompleksi sportiv për Vllazninë. Dëshira e kahershme e gjithë njerëzve të sportit në Shkodër ka nisur rrugën për t’u konkretizuar. Lajmi i mirë është se ditët e fundit është miratuar vendi ku do ndërtohet ky kompleks. I premtuar nga ana e numrit 1 të qeverisë shqiptare gati një vit më parë, ky projekt ka filluar të marrë rrugë.

Fillimisht me caktimin e vendit ku do ndërtohet ai. Ai është caktuar në dalje të qytetit, pranë ish‑SMT‑së, ngjitur me rrugën nacionale Shkodër‑Koplik. Bëhet fjalë për një tokë prej 25‑30 ha, e cila deri para pak kohësh kishte qenë në pronësi të Ministrisë së Bujqësisë, por me vendimin e fundit të Qeverisë i ka kaluar Bashkisë Shkodër për llogari të klubit të futbollit “Vllaznia”. Për këtë arsye, klubi i futbollit “Vllaznia”, përmes presidentit të saj Valter Fushaj, ka dashur të falënderojë publikisht Kryeministrin e vendit dhe Qeverinë që ai drejton për miratimin e terrenit ku do ndërtohet kompleksi sportiv.

“Jemi shumë të nderuar që Qeveria të cilën ju drejtoni dhe ju personalisht, keni filluar të bëni realitet premtimin për t’i dhuruar Shkodrës një kompleks sportiv. Ky është investimi më i madh që bëhet për sportin shkodran për 18 vite demokraci dhe besoj se me përfundimin e tij do të merrni urimet më të sinqerta të shumë brezave të rinjsh, të cilët merren dhe do të merren me sport,” ‑ thuhet ndër të tjera në falënderimin e presidentit të Vllaznisë, Valter Fushaj, për Kryeministrin e vendit.

Siç shikohet, edhe nga projekt‑ideja e ndërtimit të këtij kompleksi, janë planifikuar ndërtimi i disa fushave futbolli dhe minifutbolli, sallës së forcës, barit, restorantit dhe hotelit, që do shërbejë për ekipet sportive. Po ashtu, në projekt janë përfshirë edhe salla e mbledhjeve dhe ajo e konferencave.

Të gjitha sipas modeleve të klubeve të njohura në Europë dhe Botë. Por ndërsa tashmë është hedhur hapi i parë për caktimin e vendit ku do ndërtohet ky kompleks, tani nis faza e dytë, ajo e gjetjes së fondeve të duhura për ndërtimin e tij. Presidenti Fushaj është i bindur se Qeveria Shqiptare dhe Kryeministri Berisha do mbajnë deri në fund premtimin për ndërtimin e këtij kompleksi, duke akorduar fondet e duhura për këtë qëllim.

Por nga ana tjetër, në këtë projekt madhor për sportin shkodran, mendohet që të angazhohet edhe ministria që ka në varësi të saj sportin, Bashkia Shkodër etj. Presidenti i Vllaznisë është shprehur madje se edhe ai vetë personalisht do jetë i gatshëm të investojë për të bërë të mundur përfundimin e këtij kompleksi, ashtu siç mund të ketë edhe donatorë të tjerë.

Për momentin e rëndësishme është që terreni prej 25‑30 ha është miratuar dhe tashmë shpejt mund të kalohet te faza e dytë e tij, ajo e gjetjes se fondeve dhe fillimit të punimeve. Shkodra e ka shumë të domosdoshme një kompleks të tillë, sepse ka qenë dhe mbetet në elitën e sportit shqiptar.

Pas viteve ‘90, ky qytet ka vuajtur shumë mungesën e terreneve sportive dhe, për rrjedhojë, stërvitja e këtyre ekipeve është zhvilluar në ambiente me qira. Realizimi i këtij projekti konsiderohet arritja më e madhe e sportit shkodran pas ardhjes së demokracisë. Më në fund, duket se shteti po fillon të mendojë edhe për infrastrukturën sportive, e cila është shumë e domosdoshme për rritjen e nivelit dhe përfaqësimin me dinjitet në arenën ndërkombëtare më pas.

s.sh