Pasi kanë kaluar me sukses Dinamon, kuqeblutë kanë filluar të mendojnë për sfidën e radhës, që do ta zhvillojnë sërish në “Loro Boriçi” me Lushnjën. Shkodranët janë të vendosur që të mos e lëshojnë më kreun, ndaj po përgatiten intensivisht. Për portierin veteran të ekipit, Armir Grima, kundërshtarit të radhës do t’i kushtohet i njëjti vlerësim dhe impenjim si Dinamos. Nëse dinamovitët luanin thjesht një takim prestigji ndaj Vllaznisë, lushnjarët do të luajnë në Shkodër për të realizuar objektivin, që është qëndrimi në Superiore. Ndaj për kuqeblutë, takimi i radhës nuk është aq i lehtë sa mendohet. Megjithatë i gëzon fakti që do të luajnë brenda në shtëpi dhe përballë tifozërisë së tyre.
Portieri
“Fitorja e së shtunës me Dinamon ishte më se e merituar nga ana jonë. Megjithatë, tashmë e kemi hedhur pas krahëve dhe kemi filluar të mendojmë vetëm për kundërshtarin e kësaj jave, Lushnjën, në mënyrë që ta kalojmë me sukses edhe këtë sfidë. I kemi vlerësuar maksimalisht verdhejeshilët, pasi nuk kemi pse të nisemi nga pozicioni që mbajnë në tabelën e klasifikimit. Ashtu si me blutë, edhe me djemtë e Gjylës do të synojmë tri pikët, sepse kështu do ta kemi më të lehtë rrugën drejt titullit kampion. Megjithatë jemi të ndërgjegjshëm se nuk do ta kemi aspak më të thjeshtë me Lushnjën, sesa e kishim me dinamovitët. Kjo për faktin se myzeqarët luajnë për mbijetesë, e do të kërkojnë me çdo kusht pikët e plota. Por ne nuk do ta lejojmë Lushnjën të na marrë pikë brenda në shtëpi”, u shpreh gardiani i shkodranëve Armir Grima, i cili ka bërë një paraqitje të mirë këtë sezon.
Qetësia
Kuqeblutë duhet ta mbajnë deri në fund të sezonit këtë ritëm, për të qenë më të qetë përpara takimit të fundit që do ta luajnë në “Qemal Stafa” me Tiranën.“ Nuk duhet ta nënvlerësojmë Lushnjën, pasi kemi nevojë për pikë më tepër se kurrë. Në të kundërt, do ta kemi tepër të vështirë rrugën drejt titullit. Pra, me pak fjalë, çdo hap fals do të ishte fatal për ne. Megjithatë, kam besim të plotë se do vazhdojmë ta mbajmë këtë ritëm deri në fund të sezonit”, vijoi më tej portieri Grima.
Tirana
Pavarësisht ndeshjes së radhës me Lushnjën, në Shkodër të gjithë mendojnë për sfidën e fundit të kuqebluve me Tiranën, për të cilën portieri veteran e me mjaft eksperiencë thekson se duhet të mendohet vetëm në javën e fundit të kampionatit. “Për Tiranën duhet të mendojmë vetëm në fillim të javës tjetër. Për ne është një takim shumë i rëndësishëm dhe të gjithë e dimë se sa vlerë ka në këtë fund kampionati. Megjithatë më parë duhet të kalojmë me sukses Lushnjën, pastaj të mendojmë për bardheblutë. E rëndësishme është, që në përballjen e fundit diferenca me kundërshtarin tonë të mos jetë një pikë”, përfundoi Grima.
Panorama