Duke qenë se përballja Vllaznia-Dinamo, që do të zhvillohet ditën e shtunë në stadiumin “Loro Boriçi”, është jo vetëm kryendeshja e javës së 31-të të Superiores, por edhe një 90-minutësh tepër deciziv për shkodranët, stafi teknik ka menduar për disa ndryshime në formacionin e parë, por që realisht deri tani është në dilemë për këtë çështje. Në ndeshjet e fundit, te shkodranët ka qenë reparti i sulmit ai që është paraqitur më dobët, gjë që ka sjellë pakënaqësi te stafi teknik dhe drejtuesit e klubit. Nga burime pranë klubit thuhet se ndryshimet më të mëdha do të bëhen në repartin ofensiv. Ndërsa porta dhe mbrojtja nuk mendohet të kenë ndryshime. Kështu që Grima do të vazhdojë të jetë gardiani i kuqebluve; përpara tij do të rreshtohen Lici, Bashiç, Beqiri e Smajli. Në repartin e mesfushës mund të ketë ndonjë lëvizje të mundshme, pasi janë disa lojtarë që pretendojnë një vend titullari. Nga këta pesë lojtarë si Osja, Belisha, Boadu, Nallbani e Shtubina, do të përzgjidhet katërshja më e mirë, të cilët do të zbresin në fushën e lojës nga minuta e parë. Sa i takon repartit ofensiv, dilemat më të mëdha për Vllazninë janë pikërisht këtu. Kjo kuptohet edhe në varësi të taktikës për t’iu kundërvënë kundërshtarit, ku kërkohet medoemos fitorja. Sinani, Dhëmbi e Sukaj mund të konsiderohet në balotazh për të zënë vend në repartin e sulmit. Gjithsesi, në radhët e shkodranëve ka optimizëm shumë të madh për të fituar jo vetëm takimin me Dinamon, por edhe dy takimet e mbetura me Lushnjën e Tiranën në kryeqytet. Sipas drejtuesve të klubit shkodran, për sfidën me Dinamon, çmimi i biletave në të gjitha tribunat do të jetë vetëm 200 lekë. Ndaj, nga tifozët shkodranë kërkohet mbështetje maksimale për këtë ndeshje, sepse dinamovitët siç duket vijnë për të luajtur fort. Pavarësisht se nuk kanë më objektiva për kampionatin, ata kërkojnë ta frenojnë Vllazninë. Ndoshta kjo edhe për të ndihmuar skuadrën tjetër kryeqytetase, Tiranën. Gjithsesi, kuqeblutë janë të bindur se sot do të marrin pikët e plota ndaj tyre.

Komentet