Presidenti Valter Fushaj u kërkon falje tifozëve për titullin, që u humb ndaj Lushnjës, sipas tij
E ka dëshiruar shumë një titull kampion këtë sezon. Ka bërë gjithçka për ta arritur atë, por në fund nuk ia ka dalë. I vjen keq për veten, por mbi të gjitha për tifozët shkodranë. Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, në një prononcim të djeshëm, ka folur në lidhje me ndeshjen e së shtunës ndaj Tiranës, teksa ka shpjeguar gjithçka ka ngjarë aty. Në intervistën e tij për “Sportin shqiptar”, ai është shprehur:
Vllaznia dështoi në përpjekjet e saj për t’u shpallur kampione…?
Në radhë të parë, dua të them se Vllaznia nuk ka dështuar në objektivat e saj. Ajo që në fillim të sezonit ka pretenduar për të qenë në vendet e para të tabelës së renditjes dhe për të marrë pjesë në kupat e Europës, në fakt këtë e ka arritur, madje ishte shumë pranë edhe titullit kampion. Por nëse ka ndonjë gjë që ka dështuar këtë sezon, është investimi im.
Them dështim, sepse kam investuar për ta nxjerrë këtë ekip kampion dhe vendi i dytë nuk e justifikon atë. Kam shpenzuar në fillim të sezonit, teksa morëm pjesë në Kupën UEFA dhe u përfaqësuam denjësisht, kam shpenzuar për kampionatin, për merkaton e janarit vetëm e vetëm që të dilnim kampionë. Shumat e shpenzuara kanë qenë shumë të mëdha dhe vetëm nëse do të dilnim të parët, do isha i shpërblyer.
Pse nuk mundi Vllaznia të fitonte ndaj Tiranës?
Unë nuk e shoh humbjen e titullit pikërisht në ndeshjen e fundit me Tiranën. Vllaznia e ka humbur titullin kampion në ndeshjen me Lushnjën. Pas asaj ndeshjeje kam qenë tepër i mërzitur, madje për dy ditë me radhë nuk kam komunikuar me asnjeri. Ndërsa humbja me Tiranën në njëfarë mënyre nuk më erdhi e papritur.
E ndërtuam strategjinë e lojës të tillë që të shënonim me çdo kusht, por në fakt gabuam që në minutën e parë dhe kjo kushtëzoi vazhdimin e mëtejshëm të ndeshjes. Ndodhi ajo që i ndodhi vjet Tiranës në finalen e Kupës, kur shënuam në minutën e shtatë dhe ajo nuk mundi të reagonte.
Duhej të luante me atë mënyrë loje Vllaznia ndaj Tiranës?
E thashë edhe më lart, që titullin ne e humbëm në Shkodër me Lushnjën. Nëse do ta kishim fituar atë ndeshje, do kishim shkuar në Tiranë për të marrë edhe një barazim dhe të jeni të sigurt se do ta kishim arritur. Katër herë jemi ndeshur më parë me Tiranën brenda këtij sezoni dhe asnjëherë nuk na kanë mundur brenda 90 minutave. Kështu do kishte ndodhur edhe këtë herë, por deshëm të sulmonim, sepse vetëm ashtu mund të fitonim, por në fakt e pësuam.
Lojtarët, por edhe stafi kanë pasur vërejtje për gjykimin. Ju si e gjykoni?
Tashmë kjo çështje është e mbyllur, por mendimi im është se gjyqtarët kishin punuar për atë ndeshje.
Do ketë ndonjë masë tani?
Deri në fund të kësaj jave, së bashku me stafin tim do mblidhemi dhe do diskutojmë mbi këtë çështje, por edhe shumë të tjera. Sa u takon gjobave të paralajmëruara që javën e kaluar, mund të them se secili futbollist do të kalojë në “sitën” e bordit drejtues, teksa do të vlerësohet kontributi gjithëvjetor i secilit dhe prej tyre do varen edhe masat. Mund të them se ndëshkimet do jenë të tilla, nga një rrogë mujore deri në 30 për qind të vlerës së kontratës.
Po planet për pjesëmarrjen në Ligën e Europës?
Në mbledhjen e kësaj jave të bordit do të diskutohen shumë probleme. Kuptohet, edhe për të ardhmen, teksa deri nga data 5 apo 10 qershor mendoj se skuadra do jetë pushim. Më pas do nisë nga stërvitja dhe përgatitjet për pjesëmarrjen në Europë, sepse nuk kemi shumë kohë në dispozicion, ngaqë ndeshja e parë luhet më 2 korrik. Gjatë kësaj mbledhjeje do diskutohen edhe për problemet e lojtarëve që do largohen, ngaqë u mbaron kontrata, atyre që do t’u bëjmë ofertë për t’i rinovuar apo dhe emrat e lojtarëve që do kërkojmë të marrim.
Po për trajnerin, do të qëndrojë Haxhiosmanoviç?
Kjo mbetet për t’u parë. Me të kemi pasur një kontratë 3-mujore me të drejtë rinovimi edhe për një vit tjetër. Kështu që më parë do analizojmë këtë sezon që sapo mbyllën dhe pastaj do fillojmë të diskutojmë për atë që do vijë.
Kuqeblutë, kontrata deri më 6 qershor
Të gjithë futbollistët e Vllaznisë kanë kontrata me klubin dhe presidentin deri më 6 qershor. Duke qenë kështu, duket se është plotësisht e drejtë e klubit që të marrë masa ndëshkimore për lojtarët për mosarritjen e objektivit. Presidenti Fushaj ka deklaruar që pas ndeshjes me Lushnjën se ndaj skuadrës do ketë masa, por ato i shtyu pas ndeshjes me Tiranën.
Tashmë që nuk u arrit titulli, priten ndëshkimet. Kuptohet, nuk do ta pësojnë të gjithë, por ata që nuk kanë dhënë atë që pritej prej tyre. Skuadra e Vllaznisë ka qenë ndër më të paguarat e kampionatit shqiptar dhe nga ana tjetër ka pasur një korrektesë shumë të madhe nga ana e presidentit në këtë drejtim.
S.Shqiptar