Drejtuesit e klubit të Vllaznisë përsëri edhe në këtë takim final për titullin kampion kanë kërkuar ndihmesën e tifozerisë së zjarrtë shkodrane. Për këtë takim drejtuesit e klubit shkodran kanë porositur 10 autobusë,
që do të jenë falas për tifozët shkodranë, të cilët do të udhëtojnë drejt Tiranës të shtunën. Por kjo nuk do të jetë e prerë, pasi drejtuesit e klubit mund t’i shtojnë autobusët në vartësi të fluksit të tifozëve. Këta të fundit, edhe pse janë zhgënjyer nga paraqitja e ekipit të Vllaznisë në takimin e fundit, përsëri duket se do ta mbështetin fuqishëm ekipin e tyre në ndeshjen e fundit të sezonit, që përcakton titullin kampion. Drejtuesit e klubit para takimit me Lushnjën kishin programuar që për ndeshjen me Tiranën të vinin në dispozicion të fansave trenin. Por vetë barazimi dhe ftohja disi e atmosferës para finales i ka detyruar këto të fundit që të kthehen përsëri tek autobusët. Presidenca kërkon të ketë maksimumin e tifozëve në “Qemal Stafa”, në mënyrë lojtarët të mos ndihen të pambështetur në sfidën më të rëndësishme të sezonit.