Në prononcimin e tij të parë si trajner i Vllaznisë, Hasan Lika ka thënë për “Panorama Sport”, se shkon Shkodër me synime të qarta për të fituar titullin kampion. Klubi shkodran ka vendosur përfundimisht për ish-trajnerit e Partizanit, pikërisht në ditën e ndeshjes Shqipëri-Portugali. Presidenti Valter Fushaj ka bindur Likën, i cili, përveç të kuqve, ka drejtuar më parë Teutën dhe Kombëtaren U- 21. Edhe pse u përmendën dy emra të tjerë trajnerësh, si malazezi Sllobodan Haliloviç dhe Shpëtim Duro, më në fund u zgjodh Lika, i cili sot do të bëj edhe prezantimin para mediave. “Po, mund ta konfirmoj që nesër (sot) do të bëj prezantimin si trajneri i ri i Vllaznisë. Kam biseduar me presidentin Fushaj dhe kemi rënë dakord për gjithçka. Puna ime fillon që nesër (sot)”, - tha fillimisht Lika, në një bisedë telefonike për gazetën. I bindur për riskun që ka marrë përsipër, trajneri i ri i kuqebluve, pas një periudhe pushimi, që nga koha kur drejtonte të kuqtë, kërkon t’i rikthehet profesionit të tij me plot ambicie. “Kontrata ime me Vllazninë është me objektiva të qarta për sezonin që fillon. Kemi biseduar dhe do të bisedojmë në vazhdimësi me presidentin Fushaj për ndërtimin e skuadrës”, - shtoi tekniku tiranas. Ai konfirmoi se marrëveshja që ka arritur me klubin shkodran është për një sezon.

Dilemat

Më tej, trajneri Lika, i pyetur nëse do ta ruante grupin e lojtarëve që dolën nënkampionë me Vllazninë në sezonin e fundit, u shpreh: “Tani nuk mund të them diçka konkrete. Të shikojmë se si do të shkojnë gjërat në vazhdimësi. Mesa di unë, presidenti është në bisedime me futbollistët dhe këto ditë do të vendosim gjithçka”. Edhe pse disi i rezervuar në fjalët e tij, Lika pranoi se ka marrë garanci nga presidenti Fushaj, për ndërtimin e një ekipi kompetitiv, që do të jetë në luftë për të dy trofetë sezonalë. “Natyrisht, unë tani kam përfunduar gjithçka dhe në vazhdimësi mund të flas më qartë. Por sigurisht, Vllaznia është një skuadër që gjithnjë synon trofe. Ky nuk është një objektiv vetëm për mua, por mendoj se për çdo trajner që shkon në Shkodër. Tani për tani, kaq mund të them. Të gjithë e dinë që presidenti Fushaj është munduar gjithmonë që ta mbajë Vllazninë në nivele të larta. Kjo është karakteristikë e popullit shkodran dhe unë shkoj për të vazhduar këto përpjekje, në mënyrë që Vllaznia të synojë trofe. Gjatë rrugës do të flasim më qartë”, - theksoi Lika. Në drejtimin e tij, në sezonin 2007-2008, Partizani doli nënkampion, ndërkohë që në karrierën e Likës si trajner, suksesi më i madh është Kupa e fituar me Teutën, në vitin 2000.

panorama