Vllaznia - Partizani
2 - 0
Shënues: Shtubina 24′, Lici 64′ (11 m)
Vllaznia: Grima, Smajli, Beqiri, Bashiç, Lici (Osja 68′), Boadu, Belisha, Nallbani, Shtubina (Dhëmbi 80′), Sukaj (Plantiç 70′), Sinani. Trajner: D.Haxhiosmanoviç
Partizani: Shehi, Pinari, Capa (Karapici 67′), Babamusta, Bakalli, Pashaj, Mërtiri, Gjondeda (Karabeci 67′), Gjyla (Maho 60′), Bega, Ngjela. Trajner: Sh. Duro
Gjyqtarë: S.Jareci, A.Pregja, S.Avdo (Tiranë)
5′- Smajli nga e djathta fut një top për Shtubinën, që gjuan lehtë me kokë, pret Shehi.
10′- Kros i Sinanit nga e majta për Boadunë, që fare pranë portës gjuan keq me kokë, duke e kaluar topin mbi traversë.
13′- Boadu depërton bukur nga krahu i djathtë, futet në zonë dhe gjuan direkt në portë, por Shehi grushton topin jashtë vijës fundore.
14′- Sukaj provon nga jashtë zone, por topi kalon mbi traversë.
21′- Mërtiri në pozicion ballor, gjuan nga 20 metra, pret Grima.
24′- Kros nga e djathta. Mbrojtësit e Partizanit përpiqen të spastrojnë zonën e tyre, por topi mbetet brenda saj, gjuan fort Shtubina dhe topi prehet në rrjetë. 1 0.
30′- Ngjela ka mundësi të barazojë, por Grima tregohet i saktë, duke shpëtuar portën e tij.
39′- Smajli bën një inkursion vetjak për rreth 50 metra, futet në zonë dhe preferon të gjuajë vetë, kur ka mundësi të pasojë tek Sinani i lirë brenda zonës. Gjuajtja e tij është e gabuar.
49′- Sinani gjuan fort nga 18 metra, Shehi grushton topin mbi traversë.
64′- Shtubina vepron bukur në krahun e majtë, hyn në zonë dhe aty pengohet në mënyrë të parregullt nga një mbrojtës i Partizanit. Gjyqtari Jareci, pranë aksionit, akordon 11 metërsh, që kthehet në gol nga Lici. 2 0.
66′- Belisha provon nga jashtë zone, teksa gjuan fort, Shehi largon topin me këmbë, ndërhyjnë edhe të tjerë futbollistë të Vllaznisë, por pa arritur të shënojnë golin e tretë.
71′- Karabeci provon nga jashtë zone, pret Grima.
85- Dhëmbi pason bukur një top për Sinanin, që brenda zone nuk arrin ta dërgojë në rrjetë.
88′- Maho dhe Karabeci rrezikojnë në zonën e Vllaznisë, duke iu afruar golit të parë.
Vllaznia nuk gabon, fiton dhe ruan ritmin e Tiranës në një ndeshje, që nuk ka dalë aq e vështirë sa pritej. Ndaj një Partizani, tek i cili nuk u ndie fare fakti që ka luajtur edhe të mërkurën për kupë. Humbja e djeshme e të kuqve sigurisht që i ka rënduar pozitat e tyre, aq më tepër kur javën që vjen do luajnë edhe me Tiranën. Loja e djeshme në “Loro Boriçi” nuk është ngjitur në nivelin që pritej. Mbase ka ndikuar edhe temperatura e lartë, që mbizotëronte gjatë zhvillimit të ndeshjes. Megjithatë, për Vllazninë rëndësi kishte fakti se ata fituan dhe janë sërish me pikë të barabarta me Tiranën. Loja e saj nuk ka qenë ajo më e mira dhe këtë e ka pranuar edhe vetë trajneri Haxhiosmanoviç pas ndeshjes. Tekniku malazez kishte bërë tri ndryshime, në krahasim me një javë më parë ndaj Elbasanit. Kanë luajtur Bashiç, Lici e Sukaj, ndërkohë që kanë përfunduar në stol Osja, Dhëmbi e Doçi i skualifikuar dhe i dëmtuar. Por megjithëse kanë ndodhur këta ndryshime, protagonisti i vërtetë i ndeshjes ka qenë 22-vjeçari Ndriçim Shtubina. Ai ka dhënë sinjalet që në fillim se do ishte rreziku kryesor për kundërshtarin. Jo vetëm me depërtimet e tij në krahun e majtë, por edhe për golin që ka shënuar në pjesën e parë. Ky ka qenë goli i dytë për të në kampionat dhe sërish ndaj Partizanit ashtu si në fazën e dytë. Pas këtij goli shkodranët bëjnë presion edhe për pak minuta, më pas lëshojnë shumë në lojë. Për një moment Ngjela edhe mund të kishte barazuar kur ka dalë i vetëm përballë Grimës.
Pjesa e parë mbyllet 1 0 dhe në minutat e para të pjesës së dytë, trajneri mik, Duro, kryen njëri pas tjetrit tri zëvendësime, por pa efektin e duhur. Vllaznia duket se rrezikon duke bërë shumë gabime në mesfushë, por në ato momente sërish del në skenë Shtubina. Pas një inkursioni të bukur nga e majta, futet në zonë dhe aty pengohet në mënyrë të parregullt. Gjyqtari Jareci akordon 11 metërsh, të cilin e kthen në gol Lici. Një gol që do mjaftojë për t’i dhënë fund ndeshjes, sepse fuytbollistët vendas nuk e kanë shumë mendjen tek thellimi i avantazhit. Dukej sikur ata kishin filluar të mendonin për Tiranën të mërkurën. Një sfidë që do vendosë shumë gjëra. Deri atëherë ka kohë. Këto dy skuadra edhe në kampionat nuk duan të shkëputen nga njëra tjetra.
Dervish Haxhiosmanoviç, trajner i Vllaznisë: “Kemi fituar, por e pranoj se ka qenë një ndeshje me shumë probleme për ne. Lojtarët tanë më shumë e kishin mendjen te ndeshja me Tiranën se kjo e sotmja ndaj Partizanit. Pa harruar këtu që ishte edhe një temperaturë e lartë dhe, po ashtu, edhe bari i fushës ka qenë më i rritur nga sa duhej, çka na pengonte në lojën tonë. Rëndësi ka që fituam dhe jemi sërish në të njëjtat pozita me Tiranën. Sa për Shtubinën, ai është shembulli për të gjithë të tjerët, për mënyrën si stërvitet, si luan dhe gjithçka tjetër. Nëse të gjithë do luanin si ai, ndaj Tiranës nuk do ishte aspak e vështirë të fitonim. Megjithatë, deri të mërkurën kemi kohë për t’u përgatitur dhe shpresoj të bëjmë diçka të mirë, pse jo për ta zgjidhur kualifikimin që në Shkodër.”
Shpërim Duro, trajner i Partizanit: “Vllaznia e meritoi fitoren, sepse luajti më mirë se ne. Në pjesën e parë patëm disa probleme, që na u shkaktuan nga Shtubina në krahun e majtë. Ky lojtar ishte më i miri i ndeshjes. Në të dytën, me gjithë ndërrimet e bëra, nuk patëm freskinë e duhur për të reaguar. Nuk ka ndikuar ndeshja e Kupës, sepse shtatë lojtarë që luajtën sot, nuk ishin në ndeshjen e kupës. Sa për takimin e ardhshëm me Tiranën, të gjitha janë të vështira për ne, aq më tepër kur luajmë ndaj skuadrave të tilla, që kanë moral të lartë, megjithatë do mundohemi të bëjmë më të mirën.”
- Një ceremoni mjaft interesante është zhvilluar në pushimin e ndeshjes. Në stadium ka mbërritur direkt nga Rinasi kampioni i Europës në peshëngritje, Erkand Qerimaj. Atij i është bërë një pritje e ngrohtë në “Loro Boriçi” dhe presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, i ka dhuruar atij një fanellë kuqeblu, ku shkruhej emri i kampionit. Një moment vërtet i veçantë, që është duartrokitur gjatë nga tifozët e pranishëm në stadium.
- Ka qenë me shans për Vllazninë kampioni i shtangës Qerimaj. Me të shkelur këmba e tij në stadium, është shënuar goli i parë i skuadrës shkodrane. Kot nuk thonë “fati është me më të mirin”.
- Megjithëse luhej në Shkodër, mendja dhe veshët e tifozëve të Vllaznisë, por edhe drejtuesve të saj, kanë qenë në Tiranë, ku luanin dy rivalët e saj, Tirana dhe Dinamo. Sigurisht, ata janë gëzuar kur kanë mësuar për humbjen e bluve, por nga ana tjetër nuk u ka ardhur mirë që elbasanasit nuk mundën ta mbanin të paprekur portën e tyre më tepër se 45 minuta.
Sporti Shqiptar