Trajneri i Vllaznisë, Dervish Haxhiosmanoviç, thotë se tani duhet gabuar sa më pak

Ka ardhur në krye të Vllaznisë jo shumë kohë më parë, rreth një muaj më parë, dhe për rrjedhojë tashmë e ka të qartë në mendjen e tij se çfarë është në gjendje të bëjë skuadra e tij. Dervish Haxhiosmanoviç ka premtuar që ditën e parë se Vllaznia nën drejtimin e tij do të pretendojë titullin kampion. Tashmë pas 4 ndeshjesh në krye të kuqebluve, ai arrin të japë një mendim më të qartë për kampionatin, garën e mëtejshme dhe shanset që ka Vllaznia për të marrë një trofe.

E keni analizuar ndeshjen e fundit me Flamurtarin?

Pikërisht sot (dje) paradite kam biseduar jo pak me skuadrën në lidhje me këtë ndeshje. E përgjithshmja është se kemi luajtur mirë, por janë edhe disa gjëra të tjera që duhet t’i përmirësojmë, sepse kampionati sa vjen e vështirësohet dhe nuk do të jetë e lehtë për të fituar asnjë ndeshje.

Çfarë kishte që nuk shkoi ashtu siç duhet në këtë takim për Vllazninë?

Disa prej lojtarëve nuk dhanë atë që prisja. Duhet t’i imponohemi ne kundërshtarit dhe për rrjedhojë duhet të luajmë më shpejt, duhet të jemi më agresivë në fushë, e kam fjalën këtu për ritmin e lojës. Por disa prej lojtarëve edhe në ndeshjen me Flamurtarin nuk vepruan kështu. Nga ana tjetër, ka pasur edhe lojtarë që kanë luajtur shumë mirë dhe këtu do përmend, sidomos Nallbanin, që për mua, ka qenë më i miri në fushë. Pa lënë më pas edhe Belishën apo dhe Dhëmbin, që në këtë takim ka shërbyer mjaft mirë për Sukajn, por mund të kishte shënuar edhe vetë.

Fitorja me Flamurtarin është kontestuar jo pak nga vlonjatët për 11 metërshin e dhënë në favor të Vllaznisë. Mendoni se gjyqtari ndikoi në rezultatin e lojës?

Po, ka ndikuar, por në një aspekt tjetër dhe jo atë që thonë drejtuesit e Flamurtarit, të cilët e kanë pasur gabim me protestat e tyre. Ata që duhej të protestonim duhej të ishim ne. Të gjithë e panë se gjyqtari na mohoi një gol shumë të rregullt të Sukajt. Të gjithë e panë se nuk u dha një 11 metërsh për ne dhe një karton i kuq për njërin nga mbrojtësit e Flamurtarit. Pa kaluar pastaj te shumë faulla të tjera. Të gjitha këto kur rezultati ishte 1 0 për ne.


Kur kanë mbetur edhe tetë ndeshje, si e shikoni garën e mëtejshme?

E parashikoj shumë të fortë, se ky kampionat po tregon shumë gjëra të bukura. Herë humbet terren njëra skuadër, herë tjetra dhe prandaj duhet të gabojmë sa më pak tani e tutje. E shikoj shumë të vështirë garën, pa lënë pas edhe Dinamon, një skuadër që përveç meritave në fushë, më duket se po favorizohet jo pak edhe nga arbitrat.

Javën e ardhshme Vllaznia luan në Elbasan, Tirana në Vlorë. Do ketë ndryshim në renditje?
Këtë nuk di ta them. Unë personalisht e konsideroj shumë më të vështirë ndeshjen tonë në Elbasan sesa atë të Tiranës në Vlorë. Elbasani ka dy pikë më pak se Flamurtari në renditje dhe kuptohet që do të kërkojë medoemos të mos humbë terren, sepse pas nesh do ketë ndeshje me Tiranën, kështu që rrezikojnë seriozisht për rënien nga kategoria.

Në pamje të parë, duket se kemi të bëjmë me një kampionat shumë të fortë nisur nga renditja e skuadrave. Ndani edhe ju të njëjtin mendim?

Nuk mendoj se është kampionati më i fortë i këtyre viteve të fundit. Mendoj se ky kampionati është më interesanti i këtyre viteve të fundit, nisur nga mënyra si janë të renditura skuadrat. Para disa sezonesh mendoj se kampionati ka qenë më i fortë.

Do ta mbani premtimin për t’i dhënë Shkodrës sërish një trofe?

Unë jam në Shkodër për të bërë më të mirën e mundshme. Mundësitë i kemi, sepse të barabartë me Tiranën në krye të kampionatit dhe njëkohësisht edhe në gjysmëfinale të kupës. Por kuptohet që jo gjithçka është në dorën time, megjithatë unë kam shumë shpresë se Vllaznia nuk do të dalë pa trofe as këtë sezon.

“Deda” do Shkumbinin në gjysmëfinale të kupës

Në bisedën me trajnerin malazez të skuadrës shkodrane sigurisht që është diskutuar edhe për Kupën e Shqipërisë. Haxhiosmanoviçi është njohur me faktin e ndryshimit të datave të ndeshjeve gjysmëfinale, por nga ana tjetër ai ka dashur të dijë edhe për momentin kur do hidhet shorti i ndeshjeve të këtij turi.

I pyetur se kë dëshironte të kishte si kundërshtar në këtë tur, “Deda” nuk është përgjigjur menjëherë, por në fund, duke dashur të japë një përgjigje, ka thënë: “Mbase do dëshiroja Shkumbinin, por nuk do ishte keq edhe sikur të na binte me njërën prej Partizanit apo Flamurtarit. E rëndësishme është që me Tiranën të ndeshemi në finale. Pse jo, të kemi dy finale njëra pas tjetrës, për kupë e kampionat.”

Kroatët me leje, ikin pranë familjeve

Dy futbollistët kroatë të Vllaznisë, Marko Bashiç dhe Mirko Plantiç, që prej së dielës kanë udhëtuar drejt vendlindjes së tyre. Fakti që kampionati është ndërprerë, ka bërë që ata të marrin leje te drejtuesit e klubit për të shkuar pranë familjeve vetëm për pak ditë. Leja u është dhënë dhe për një arsye tjetër, se Bashiç që është titullar te kuqeblutë, nuk do luajë në ndeshjen e radhës në Elbasan, meqë ka tre kartonë të verdhë. Po ashtu Plantiç nuk po gjen vend si titullar dhe për këtë arsye ata janë lejuar të shkojnë në Kroaci.

Kuqeblutë, të shtunën miqësore
Periudhën e ndërprerjes së kampionatit ekipi i Vllaznisë është duke u munduar ta shfrytëzojë në maksimum për të rregulluar disa gjëra që nuk kanë shkuar ashtu siç duhet te lojtarët. Trajneri Haxhiosmanoviç i ka kushtuar vëmendje përgatitjes fizike, teksa dje ka pasur dy seanca stërvitore dhe po kaq do ketë edhe sot e nesër. Të premten do të jetë vetëm një seancë, ndërsa të shtunën trajneri malazez ka kërkuar të zhvillojë një takim miqësor. Të paktën ky është parashikimi dhe tashmë çdo gjë është në dorë të drejtuesve të klubit për gjetjen e një kundërshtari për këtë fundjavë.

Komentet