Menjëherë pas kthimit të presidentit të Vllaznisë, kanë filluar bisedimet për kontratat

Me të mbërritur në Shkodër, ka nisur menjëherë nga puna. Ashtu siç pritej, presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, pas kthimit nga jashtë, ka nisur të formatojë menjëherë skuadrën e ardhshme. Për këtë arsye, ka filluar të bisedojë menjëherë me titullarët aktualë të kuqebluve.

Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht nga ana e klubit shkodran dhe që konfirmon bisedimet në fjalë. Të parët që janë ulur në tavolinën e bisedimeve kanë qenë Sinani, Grima dhe Belisha. Numri një i klubit shkodran e ka vlerësuar kontributin e këtyre lojtarëve në sezonin që sapo u mbyll dhe jo më kot dëshiron t’i ketë në skuadër edhe për sezonin e ri. Për këtë aryse, një nga këta futbollistë kanë biseduar gjerë e gjatë me presidentin e tyre për problemin e kontratave të ardhshme.

Fushaj u ka bërë ofertën e tij dhe nga ana tjetër lojtarët e kanë vlerësuar për respektin që ka treguar ndaj tyre. Bisedat mes tyre nuk kanë zgjatur shumë, sepse presidenti i Vllaznisë u ka lënë dy ditë afat këtyre futbollistëve për të vendosur. Ai nuk ka dashur një përgjigje të menjëhershme nga ana e tyre.

U ka lënë mundësi të mendohen dhe vetëm të shtunën pastaj do të presë vendimin e tyre, nëse pranojnë të luajnë për skuadrën shkodrane edhe në sezonin e ri apo jo. Nga ajo që mësohet, është se presidenca ka vendosur që për disa prej lojtarëve të ketë zbritje në kontratat e tyre. Për rrjedhojë, tashmë pritet reagimi i tyre, që kuptohet nuk do të jetë shumë e vështirë për t’u marrë vesh, sepse nesër ata do vendosin nëse do ta pranojnë ofertën e skuadrës së qytetit të tyre apo jo.

Sinani, Grima e Belisha tashmë kanë filluar të mendojnë për këto oferta. Nga ana tjetër, dje pasdite ka qenë radha e një tresheje tjetër për të biseduar. Dhe pikërisht e Osjes, Kaçit e Doçit. Edhe me ta është ndjekur e njëjta strategji, u është bërë oferta financiare dhe u është lënë njëkohësisht 48 orë në dispozicion për të vendosur.

Kjo pasi të dielën, drejtuesit e klubit duan ta kenë të qartë në mendjen e tyre se me cilin kontigjent do të nisin stërvitjen të hënën. Kjo praktikë e bisedimeve do vazhdojë sot edhe me ndonjë futbollist tjetër që ka mbetur pa u ulur në tavolinë me presidentin dhe pastaj do nisin lëvizjet e tjera në pistën jashtë Shkodre.

Fillimisht me lojtarë të kampionatit shqiptar dhe më pas edhe me të huaj. Piketimet janë bërë për këtë madje në disa pista. Ajo çfarë pritet është vetëm konkretizimi i bisedimeve të bëra prej ditësh. Vetë Fushaj dje është dukur optimist. Ndonëse nuk ka folur për mediat, është parë qartë se ai ka ndër mend të ndërtojë një ekip shumë të fortë. Këtë në fakt e duan të gjithë në Shkodër. Mbi të gjitha tifozët e zjarrtë të kësaj skuadre, të cilët pak ditë më parë në fakt mbeten të zhgënjyer nga Vllaznia e tyre, ngaqë ajo nuk i kënaqi me titullin kampion.