Trajneri Dervish Haxhiosmanoviç kërkon të përsëritë suksesin e vjetshëm në Kupë
Barazimi në javën që shkoi sigurisht që i ka lënë një shije të keqe. Nuk e kishte menduar kurrsesi se do të ndodhte ajo që ndodhi, megjithatë që nga e hëna trajneri i Vllaznisë, Dervish Haxhiosmanoviç, ka filluar të mendojë për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit. Atë të kësaj fundjave me Tiranën që do të përcaktojë edhe skuadrën fituese të titullit kampion.
Pavarësisht se skuadra e tij nuk është favorite për këtë ndeshje, pavarësisht se luhet në Tiranë dhe jo në Shkodër, sërish ai mendon se kuqeblutë kanë shanse për të treguar veten e tyre dhe këtë gjë do ta bëjnë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Duke folur për “Sportin shqiptar”, tekniku malazez i Vllaznisë thotë: “Nuk jemi favoritë për këtë ndeshje. Më ndryshe do të kishte qenë puna nëse do kishim shkuar me një pikë avantazh në Tiranë, sepse do të kishim pasur edhe barazimin në anën tonë, megjithëse edhe ai nuk do të kishte qenë gjithçka. Por edhe në këtë situatë që jemi, unë vazhdoj të besoj te titulli kampion.
Ndaj Tiranës gjithnjë kemi luajtur mirë dhe besoj se kështu ka për të ndodhur edhe këtë herë. Nuk besoj se kundërshtari ynë do ta fitojë kollaj ndeshjen. Nga natyra jam optimist dhe i tillë kam qenë gjithnjë dhe prej kësaj nuk heq dorë lehtë nga pikësynimet e mia. Të njëjtin mendim besoj se kanë edhe futbollistët e Vllaznisë, sepse edhe ata duan ta mbyllin me sukses këtë kampionat.
Nëse kemi arritur këtu ku jemi, është merita e të gjithëve që kanë punuar për këtë gjë dhe nuk ka pse të mos bëjmë edhe një sforco tjetër të fundit.” Për “Dedën”, vendimi i bordit drejtues të klubit për të mos ndëshkuar skuadrën pas barazimit me Lushnjën është pozitiv, sepse rikthen entuziazmin dhe atmosferën në radhët e saj. Po ashtu, gjë e mirë për kuqeblutë është edhe gatishmëria e të gjithë futbollistëve për ndeshjen e fundit të kampionatit.
Me përjashtim të Shtubinës, që ka ende pak probleme, por të cilat do të kalojnë deri të shtunën, gjithë futbollistët e tjerë janë të gatshëm për këtë ndeshje. Ky është një plus më tepër, ndërkohë që tashmë ka nisur puna për përgatitjen e skuadrës nga ana psikologjike dhe taktike për këtë takim. Për ndeshjen e fundit me bardheblutë pritet të ketë një numër të konsiderueshëm tifozësh shkodranë, të cilët në fakt janë ftohur paksa me skuadrën pas barazimit të tri ditëve më parë.
Por vetë Haxhiosmanoviç mendon ndryshe, teksa në fund thekson: “Nuk mendoj se ai barazim do të ndikojë tek tifozët. Ai që është tifoz dhe e do me zemër Vllazninë, nuk ka se si të mos jetë në Tiranë për këtë ndeshje. Përderisa kemi ende shanse për t’u shpallur kampion, tifozët me siguri që nuk do kenë dëshirë ta shijonin një titull të mundshëm nga shtëpia, por ta shijojnë atë nga shkallët e stadiumit. Unë dua t’i siguroj ata se Vllaznia nuk ka për t’i zhgënyer në këtë ndeshje shumë vendimtare të këtij sezoni.”
“Deda” vëzhgon në kasetë ndeshjen e Kupës
Drejtuesit e klubit të Vllaznisë i kanë mundësuar trajnerit Haxhiosmanoviç kasetën e ndeshjes së kthimit gjysmëfinale të Kupës me Tiranën. Ka qenë vetë trajneri që ka shfaqur dëshirën për ta parë këtë ndeshje edhe një herë për të analizuar.
Kuptohet, për të gjetur më saktë se cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të këtij kundërshtari. Në ditët në vijim, me shumë mundësi kjo kasetë do të shikohet edhe me ekipin, për të krijuar te të gjithë një ide më të saktë të asaj se si mund të thyhet ky kundërshtar në takimin shumë të rëndësishëm të së shtunës, që do të vendosë edhe për fatin e skuadrës që do dalë kampione e sezonit 2008 2009.
Kuqeblutë, që sot të grumbulluar në Durrës
Ekipi shkodran, për t’u përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme për ndeshjen e radhës me Tiranën, do të grumbullohet që pasditen e sotme në bregdetin durrsak. Kështu është vendosur pas një bisede të presidentit Fushaj me drejtuesit e klubit dhe ata të stafit drejtues. Vendimi për ta larguar skuadrën nga Shkodra është dukur zgjidhja më e mirë e mundshme, në mënyrë që futbollistët të përgatiten larg zhurmës dhe presionit, që është shumë normal në raste të tilla.
Mësohet se pas stërvitjes së sotme, që do zhvillohet në qytetin e tyre, kuqeblutë do të marrin rrugën drejt Durrësit. Ata do të sistemohen në rezidencën e tyre të zakonshme, në hotel “Leonardo” në breg të Adriatikut, ndërkohë që nesër është planifikuar të zhvillohet një seancë stërvitore, ose në stadiumin e Durrësit, ose në fushën e Shijakut.
Akomodimi do të jetë në kushte të rrepta regjimi deri të shtunën pasdite, kur do të marrin rrugën për në Tiranë për të luajtur ndeshjen shumë të rëndësishme të sezonit të tyre, atë ndaj Tiranës, ku mund të bëjnë të tyrin titullin e 10 të kampion. Kështu u veprua edhe vitin e kaluar në prag të finales së Kupës me Tiranën në Elbasan, ku skuadra u grumbullua dy ditë më parë në këtë qytet. Vjet një grumbullim i tillë rezultoi me fat, por a do të ngjajë kështu edhe sivjet?!
Sporti Shqiptar