Zhgënjimi
Sipas presidentit Fushaj, pista e lojtarëve shqiptarë të Superiores mbetet e vakët, pavarësisht se “grepat” janë hedhur, si te të kuqtë e Partizanit, e ashtu edhe te verdheblutë e Elbasanit. “Ne nuk kemi lënë asgjë pas dore, përsa i përket afrimit të lojtarëve cilësorë për sezonin e ri. Kemi kontaktuar me disa prej tyre, por shikoj se lojtarët e Superiores, pavarësisht ofertave jo pak joshëse që u kemi bërë, nuk zgjedhin Vllazninë. Megjithatë, nuk do të thotë se kjo është pista jonë e vetme. Ne kemi marrë shumë kontakte me lojtarë jashtë Shqipërisë dhe mendoj se në bashkëpunim me trajnerin Lika do të sjellim në Shkodër disa elementë cilësorë dhe tepër efikas. Për këtë e garantoj në radhë të parë tifozerinë shkodrane, që e pret me ankth një gjë të tillë”, ka thënë numrin një i klubit kuqeblu.
Vazhdimësia
Shkodranëve nuk u intereson vetëm një ballafaqim dinjitoz dhe një kalim turi në Ligën Evropiane. Më shumë se kaq, trajnerit Hasan Lika i intereson fuqizimi i ekipit për sezonin e ardhshëm. Huazimet nuk mendohen se do të jenë përsa i përket sezonit, pavarësisht se në kampionatin e fundit një gjë e tillë ka ekzistuar. Fillimisht ganezi Xhejms Boadu dhe më pas në pjesën e dytë të sezonit, Xhevahir Sukaj, kanë qenë afrimet në formë huazimi, pikërisht nga klubet turke, Haxhetepe dhe Gençerbirlingi. Në planin afatgjatë, dje kuqeblutë kanë bërë hapin e parë me blerjen e Fetim Kasapit. Megjithatë, numri një i presidencës shkodrane ka kohë që është në kontakte të vazhdueshme për të përzgjedhur lojtarët e duhur për sezonin e ri. Këtë të fundit do ta bëjë pikërisht trajneri Lika.