Portieri veteran evidenton arritjet pozitive
Pavarësisht se shkodranët kanë humbur titullin kampion në takimin e fundit përballë Tiranës, përsëri për lojtarët e kësaj skuadre, ky sezon nuk mund të quhet kurrsesi i dështuar. Një mendim të tillë ka një nga lojtarët më me eksperiencë të Vllaznisë, veterani i portës shkodrane, Armir Grima. Në këtë sezon skuadra kuqeblu nuk arriti të realizonte asnjë nga objektivat që kishte përcaktuar qysh në fillim. Pikërisht përballë Tiranës, ekipi i Vllaznisë është detyruar të largohet nga aventura e Kupës së Shqipërisë në turin gjysmëfinale. Po ndaj Tiranës skuadra shkodrane ka humbur edhe finalen për titullin kampion të Shqipërisë. “Pavarësisht se ekipi ynë nuk ka arritur të marrë as kupën dhe as kampionatin në këtë sezon në asnjë mënyrë nuk mund ta quaj një sezon të dështuar. Skuadra jonë është përpjekur deri në minutën e fundit dhe ka qenë deri në fund të këtij sezoni pretendente për titullin kampion, paçka se nuk e kemi arritur atë në takimin e fundit me Tiranën. Ne jemi munduar të bëjmë më të mirën në këtë sezon, pavarësisht se nuk ia kemi arritur të kurorëzohemi në fundin e tij. Ne kemi qenë për shumë
e shumë javë të parët dhe gjatë gjithë këtij sezoni kemi qenë një ndër ekipet më të mira të vendit, pavarësisht oshilacioneve që kemi pasur me uljet e me ngritjet e veta”, -është shprehur zv/kapiteni i Vllaznisë, Armir Grima.
Problematika
Pavarësisht se kuqeblutë e kanë arritur një objektiv, atë të përfaqësimit në një nga kupat e Evropës, përsëri mosarritja e objektivave primarë për këtë ekip ka nxjerrë në pah edhe problematikën e vet. Pavarësisht se ende drejtuesit e klubit nuk e kanë analizuar kontributin e gjithsecilit prej lojtarëve të tyre në këtë sezon, për veteranin e portës shkodrane Grima, një problem i madh për ekipin e tij kanë qenë të gjithë takimet ndaj “të voglave” në fushën e tyre. “Në Shkodër ne kemi vuajtur përballë kundërshtarëve të ashtuquajtur të vegjël, ndërsa në çdo takim që kemi pasur jashtë kemi pasur përsëri shumë vështirësi. Nuk e di pse në çdo takim në Shkodër kemi pasur më shumë presion se në takimet në transfertë. Në takimet në shtëpinë tonë mund të kishim arritur maksimumin, këtu edhe kemi gabuar. Na është dashur të luftojmë të vetëm në këtë kampionat dhe prandaj nuk duhet ta hedhim
poshtë mundin e të gjithëve përsa i përket dhe arritjes së vendit të dytë. Për mendimin tim për mosarritjen e objektivave të këtij sezoni, që ishte fitimi i trofeve, nuk ka gabuar njëri apo tjetri lojtarë, njëri apo tjetri sektor, por kemi gabuar të gjithë”, - thekson gardiani i portës shkodrane.
Ndjesa
Pavarësisht se numri një i portës shkodrane Grima e quan një sezon jo të dështuar, paçka se nuk u fitua asnjë trofe dhe vendi i dytë për këtë ekip shihet si një arritje, përsëri ai i kërkon ndjesë sportdashësve për mosfitimin
e titullit kampion dhe sidomos për takimin e fundit me Tiranën. “Dua t’i kërkoj ndjesë të gjithë tifozëve për mos arritjen e fitimit të titullit kampion e sidomos të paraqitjes sonë në takimin e fundit me Tiranën. Ne ishim futur në fushë pas ‘shokut’ që pësuam në takimin e fundit me Lushnjën dhe medoemos na duhesh që ta fitonim atë takim. Por goli shumë i shpejtë na e rriti më shumë presioni, derisa gjithçka u bë e pamundur pas pësimit të golit të dytë. Unë dhe të gjithë e kemi vuajtur shumë humbjen e këtij titulli, por më shumë po vuajmë atë zhgënjim që i dhamë tifozit tonë. Prandaj ndjesa është për ta dhe drejtuesit e klubit që kanë bërë maksimumin gjatë këtij sezoni”, - thotë në fund të fjalës së tij, portieri shkodran Armir Grima.
Panorama