Ndodhi ajo që kurrsesi nuk pritej. Në Shkodër askush nuk e kishte menduar atë hap të gabuar të Vllaznisë edhe në ndeshjen e luajtur brenda ndaj Bylisit, që ndodhet nga vendet e fundit të renditjes. Barazimi 0 0 i ka habitur të gjithë. Por më shumë nga të tjerët, trajnerin e sapoemëruar Dervish Haxhiosmanoviç.

Malazezi kurrsesi nuk e kishte menduar të tillë situatën e ekipit që mori për ta drejtuar për të pestën herë në karrierën e tij. E kishte menduar thjesht si krizë psikologjike të lojtarëve dhe vetëm kaq.

Por pas ndeshjes me Bylisin, ai ka dalë edhe në një konkluzion tjetër: “Ekipi ka probleme edhe në aspektin fizik. Skuadra me shumë vështirësi shkon deri në zonën e kundërshtarit.”

Mbase mund të jetë justifikim i momentit, mbase dhe realitet, por të gjithë jemi koshientë se Vllaznia nuk është duke kaluar një moment të mirë. Vërtet ndaj ballshiotëve ishte e vështirë të shënoje gol, ngaqë kundërshtari është mbrojtur me 11 veta, por rastet u krijuan.

Të paktën 10 raste që ishin, duhej të ishin konkretizuar me një gol të vetëm, që do t’u jepte tri pikët e shumëpritura. Mbase ishte dhe mungesë fati, por futbolli ky është. Vllaznia gaboi dhe tashmë është dy pikë larg Tiranës që shkëputet.

Nga ana tjetër, është afruar ndjeshëm Dinamo dhe rreziku është më i madh edhe për vendin e dytë. Shumëkush në Shkodër pas ndeshjes të së shtunës ka menduar se skuadra e tyre i ka “larë duart” nga titulli. Por të tjerë dhe që janë më optimistë mendojnë ndryshe.

Në lojë janë edhe 30 pikë dhe për këtë arsye, gjithçka mund të ndodhë. Njëri nga ata që ende beson, në fakt e ka për detyrë të besojë, është trajneri Haxhiosmanoviç, i cili shprehet:

“Ekipi ka hyrë në një krizë dhe detyra jonë është të punojmë për ta nxjerrë nga ajo. Duhet të riparojmë disa gjëra që nuk shkojnë siç duhet dhe mendoj se duhet të punojmë fort për të pretenduar sërish dhe për të arritur objektivin që kemi.” Deklaratë normale për një trajner, i cili sapo e ka marrë drejtimin e kësaj skuadre.

Natyrisht që ai nuk mund të fajësohet plotësisht as për barazimin e arritur ndaj Bylisit, sepse nuk ka qenë skuadra e tij, me gjithë dëshirën për të ndryshuar që në ndeshjen e parë. “Deda” i ka besuar stafit të tij dhe ka hedhur në fushë thuajse të njëjtin formacion me ndeshjet e fundit. Normale, sepse nuk mund të bësh shumë lëvizje në një periudhë të tillë të zhvillimit të kampionatit, por e vërteta është se disa gjëra duhen ndryshuar.

Dy tre lojtarë titullarë të ekipit janë krejtësisht “out”. Loja e tyre prej ndeshjesh lë shumë për të dëshiruar dhe për këtë arsye, më mirë për ta do të ishte të qëndronin ndoshta në stol për disa kohë. Kohë për të eksperimentuar nuk ka, megjithatë para është një sfidë si ajo me Dinamon, ku edhe mund të bëhet kjo. Humbja në ndeshjen e parë nuk e favorizon Vllazninë dhe prandaj mbase është mundësia për ta ndërtuar ndryshe skuadrën në këtë takim. Mbase ashtu gjërat mund të shkojnë më mirë.

Anti Bylis, formacioni i “Dedës” apo i Canajt?

Në pragndeshjen me Bylisin, trajneri i ri i Vllaznisë, Dervish Haxhiosmanoviç, pati deklaruar para mediave se do kishte ndryshime në formacion. Të gjithë prisnin këto ndryshime, por ndeshja në të vërtetë nuk ka treguar asgjë të re. Ka luajtur thuajse e njëjta skuadër dhe të njëjtët lojtarë si më parë.

Shumëkush ka pyetur madje: Ai formacion që luajti ndaj Bylisit, ka qenë i “Dedës”, apo i Canajt? Kjo pyetje, në njëfarë mënyre, e ka një përgjigje, sepse trajneri i sapoardhur nuk mund të bënte revolucion në skuadër. Për këtë arsye, u ka besuar ndihmësve të tij në këtë ndeshje të parë.

Për rrjedhojë, ka qenë e njëjta vendosje 4 4 2, ku aktivizimi i Dhëmbit në vijën parë ka qenë i detyruar nga mungesa e Sukajt. Tashmë mbetet për t’u parë takimi i kupës me Dinamon për ndërhyrjet e Haxhiosmanoviçit në skuadër.

 

Sporti Shqiptar

Komentet