Nga Ukraina, mbrojtës për Vllazninë
Kraja: Më kërkojnë shumë, edhe nga jashtë, por s’ka si të jesh pranë familjes
Është 26 vjeç, prodhim “puro” i Vllaznisë së Shkodrës, madje fillimisht si sulmues, duke qenë edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit të rinjve kampion përpara 10 viteve, së bashku me shokët e tij të skuadrës, si Belisha, Kaçi, Doçi, Salihi, e ndonjë tjetër. Por, më pas specialistët, duke parë shtatlartësinë e tij prej 1 metër e 93 centimetra e tërhoqën në mbrojtje, aty ku luajti me sukses në disa kampionate me Vllazninë, duke shijuar edhe një titull kampion në 2001-2002. Ndërkohë që provoi edhe futbollin grek me Iraklis, Besën e Kavajës dhe së fundmi në Ukrainë në përbërje të skuadrës Zakarpatia. Në tërë këto vite ka qenë pjesë e përhershme si titullar me të gjitha ekipet kombëtare të moshave, deri edhe në kombëtaren e madhe të para dy viteve. Por këtu pa lënë ndonjë gjurmë, pasi nuk iu dha mundësia për momentin. E pas të gjithë këtyre, tashmë ai preferon të rikthehet sërish në kampionatin shqiptar e më së shumti në Shkodër e të luajë për Vllazninë e tij. Gjithësesi, kjo është për momentin vetëm një dëshirë e tij, pasi më saktësisht do ta vendosin situatat e mëvonshme. “Përse të mos kthehem?”, shprehet Kraja, duke mos nguruar që ekziston një dëshirë e tillë për t’iu kthyer kampionatit shqiptar. “Jo se jam keq, - vijon ai -, pasi në Ukrainë kam kaluar mjaft mirë, sidomos në aspektin financiar, ku edhe trajtimi im ishte sa dyfishi që kisha me Vllazninë kur u largova. Por, ndër të tjera, nisur edhe nga disa rrethana personale, mirë do të ishte që të sistemohesha më pranë familjes”, thotë Kraja.
S.Ekspres