Të shtunën që shkoi ka shënuar golin e tij të parë në këtë kampionat. Sigurisht, është ndier mirë për kontributin që ka dhënë për Vllazninë, e cila arriti ta fitojë atë takim. Për më tepër që pas fitores në Lushnjë, skuadra e tij është rikthyer sërish në vendin e parë në tabelën e renditjes. Amarildo Belisha ndihet mirë për të gjitha këto, prandaj shprehet shumë entuziast edhe për të ardhmen.

“U gëzova për golin tim, sepse gjithnjë është kënaqësi të shënosh, por më tepër u gëzova për golin e Shtubinës, që na dha fitoren ndaj Shkumbinit. Aq më tepër që gaboi edhe Tirana dhe dolëm sërish në vend të parë. Tashmë kampionati ka hyrë në një fazë shumë interesante dhe për Vllazninë është i rëndësishëm fakti që, duke qenë në vend të parë, nuk ka më nevojë të qëndrojë me veshët tek aparatet e radios për të mësuar si është kundërshtari.

Duhet të shohim vetëm punën tonë dhe, nëse i bëjmë gjërat ashtu siç duhet, nuk ka pse të mos jemi ne kampionët. Kemi kryesuar me meritë për një pjesë të madhe të kampionatit dhe prandaj gëzimi do të ishte i ligjshëm për ne,” ka thënë numri 8 i formacionit kuqeblu. Lojtari “sallaks” luan me shumë sukses si në mesfushë, ashtu dhe në mbrojtje, duke zbatuar detyrat që i ngarkon trajneri. Ai nuk merakoset për këtë, por mjafton të jetë në fushë dhe të kontribuojë për ekipin.

Ndërkohë, në seancën e së hënës, ai ka pasur probleme me kaviljen dhe për rrjedhojë prej dy ditësh është duke zhvilluar stërvitje të diferencuar. Dëshira e tij është që të jetë në fushë ditën e shtunë ndaj Dinamos, por kjo mbetet për t’u parë. “Kavilja është e ënjtur dhe ende nuk mund të them me saktësi se do luaj apo jo ndaj Dinamos.

Dëshira është të jem në fushë, por kjo nuk është në dorën time, megjithatë bashkë me stafin mjekësor do të bëj të pamundurën për t’u riaftësuar,” ka shtuar më tej Belisha. Ai e vlerëson së tepërmi takimin e kësaj fundjave dhe nga ana tjetër thotë se kuqeblutë janë të karikuar për të mos e nënvlerësuar këtë sfidë, prandaj deklaron: “Nuk na lejohet asnjë shenjë nënvlerësimi a shpërqendrimi.

Do ishte e pafalshme të prishnin gjithë këtë punë që e kemi ngritur me shumë mundim deri tani. Unë personalisht jam i mendimit se më e vështirë është ndeshja me Lushnjën, sepse aty problem është mobilizimi, sepse ndaj Dinamos gjërat janë pak më ndryshe dhe skuadra karikohet vetvetiu.” E pranojnë të gjithë: Vllaznia luan me shumë gjëra në këtë fundsezoni.

Fitorja në tri ndeshjet e mbetura do t’i bënte lojtarët, stafin dhe gjithë të tjerët të ndiheshin krenarë. Gjërat sa i takon fatit të titullit kampion duket se po shkojnë drejt ndeshjes së fundit me Tiranën. Shkodranët në të parën “finale”, atë të Kupës, gabuan ndaj kësaj skuadre.

I pyetur nëse i tremb ky fakt, Amarildo Belisha do përgjigjej: “Vërtet Tirana na mundi në ndeshjen e Kupës, por kjo nuk do të thotë se është më lart se ne. Të dyja skuadrat janë të barabarta dhe e meritojnë të shpallen kampione. Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme për të marrë titullin kampion në fund dhe do ta provojmë këtë gjë.”

 

Sporti Shqiptar