Në klubin “Vllaznia” nuk do ketë shumë kohë në dispozicion për të pushuar. Mbyllja e një sezoni përkon njëkohësisht me fillimin e përgatitjeve për pjesëmarrjen në kupat e Europës. Dhe meqë ndeshjet e Ligës Europiane, ku do të marrë pjesë skuadra shkodrane nisin në ditët e para të korrikut, sigurisht që punët duhen bërë shumë shpejt.
Fillimisht me përzgjedhjen e trajnerit dhe më pas të lojtarëve me të cilët do të formohet skuadra e sezonit të ardhshëm. Për këtë të fundit vetë presidenti Fushaj ka deklaruar: “Lojtarët që mendojnë se i duhen Vllaznisë edhe për sezonin e ardhshëm, do ftohen këto ditë dhe do t’u bëhet oferta financiare për kontratën e re.
Do t’i presim vetëm 3 4 ditë, periudhë kjo e mjaftueshme për të vendosur dhe, kush të jetë dakord, do nisë përgatitjet me skuadrën për ndeshjet europiane. Punën e kontratave dua ta mbyll sa më shpejt të jetë e mundur,” ka thënë ai.