Elbasani ‑ Vllaznia 1‑4

Shënues: Sinani 18′, 61′, Sukaj 72′, 88′, Ahmataj 82′



Elbasani: Bërdufi, Mehmetaj (Abazaj 78′), Karçev, Vrapi, Ahmataj, Hallaçi, Meglenski (Hyshmeri 58′), Gava, Pema (Qorri 46′), Xhafa, Stojku. Trajner: F.Sejdini.

Vllaznia: Grima, Smajli, Beqiri, Shtubina, Doci (Lici 35′), Nallbani, Osja, Belisha, Boadu (Pantiç 68′), Dhëmbi (Sukaj 55′), Sinani. Trajner: D.Haxhiosmanoviç.

Gjyqtarë: A.Janku (Tiranë), A.Guçe, D.Korreshi (Lushnjë)

Kartonë të verdhë: Karçev, Doçi



“Radiografia”

2′‑ Smajli provon me të majtën e tij, por topi përfundon jashtë.

18′‑ Sinani vepron mirë në të majtë të sulmit, futet drejt qendrës dhe nga 25 metra shkarkon të djathtën e tij, pasi prek shtyllën pingule e përfundon në rrjetë. 0‑1 për Vllazninë.

20′‑ Hallaçi provon nga 30 metra dhe pret në dy kohë Grima.

30′‑ Pas një goditjeje këndi, është Beqiri, që godet me kokë, por jashtë.

39′‑ Tjetër tentativë e Ahmatajt nga 30 metra dhe Grima në vështirësi largon topin.

42′‑ Belisha nga këndi, kros i tij dhe është Beqiri edhe një herë tjetër me kokë që godet, por Bërdufi kësaj radhe është i saktë.

45′‑ Meglenski jep një top për Xhafën, që godet me kokë, por topi devijohet më parë nga Beqiri dhe përfundon jashtë.

53′‑ Nallbani tenton nga distanca, duke gjuajtur mjaft fort dhe topi për pak del jashtë.

59′‑ Krosim i Qorrit, por gjuajtja e Mehmetajt me kokë përfundon në duart e Grimës.

60′‑ Pas një rrëmuje në zonë, është një gjuajtje e Qorrit, por Grima edhe një herë tjetër tregon klasin e tij.

61′‑ Hallaçi kthen topin prapa, duke mos u marë vesh me shokët e skuadrës, në këtë moment përfiton Sinani, i cili me një qetësi të madhe shënon. 0-2 për Vllazninë.

64′‑ Hyshmeri provon të shënojë nga larg porte, por topi del jashtë.

72′‑ Pantiç nga e djathta kalon shumë mirë në fundore, pasim i tij në qendër për Sukajn, që fluturimithi në mënyrë të shkëlqyer realizon. 0-3 për Vllazninë.

77′‑ Sinani ka mundësi të shënojë në dy raste golin e katërt, por Bërdufi pret mirë.

82′‑ Vrapi nga këndi kroson në zonë, Ahmataj kërcen me kokë dhe topi përplaset në traversë hyn në rrjetë. Elbasani ngushton në 1-3.

84′‑ Pasim i Stojkut për Ahmatajn, që brenda zonës realizon, por më parë është anësori Guçe që anulon këtë gol. Protesta të Elbasanit.

88′‑ Kombinim mes Sinanit e Sukajt, ky i fundit kalon Vrapin dhe Hyshmerin dhe i vetëm më Bërdufin shënon. 1-4 për Vllazninë.


Komenti

Skuadra e Vllaznisë ka shkatërruar ekipin e Elbasanit, për më tepër kjo gjë i ka kushtuar shumë verdhebluve, të cilët kanë mbetur tani edhe pa trajnerin Faruk Sejdini, i cili ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme. Kjo ka qenë sinteza e ndeshjes mes Elbasanit dhe Vllaznisë, luajtur në “Ruzhdi Bizhuta”, e cila ka pasur një fat të tmerrshëm për vendësit dhe më se të lumtur për ekipin mik, i cili ndryshe nga ndeshja e fazës së dytë, ka dalë fitimtar në këtë fushë. Në fakt, Elbasani ka konfirmuar edhe një herë momentin e krizës së thellë që po përjeton ekipi, duke mos fituar që nga data 31 janar në kampionat. Kësaj radhe disfata ka qenë e rëndë, aq e rëndë sa që kryebashkiaku Sejdini e ka përjetuar ashtu si të gjithë elbasanasit e tjerë shumë rëndë këtë humbje. Skuadra e ka të vështirë të reagojë, problemet tani në skuadër janë edhe më të mëdha, kalendari bëhet edhe më i egër dhe si rrjedhojë liga e parë ose të paktën “play-out”‑i është një realitet që duhet të merret në konsiderate. Përpos të gjitha situatave, rezultati nuk iu përgjigj lojës, sepse takimi ishte në shumë momente i ekuilibruar, pse jo në favor të skuadrës elbasanase. Gjithsesi, Vllaznia nuk vodhi asgjë, madje tregoi profesionalizëm në fushën e lojës, ruajti qetësinë dhe shfrytëzoi në maksimum kualitetet, sidomos të sulmuesve Sinani e Sukaj, që nxorën nga situata skuadrën, ashtu si dhe Grima, disa herë shpëtimtar me pritjet e tij.

Në fund miqtë merituan duartrokitjet e publikut vendës, në një ndeshje shumë korrekte në fushën e lojës. Përfundimisht, një rezultat turpërues për verdheblutë, të cilin trajneri Sejdini nuk e pranon, duke dhënë dorëheqjen dhe duke e futur edhe më shumë më krizë skuadrën, ndërsa Vllaznia nuk i ndahet Tiranës.



Deklarojnë:

Faruk Sejdini, trajner i Elbasanit: “Kjo humbje e thellon edhe më shumë krizën e skuadrës. Rezultat i papritur, të paktën në adresën e golave që nuk e prisnim. Mendoj ta ndërpres këtu punën me skuadrën, për t’i hapur rrugë ndoshta përmirësimit të situatës. Duke qenë se nuk ka vend për largime lojtarësh, pasi jemi në pikun e sezonit, mendova të iki vetë, pasi ndoshta kështu do t’i bëhet mirë ekipit. Falënderoj mediat për bashkëpunimin, pavarësisht ndonjë problemi dhe sportdashësit elbasanas, të cilëve u kërkoj ndjesë që nuk munda ta nxjerr skuadrën nga kjo situatë. Dorëheqja ime është e parevokueshme. Disa hallka duhet të lëvizin në skuadër. Nuk është momenti që unë të shpërndaj përgjegjësi, por mendoj se skuadra është kompozuar keq që në fillim të janarit, pasi unë kisha në skuadër 6 mbrojtës dhe 6 sulmues dhe aspak mesfushorë. Unë nuk mund të akuzoj lojtarët për ndonjë puç.”

Dervish Haxhiosmanoviç, trajner i Vllaznisë: “Jam i kënaqur nga kjo fitore. Kemi nevojë për përmirësime gjithsesi. Them kështu, pasi nuk duhet ta vëmë asnjëherë në pikëpyetje rezultatin. Edhe kaq është mirë në adresë të golave, edhe pse nuk ishte aspak e lehtë. S’e di ku çalon ekipi i Elbasanit, i cili me sa pashë, ka lojtarë shumë të mirë. Për sa i takon Sukajt, çdo lojtar e di vetë se si sillet dhe si gëzon në fushën e lojës, ndërsa zgjedhjet se kush luan dhe kush jo, i bëj vetën unë.”



Të veçanta:

‑ Ndeshja është ndjekur nga gati 3 mijë tifozë.

‑ Kryebashkiaku Sejdini ka zbritur në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes, por nuk e ka bindur trajnerin Sejdini të qëndrojë.

‑ Trajneri Sejdini në të parin rast në karrierën e tij drejton një skuadër në kaq shumë javë pa fituar asnjë ndeshje.


Sporti Shqiptar