Ditët e fundit, në klubin “Vllaznia” ka nisur puna për seleksionimin e elementit të ri, të cilëve mund t’u ofrohet një kontratë më pas me kuqeblutë. Për këtë arsye, në fushën sportive të Shtojit janë grumbulluar disa nga të rinjtë më të mirë që vijnë nga ekipet zinxhir që funksionojnë në Shkodër.

Janë elementët më të spikatur të tyre, të cilët do të kalojnë në “sitën” e disa specialistëve dhe për rrjedhojë ata do të evidentojnë disa që kanë veti dhe aftësi më të mira nga gjithë të tjerët. Testimi pritet të zgjasë disa ditë dhe në fund të gjithë shpresojnë se tek ekipi i Vllaznisë do të afrohen lojtarët më të talentuar.

Vitet e fundit klubi shkodran i ka kushtuar jo pak kujdes elementit të ri, me të cilin ka filluar edhe të ketë përfitime financiare nga shitja e tyre. Kujtojmë këtu shitjen e Gilman Likës vjet në Turqi, ndërkohë që këto ditë pritet edhe Shtubina të kalojë në këtë kampionat. Shkodra gjithnjë është thënë se është “fidanishte talentesh” dhe pikërisht për këtë po tentohet të zbulohen të tjerë talente, që mund t’i shërbejnë skuadrës shkodrane në të ardhmen.

Nga sa mësohet, drejtuesit e klubit kuqeblu kanë vendosur që edhe këtë radhë seleksionimi të kryhet nga një grup specialistësh së mirëfilltë, të cilët në një të ardhme mund të jenë një bord teknik pranë ekipit.
Megjithatë, drejtuesit e skuadrave zinxhirë në qytetin verior, që kanë nxjerrë jo pak emra të mëdhenj të futbollit shkodran e atij shqiptarë, shpresojnë se këtë herë ky seleksionim të mos jetë vetëm në kuadrin e një dite, por lojtarët të shikohen për një periudhë më të gjatë kohore, në mënyrë që të dilet në konkluzione të sakta.

Komentet