Kroati Plantiç, i pari që largohet

Ndonëse në media kanë filluar të lakohen emrat e parë të futbollistëve që do largohen nga Vllaznia, nga ana e klubit shkodran nuk pohohet asgjë në këtë drejtim. I vetmi emër i dhënë publikisht si i larguar është ai i kroatit Mirko Plantiç. Këtë e ka bërë të ditur dje vetë presidenti Fushaj, i cili këtë vendim ia ka komunikuar edhe vetë lojtarit përpara nisjes së tij për në Kroaci.

Plantiç erdhi me bujë në merkaton e janarit si përforcim për mbrojtjen dhe mesfushën, por në fakt nuk ka rezultuar i tillë. Ka luajtur në shumë pak ndeshje dhe në to nuk ka qenë shumë deciziv. Për këtë arsye, klubi ka vendosur të mos e rinovojë kontratën me të. Në këtë mënyrë kroati bëhet i pari futbollist i larguar nga Vllaznia.