Apolonia - Vllaznia 0-1

Shënues: Beqiri 88′

Apolonia: Haxho, Peqini, Ferizoviç, Sreçkoviç, Kelmendi, Hoti, Semir Haxhibuliç, Meto, Asllani (Bratja 68′), Bërkiç (Dhrami 68′), Sead Haxhibuliç. Trajner: E.Karishik.


Vllaznia: Grima, Smajli, Beqiri, Bashiç, Doçi (Lici 70′), Belisha (Osja 70′), Nallbani, Boadu, Dhëmbi (Kaçi 84′), Shtubina, Sukaj, Trajner: D.Haxhiosmanoviç.


Gjyqtarë: E.Hoxha, G.Koka, R.Cakaj (Laç)
Kartonë të verdhë: Sreçkoviç, Smajli

“Radiografia”

7′- Ferizoviç ka tentuar të driblojë një mbrojtës shkodran, por ka humbur ritmin e aksionit.
15′- Bërkiç ka bërë më të vështirën, teksa i vetëm me Grimën, e ka kaluar topin parabël mbi traun e portës shkodrane.
19′- Smajli ka provuar me një gjuajtje nga distanca, por topi përfundon jashtë kuadratit të portës së Haxhos.
28′- Goditje dënimi për Vllazninë, Belisha ka gjuajtur, por ka grushtuar portieri Haxho.
31′- Shtubina ka shmangur me mjeshtëri Kelmendin nga e majta e sulmit shkodran dhe lëshon një kros në formë gjuajtjeje, por topi nuk shfrytëzohet nga asnjë futbollist i Vllaznisë.
34′- Meto ka shërbyer bukur nga e djathta, Sead Haxhibuliç ka kërcyer fuqishëm me kokë, por topi kalon mbi tra.
40′- Sead Haxhibuliç ka ulur një top për Bërkiçin, ky i fundit nxjerr të lirë Meton, që gjuan në mënyrë të gabuar.
43′- Sreçkoviç ka parë të zbuluar Ferizoviçin në zonë dhe ka krosuar drejt tij, por pa ndonjë rrezik serioz për portën shkodrane.
45′- Sead Haxhibuliç ka kombinuar bukur me Meton, por goditja e këtij të fundit është për t’u harruar.
56′- Sukaj ka shmangur portierin Haxho dhe del i vetëm përballë portës, por Peqini i rrëmben topin.
58′- Beqiri ka gjuajtur rrezikshëm me kokë, një top që shkon ngjitur me shtyllën traversale.
59′- Sukaj më tepër ka harkuar sesa ka gjuajtur me kokë, topi përplaset në trupin e Haxhos dhe pastaj në shtyllën e majtë pingule të portës fierake.
62′- Mbrojtja fierake e kujton në pozicion jashtë loje Dhëmbin, i cili ka vërshuar në zonë, ka dalë i vetëm me Haxhon, por është nxituar në gjuajtje dhe e ka përcjellë topin jashtë.
64′- Bërkiç ka marrë një top të saktë nga Asllani, del vetëm për vetëm me Grimën, por portieri shkodran ia ka zënë rrezen.
72′- Sukaj përfiton nga një mosmarrëveshje mes mbrojtësve fierakë, rrëmben një top, por është nxituar në momentin final.
75′- Dhëmbi ka nisur një asist te Sukaj, i cili ka shmangur Peqinin, gjuan fort, por Haxho ka shpëtuar.
82′- Semir Haxhibuliç ka gjuajtur në hyrje të zonës së rreptësisë, por Grima kontrollon çdo gjë.
88′- Smajli hedh një top në zonë, i cili devijohet me kokë nga Beqiri, që nuk e ka të lehtë ta shtyjë në rrjetë. 0-1 për Vllazninë.

Komenti

Apolonia ka sigluar humbjen e pestë radhazi në këto javë të kampionatit, duke thelluar problemet e saj në tabelën e renditjes. Goli i Beqirit në minutat e fundit të takimit ka shuar shpresat e fierakëve për të marrë minimalisht një pikë, edhe pse pretendimet e tyre përpara këtij takimi kanë qenë për më tepër. Kësisoj, Vllaznia ka fituar edhe përballjen e tretë me fierakët, duke u treguar një skuadër racionale dhe duke goditur në kohën e duhur, pa u lënë mundësi reflektimi vendësve. Në përgjithësi, ndeshja ka qenë me ritëm të shpejtë dhe me sulme nga të dyja skuadrat, por njëherësh dhe një mbrojtje të kujdesshme që përgjon sulmuesit respektivë, për të mos gjetur rrugën e rrjetës. Shkodranët janë më zotërues në mesin e fushës dhe paraqiten më të rrezikshëm në portën e Haxhos, por nuk mbeten pas edhe fierakët, që i mbështesin synimet e tyre te dyshja sulmuese Bërkiç-Sead Haxhibuliç. Por mbrojtja shkodrane është e kujdesshme në qendër, atje ku përqendrohen më shumë finalizimet e Apolonisë. Pjesa e parë ka qenë përgjithësisht e ekuilibruar, me aksione në të dyja portat respektive, ndërsa në 10 minutat e fundit të kësaj pjese ka qenë Apolonia ajo që ka pasur epërsi të plotë dhe e ka detyruar Vllazninë të luajë e ngjeshur në mbrojtje. Nëse Meto, Sead Haxhibuliç, apo dhe Ferizoviç, do të ishin treguar më të vëmendshëm në veprimet e tyre, Apolonia mund ta kishte mbyllur në favor të vet 45-minutëshin e parë.
Edhe pjesa e dytë do të kishte të njëjtin ritëm me të parin, madje skuadrat e rrisin tempin e lojës dhe janë më kërkuese. Shkodranët janë më të orientuar në fushën e lojës dhe paraqesin më shumë rrezikshmëri në aksionet e veta, por edhe fierakët mbrohen mirë dhe kërkojnë të shfrytëzojnë në maksimum aftësitë e sulmuesve të vet, në një ditë jo të mirë. Rastit të humbur nga Sukaj në minutën e 56-të me portën e boshatisur, do t’i përgjigjej me të njëjtën mënyrë edhe Bërkiç në minutën e 64-t. Ka zhvendosje të aksioneve sa në njërën aq dhe në tjetrën portë dhe për një moment të krijohet përshtypja se çdo gjë po shkonte në rrjedhën e një barazimi, të merituar për nga mënyra se si u zhvilluan 90 minutat e lojës. Por pikërisht atëherë do të dalë në dritë edhe goli i shkodranëve, pikërisht në minutën e 88-të, kur Beqiri shënon i ndodhur i vetëm me portierin Haxho. Pozicioni i shkodranit është dukur paksa i avancuar krahasuar me mbrojtjen fierake, por vendimi i gjyqtarit ka bërë që Apolonia të rifillojë lojën nga qendra. Nuk ka më kohë. Vllaznia ka marrë një tripikësh me shumë vlera, duke u rikthyer te fitorja e munguar prej javësh, gjë që nuk arriti ta bënte dot skuadra fierake. Një humbje që e afron më shumë Apoloninë me fundin e tabelës, teksa Bylis e Lushnja janë ngjitur edhe më në renditje. Duket se Apolonia, duke mos harruar dhe peripecitë që ka kaluar në ndeshje të ndryshme, e ka të vështirë të dalë nga kjo situatë, edhe pse trajneri Karishik vazhdon të besojë ende te forca e ekipit. Kalendari vjen e rëndohet më tepër për fierakët, që janë të destinuar të luftojnë deri në pikën e fundit të kampionatit.

Deklarojnë:

Esad Karishik, trajner i Apolonisë: “Ka qenë një nga ndeshjet më kryesore për ne, ku kemi ndier dhe mungesën e publikut. Nuk di ç’të them më tepër. Apolonia luajti aq sa mundi, por mos harroni mungesat tona, të kapitenit Shoshi, dënimin tim apo dhe mungesën e portierit Hoxha për shkak të dëmtimit. Megjithatë, unë mendoj se Apolonia luajti mirë, por në futboll njihet edhe fati. Bërkiç ishte dy herë në pozicion ideal, për të mos përmendur edhe rastet e Metos apo ndonjë tjetër. Jemi dënuar pikërisht në fund të lojës me atë gol që pësuam. Por ky është futbolli. Unë shpresoj që në të ardhmen të kemi fat.”


Dervish Haxhiosmanoviç, trajner i Vllaznisë: “Edhe pse ka qenë një fitore e vështirë, mendoj se e kemi merituar. Kemi luajtur më mirë, më të organizuar se skuadra kundërshtare, por Vllaznia ka mundësi për të luajtur edhe më mirë. Pas barazimit me Bylisin në Shkodër, për ne ishte e domosdoshme të fitonim këtë ndeshje. Me këtë fitore, skuadra do të arrijë në gjendjen e duhur psikologjike për të luftuar fort në vallen e titullit kampion.”

Të veçanta

- Ishte ndeshja e dytë në këtë kampionat që Apolonia e luan me një stadium të boshatisur. Kështu ka ndodhur edhe në javën e nëntë kundër Dinamos.
- Apolonia dhe Vllaznia janë skuadrat e vetme të superligës shqiptare që drejtohen nga dy trajnerë të huaj, Karishik dhe Haxhiosmanoviç.
- Skuadra fierake i ka pasur të dënuar dy trajnerët e saj, Karishik dhe zëvendësin e tij, Papuçiu. Në këto kushte, ekipin e ka udhëhequr drejtori teknik Mexhid Haxhiu.

Komentet