Presidenti i ekipit shkodran, Valter Fushaj, garanton sërish lojë të mirë nga të tijtë
Të premten ka udhëtuar drejt Ulqinit për të ndjekur edhe ndeshjen e dytë miqësore që Vllaznia zhvilloi në përgatitoren që zhvilloi në tokën malazeze. Vazhdon të jetë shumë i impenjuar dhe i angazhuar me punët e futbollit, aq sa shpeshherë ankohet se ka lënë pas dore edhe bizneset e tij.
Valter Fushaj, presidenti i klubit shkodran megjithatë ndihet mjaft mirë që skuadra e tij është në vendin e parë në renditje dhe për pasojë do luftojë për ta ruajtur këtë vend deri në fund të kampionatit.
Duke folur në lidhje me fazën përgatitore që Vllaznia zhvilloi në Mal të Zi, numri një i presidencës shkodrane deklaron se të gjithë kanë mbetur të kënaqur nga kushtet që kanë gjetur. “Nga kontaktet që kam pasur gjithnjë me stafin dhe futbollistët, mund të them se të gjithë thanë fjalë të mira për kushtet që kanë gjetur në Ulqin, si ato të ushqimit dhe akomodimit në hotel, ashtu edhe për fushat e stërvitjes.
Stërvitje të tilla jashtë Shqipërisë janë mëse të nevojshme, pasi ne nuk i kemi kushtet në vendin tonë. Pas këtyre stërvitjeve që ekipi zhvilloi për dy javë me radhë në Mal të Zi, mendoj se tashmë ekipi është gati për të rinisur kampionatin”, ka thënë ai.
Por lind pyetja: A është vërtet gati skuadra sa i përket lojtarëve të ardhur nga merkatoja? Presidenti Fushaj mendon se po, prandaj shton: “Jemi munduar të bëjmë më të mirën e mundshme në merkaton e dimrit dhe besoj se lëvizjet e realizuara kanë qenë të goditura dhe në ato vende ku kemi pasur nevojë.
Pikësëpari, mbajtëm Beqirin, që është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, pastaj morëm Sukajn, apo edhe Seminën, ndërkohë që së fundi mbërriti edhe mbrojtësi kroat Plantiç. Jemi në tratativa për të sjellë edhe një apo dy lojtarë të tjerë, por kjo mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim.”
Gjërat janë të qarta: kuqeblutë kanë bërë lëvizje mjaft të studiuara në merkato dhe për rrjedhojë tashmë janë forcuar ndjeshëm. Pretendimi kuptohet, do jetë ai për të mbajtur vendin e parë deri në fund të kampionatit.
Madje presidenti Fushaj, nëse ky kontigjent që është aktualisht në dispozicion të trajnerit Canaj mund të garantojë suksesin, ai ka dhënë një përgjigje shumë domethënëse: “Edhe nëse nuk vijnë ata lojtarë me të cilët, siç e thashë, jemi në bisedime, ju siguroj se Vllaznia e ka kontigjentin e mjaftueshëm për të pretenduar dhe jo vetëm në kampionat, por edhe në kupë, sepse synimet tona të tilla do jenë për të luftuar në të dy frontet.”
Në këtë mënyrë, Vllaznia kërkon ta thotë fjalën e vet ashtu siç duhet. Investimet e presidencës kanë qenë të tilla për të ndërtuar një skuadër kampione dhe tashmë pritet për t’u parë se sa do realizohet ky objektiv.
Cungu: Kuqeblutë, në formë shumë të mirë
Ka punuar edhe me Josën e Haxhiosmanoviçin (me këtë të fundit fituan edhe Kupën e Shqipërisë sezonin e kaluar), ndërsa tani Canaj është i treti trajner me të cilin bashkëpunon. Zëvendëstrajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, ka qenë dhe vazhdon të jetë krahu i djathtë i trajnerit që drejton kuqeblutë.
Kuptohet, që punon plot pasion, kryesisht me futbollistët e rinj, të cilët i motivon për të bërë më të mirën në çdo seancë, në mënyrë që niveli i tyre të rritet sa më shumë për t’i shërbyer skuadrës.
Duke folur në lidhje me përgatitjet e dy javëve që skuadra ka zhvilluar në Ulqin, numri dy i stolit kuqeblu ka thënë: “Sidomos në javën e dytë të qëndrimit tonë në Mal të Zi, gjërat kanë shkuar në mënyrë perfekte. Skuadra është stërvitur mjaft mirë dhe besoj se nisur nga puna që kemi bërë, do ta përballojmë me sukses pjesën e mbetur të sezonit.”
Sakaq, i pyetur nëse si pjesëtar i stafit drejtues të Vllaznisë ka mbetur i kënaqur nga merkatoja që ka zhvilluar klubi, Cungu do të përgjigjej: “E rëndësishme për ne ishte të qëndronte Beqiri, një lojtar me vlera për repartin e mbrojtjes.
Po ashtu për Sukajn, duke qenë se ia njohim mirë vlerat, ngaqë deri para pak muajsh ka qenë pjesë e Vllaznisë, sërish mendoj se është një afrim shumë i rëndësishëm. Sa i takon mbrojtësit kroat Plantiç, mund të them se gjatë këtyre ditëve që është stërvitur me grupin, ka bërë paraqitje të mirë. Ai është një lojtar që ka disa veçori të mira dhe mund të na shërbejë jo pak në të ardhmen.
Nga presidenca na është thënë se deri në fillim të javës që vjen mund të vijë edhe një sulmues ganez dhe nëse ai vjen, do jetë diçka e mirë, por edhe nëse nuk vjen, sërish skuadra është e kompletuar dhe për këtë arsye tani ne si staf mund të punojmë më të qetë.” Vllaznia gjatë dy javëve të qëndrimit në Ulqin, ka zhvilluar edhe dy ndeshje miqësore me skuadra vendëse.
Rezultatet e të dy takimeve ishin të njëjta, 3 0, por të gjithë e pranojnë se miqësorja e së premtes me Llovçen, skuadër malazeze e kategorisë së parë, ka qenë e një niveli më të lartë për kuqeblutë. Ekipi shkodran dje ka qenë pushim dhe po ashtu do jetë edhe sot. Për të nisur nesër pastaj përgatitjet për ndeshjen e parë të kampionatit, atë që do luhet ndaj Shkumbinit të shtunën që vjen.
Konturohet formacioni anti Shkumbin
Me shumë të ngjarë për ndeshjen e së shtunës me Shkumbinin, ekipi i Vllaznisë do të luajë me atë formacion që doli në fushë edhe në miqësoren e së premtes me Llovçen të Cetinjës. Pra, duke filluar nga Grima në portë, për të vazhduar me katërshen e mbrojtjes të përbërë nga Smajli në të djathtë, Beqiri e Bashiç në të majtë dhe kroati i ardhur së fundi, Plantiç në të majtë.
Aktivizimi i tij në këtë vend duket mëse i sigurt, nisur nga fakti që për ndeshjen me Shkumbinin nuk do luajë mbrojtësi Suad Lici. Ai ka plotësuar numrin 3 të kartonëve të verdhë dhe për pasojë nuk do jetë në gjendje të luajë në këtë takim të radhës.
Në mesfushë ndaj Llovçen ka qenë katërshja Boadu Nallbani Dhëmbi Shtubina dhe në sulm dyshja Sinani Sukaj. Por dyshimi i vetëm për formacionin anti Shkumbin ka të bëjë me ndonjë pozicion në repartin e mesfushës dhe mbase fjala këtu është për Belishën, një lojtar që ditët e fundit ka kaluar një gjendje gripale, por mesa duket tashmë e ka kaluar atë dhe do jetë në gjendje për të luajtur.
Ampofo, ganezi që vjen këtë javë
Ishte pritur të vinte në këtë fundjavë në Shqipëri, por nuk ka ndodhur kështu. Ganezi 22-vjeçar Emanuel Ampofo, që vjen për llogari të Vllaznisë, pritet të mbërrijë gjatë kësaj jave në Shkodër.
Lajmi bëhet i ditur nga pjesëtarë të klubit shkodran, sipas të cilëve, sulmuesi ka pasur probleme me pajisjen e tij me vizë për në Shqipëri. Me ardhjen e tij, shkodranët do t’i japin fund merkatos së dimrit, që në pamje të parë duket shumë e suksesshme.