Elvin Beqiri ka qenë shumë i ri, por e mban mend mirë titullin kampion të fituar për herë të fundit nga Vllaznia më 2001. Ai ishte, ndërkaq, pjesë e skuadrës dhe si 20-vjeçar u lumturua nga 20 000 tifozët ne “Loro Boriçi”, nga një kryetifoz si Tuti që kaloi me karrocë me kalë në pistën e stadiumit dhe këngën kampione të Bujar Qamilit. Tash, pas plot 8 vjetësh, qyteti mezi po pret titullin e radhës që, në të vërtetë, vonoi pak si shumë. Elvin Beqiri u rikthye në verë tek Vllaznia e tij e zemrës dhe besohet se do të jetë të paktën deri në maj 2009 kur, me dëshirën e Zotit, kuqeblutë do të jenë sërish kampionë të Shqipërisë. Pas kthimit prej Ulqini, mbrojtësi i ekipit shkodran dhe i kombëtares, ka dëshirë të tregohet i kujdesshëm lidhur me mundësinë për titullin.

-Elvin, si ndiheni pas kthimit nga faza përgatitore në Ulqin?

“Jemi mirë. Siç ndodh gjithnjë pas një faze përgatitore. Pak të lodhur, por i kemi ulur ngarkesat dhe do të jemi gati kur të nisë kampionati”.

-Herët e kaluara u fol se kishte pasur probleme me ushqimin, ndërsa këtë herë hoteli “Olimpik” ishte në rregull.

“Po, ishim shumë mirë. Kështu është thënë për të kaluarën pra që ka pasur probleme me kuzhinën, por unë nuk kam qenë këto vite pjesë e Vllaznisë”.

-Fituat pa probleme me Otrantin e Ulqinit, por edhe me Lovçenin e Cetinjës, në ndeshjet përgatitore.

“Sidomos fitorja ndaj Cetinjës ishte me më shumë kuptim sepse ata janë ekipi i kategorisë së parë malazeze. Pjesën e parë e patëm më shumë vështirë, por në të dytën luajtëm mirë dhe fituam me meritë”.

-Jeni përforcuar, por ndoshta ka ekipe si për shembull Dinamo, që mund të thuhet se janë përforcuar më mirë sesa ju. Ia keni frikën?

“Unë mund të them se Vllaznia ka bërë atë që duhet. Me sulmues si Sinani dhe Sukaj apo edhe të tjerë kemi me shumë garanci për të shënuar. Normalisht, nuk kemi frikë askënd, por kujdesi duhet”.

-Jeni në krye, por ndeshja e fundit në kampionat me Dinamon (0-1) tregoi se mbetet e vështirë ...

“Po, po. Normalisht. Kampionati nuk bëhet fjalë që të ketë përfunduar, është edhe faza e dytë, por ne duhet të mbajmë ritmin e fazës së parë”.

-Mendoni më shumë rivale Tiranën apo Dinamon?

“Unë i mendoj të dyja, madje edhe Besën apo, të themi, edhe Elbasanin ndonëse ky është pak më larg nesh”.

-Herën e fundit Vllaznia e fitoi titullin më 2001 dhe në stadium pati festë të madhe. A e mbani mend atë ditë?

“Po, e kujtoj shumë mirë”.

-Ishit pjesë e skuadrës, apo ishit shumë i ri?

“Isha pjesë e skuadrës”.

-Besoj se mezi prisni që ato skena gëzimi të përsëriten sërish.

“Është shumë herët për të folur. Ne e duam titullin, për vete dhe për tifozët, por le të mendojmë për ndeshjet me radhë, sepse maji është larg”.