Vllaznia Dinamo 1 0
Shënues: Lici 45′ (11-m)

Vllaznia: Grima, Smajli, Beqiri, Bashiç, Lici, Boadu, Belisha (Osja 78′), Nallbani, Shtubina (Plantiç 87′), Dhëmbi (Kaçi 75′), Sinani. Trajner: D.Haxhiosmanoviç.
Dinamo: Kotorri, Sina, Nikoliç, Pisha, Brahja, Ferraj (Jusufi 87′), Poçi, Bakaj, Romero, Çeko, Plaku (Daja 8′). Trajner: Sh.Muça.
Gjyqtarë: K.Meta (Tiranë), E.Pjetrushi, R.Çokaj (Lezhë)
Kartonë të verdhë: Smajli, Nallbani, Grima, Poçi, Pisha, Brahja, Çeko

“Kronika”
2′- Romero kalon bukur dy mbrojtës të Vllaznisë, gjuan nga rreth 20 metra dhe Grima me këmbë largon topin.
4′- Boadu mundohet të rrezikojë, teksa vë në provë Kotorrin, por nuk ia del dot të shënojë.
17′- Bakaj gjuan jashtë zone, Grima me shumë vështirësi e zotëron topin në dy kohë.
18′- Sinani i shmanget mirë mbulimit të një mbrojtësi, gjuan nga 20 metra, pret Kotorri.
23′- Kotorri gabon në një dalje nga porta pas krosit nga këndi, por e korrigjon shpejt gabimin, teksa pret topin e gjuajtur me kohë nga Beqiri.
28′- Sinani i shmaget mbulimit të Pishës, gjuan, por pa arritur dot ta çojë topin në portë.
33′- Nallbani gjuan nga jashtë zone fort tokazi dhe topi prek shtyllën e djathtë pingule dhe përfundon jashtë.
37′- Beqiri godet me kokë një top të ardhur nga këndi, por mbi traversë.
38′- Dhëmbi godet në formë parabole nga 16 metra, topi kalon ngjitur me portën.
45′- Sinani i shmanget mbulimit të Brahjes, që e pengon në mënyrë të parregullt. Gjyqtari Meta tregon pikën e bardhë dhe Lici është i saktë, duke shënuar. 1 0 për Vllazninë. Protesta të vazhdueshme të bluve, por gjyqtari mbyll pjesën e parë.
58′- Kros i Çekos nga e djathta për Romeron, që godet, por jashtë kuadratit të Grimës.
77′- Bakaj vë në vështirësi portën e Vllaznisë, por pa arritur dot të gjejë katërkëndëshin.
79′- Goditje dënimi për Dinamon 40 metra larg portës shkodrane. Bakaj kroson në zonë, Grima del nga porta për të grushtuar topin, por gabon dhe, për fatin e mirë të tij dhe Vllaznisë, topi përfundon jashtë.
82′- Tjetër goditje dënimi për miqtë, topi në zonë te Çeko, që godet me kokë dhe për pak sa nuk përfundon në rrjetë.

Dervish Haxhiosmanoviç, trajner i Vllaznisë: “Rëndësi ka për ne fitorja dhe marrja e tri pikëve, sepse luanim ndaj Dinamos, që për mendimin tim, është skuadra më e mirë e kampionatit, aq më tepër lojtarët e mi ishin disi nën presion, ngaqë me këtë skuadër kishim bilanc negativ këtë sezon. Goli në fund të pjesës së parë na dha qetësinë, por në pjesën e dytë lojtarët nga frika e një goli të barazimit u tërhoqën prapa në mënyrë të pakuptimtë. Për fat, nuk pësuam dhe e mbyllëm ndeshjen me fitore. Sinani? Ju më thoni se pse nuk e ndërrova. Harroni se ai ishte njeriu që zgjidhi ndeshjen? Sa për ndeshjet e mbetura, kuptohet që dëshira do jetë, pse jo, të shkojmë me katër pikë në ndeshjen e fundit me Tiranën, por edhe me një do tentojmë të njëjtën gjë, të fitojmë dhe të shpallemi kampionë.”

Ndeshjen e djeshme, krahas presidentit Fushaj, e kanë ndjekur edhe dy drejtues të klubeve turke, të shoqëruar nga menaxheri Dritan Gjyrezi.