Trajneri Hasan Lika është prezantuar dje në Shkodër dhe ka filluar menjëherë punën

Nga dita e djeshme ka nisur zyrtarisht puna te Vllaznia për sezonin e ri futbollistik, i cili do të startojë me ndeshjet e Ligës Europiane fillimisht dhe më pas me ato të kampionatit dhe kupës. Caktimi i trajnerit të ri dhe nisja e stërvitjes me ekipin, kanë qenë veçoritë e ditës së djeshme. Fillimisht, në orën 15:00 është bërë prezantimi i trajnerit të ri.

 

Ky prezantim ishte menduar të bëhej më herët, por më pas është shtyrë, ngaqë Lika, ashtu si dhe zëvendëstrajneri i kuqebluve, Cungu, ndodhen në kursin e UEFA‑s dhe prandaj kanë mbërritur direkt në ambientet e stadiumit nga Kamza. Para gazetarëve, presidenti Fushaj në fillim ka bërë të ditur edhe për anën ceremoniale përzgjedhjen e këtij trajneri për të drejtuar Vllazninë në sezonin e ardhshëm. “Jam këtu para jush për të prezantuar trajnerin e ardhshëm të skuadrës sonë, Hasan Likën.

 

Ndihem mirë që arritëm akordin e duhur, ndonëse kemi pasur edhe më parë kontakte me njëri‑tjetrin. Mund të them se jam i lumtur për zgjedhjen që kam bërë, sepse mendoj që kemi gjetur trajnerin e duhur për të drejtuar skuadrën tonë.

Kemi vlerësuar profesionalizmin me të cilin ai ka punuar në skuadrat e tjera më parë dhe shpresoj se do ta bëjë të njëjtën gjë edhe te Vllaznia,” - ka thënë presidenti Fushaj në fillim. Më pas ka qenë radha e “timonierit” të ri të kuqebluve për të folur për herë të parë si trajner i tyre. Ai e ka vlerësuar mbi të gjitha emrin dhe traditën e mirë që ka kjo skuadër në futbollin shqiptar dhe njëkohësisht ka dashur të vlerësojë edhe pretendimet aktuale të klubit që e kanë shtyrë për t’i thënë “po” ofertës së presidentit Fushaj. “Kam pasur edhe oferta të tjera, por vendosa për Vllazninë.

 

E bëra këtë sepse gjithnjë e kam respektuar emrin dhe historinë e kësaj skuadre. Skuadra është e organizuar jashtëzakonisht mirë dhe këtë e tregoi edhe me paraqitjen e saj në sezonin e fundit. Po ashtu, kam respektuar investimin e presidentit Fushaj këto vitet e fundit, sepse ka qenë gjithnjë një skuadër pretendente, një skuadër e denjë për fitimin e trofeve dhe pjesëmarrëse në kupat e Europës.

Duke qenë kështu, jam sot këtu në Shkodër për të nisur një punë të re për të arritur ato objektiva që klubi do të ketë,” ‑ ka thënë ai për gazetarët. Në fakt, për objektivat e vërteta të klubit ai nuk ka qenë në gjendje të flasë shumë, sepse dje ka shkelur për herë të parë në qytetin verior.

Ai vërtet i njeh disa nga lojtarët kryesorë të skuadrës, por kjo nuk mjafton. Nga ana tjetër, ka qenë presidenti Fushaj ai që ka folur më shumë për merkaton dhe objektivat e skuadrës, teksa është shprehur: “Ne gjithnjë kemi objektiva maksimale. Kështu që edhe për këtë sezon është e njëjta gjë. Do të kërkojmë të kalojmë një tur në Ligën Europiane dhe më pas të jemi pretendentë në kampionatin shqiptar.

Do të bëjmë maksimumin edhe në merkato për të marrë lojtarë sa më cilësorë, kuptohet që baza e ekipit është, sepse së fundi firmosën edhe Sinani e Belisha. Presim edhe të tjera dhe e rëndësishme është që me trajnerin Lika të piketojmë lojtarët e duhur për skuadrën. Besoj se kemi për të bërë gjëra të mira,” ‑ ka thënë në fund të prezantimit të djeshëm presidenti Fushaj.


Faza përgatitore, disa variante të mundshme

Pas kësaj jave, ekipi i Vllaznisë do të largohet nga Shkodra për të zhvilluar një periudhë 12‑13 ditore stërvitje në kushte më komode. Por megjithëse është vendosur kështu, ende nuk është shumë e qartë se ku do të zhvillohet kjo stërvitje. Janë duke u parë disa variante të mundshme, si brenda, ashtu dhe jashtë vendit dhe në fund do të zgjidhet alternativa më e mirë e mundshme. Ka qenë vetë presidenti Fushaj ai që e ka konfirmuar një gjë të tillë dje para mediave, teksa ka thënë se skuadra do të përgatitet në kushte shumë të mira përpara sfidës së parë të Ligës Europiane, që do luhet më 2 korrik.

“Për në Europë do të marrim lojtarë të huazuar”

E ka konfirmuar dje vetë presidenti Fushaj. Vllaznia në Ligën Europiane do t’i plotësojë radhët e saj me disa futbollistë të huazuar nga ekipet e tjera. Nuk bëhet shumë e ditur se nga çfarë ekipi apo vendi do të jenë këta lojtarë, por presidenti Fushaj gjithsesi ka dhënë disa detaje të vogla. “Skuadra me 90 për qind do të jetë e kompletuar që tani edhe për kampionat, ndërsa për ndeshjet europiane do të marrim 3 lojtarë në formë huazimi nga ekipe të tjera. Jemi ende në fazën e bisedimeve dhe mendoj se do të jenë lojtarë shumë të mirë, që do të na shërbejnë për kalimin e të paktën një turi në kupën ku do të marrim pjesë,” ‑ ka thënë ai. Me shumë të ngjarë, Vllaznia do të marrë lojtarë nga Turqia, ngaqë raportet me disa ekipe të këtij vendi i ka shumë të mira.


Stërvitja e kuqebluve nis pa probleme

Dje në fushën e Shtojit ekipi shkodran ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për Ligën Europiane. Ka qenë seanca stërvitore e parë për trajnerin Hasan Lika, i cili është takuar me futbollistët e pranishëm. Ka rënë në sy prania e disa futbollistëve që nuk i kanë thënë akoma “po” presidentit Fushaj për rinovimin e kontratës, si Osja, Kaçi dhe Doçi, të cilët me daljen në fushën stërvitore në njëfarë mënyre janë dakord. Ndoshta pritet dita e sotme që të bëhet zyrtare zgjatja e kontratës edhe nga këta tre futbollistë. Në këtë kontigjent futbollistësh në seancën e parë mungonin dy lojtarë të ekipeve tona përfaqësuese, Beqiri me komëbatren e parë dhe Sykja me ekipin Shpresa.

Nallbani dhe Bashiç vijnë nesër

Dy futbollistët “jabanxhinj” të Vllaznisë, kosovari Ilir Nallbani dhe kroati Marko Bashiç, do të kthehen nesër në klubin e Vllaznisë, duke iu bashkuar pjesës tjetër të ekipit. Të dy futbollistët në fjalë kanë pushuar dy ditë më tepër, pasi edhe vendlindja e tyre është më larg se e futbollistëve të tjerë. Kujtojmë që të dy futbollistët janë nën kontratë dhe për këtë arsye nuk ka qenë e nevojshme të zgjatet kontrata me ta. Ata kanë qenë pjesë e rëndësishme e Vllaznisë këtë sezon dhe kështu mendohet të jenë edhe për këtë sezon të ri, pse jo që në ndeshjet europiane. Mbrëmë është pritur një futbollist kosovar, për të cilin nuk është mësuar shumë dhe do të jetë në provë për disa ditë. Do të jetë trajneri Lika tani që do të japë vendimin për të. Pritet që në ditët në vazhdim testimet të jenë edhe për disa futbollistë të tjerë.

sporto shqiptar

Komentet